Botë

Mbi 800 mijë familje mbesin pa energji elektrike nga stuhia e borës në SHBA

bore

Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë të paktën shtatë persona të vdekur dhe duke ndërprerë energjinë elektrike për qindra-mijëra shtëpi.

Shkollat dhe rrugët në mbarë vendin janë mbyllur, ndërsa mijëra fluturime janë anuluar, pasi kushtet e vështira janë shtrirë nga Teksasi deri në New England, ka bërë të ditur Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS).

Të paktën dy persona kanë humbur jetën nga hipotermia në Luiziana, ndërsa vdekje të tjera të lidhura me stuhinë janë raportuar në Teksas, Tennessee dhe Kansas.

Sipas faqes poweroutage.us, deri të dielën pasdite mbi 800 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë, më shumë se 11 mijë fluturime janë anuluar, ka raportuar FlightAware.

Reshjet e dendura të borës, shiu i ngrirë dhe akulli, një fenomen i rrezikshëm ku pikat e shiut ngrijnë menjëherë sapo prekin sipërfaqet, mund të zgjasin për disa ditë. Stuhia pritet të prekë rreth 180 milionë amerikanë, më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit.

“Bora dhe akulli do të shkrihen shumë, shumë ngadalë dhe nuk do të zhduken së shpejti, gjë që do t’i vështirësojë përpjekjet për rimëkëmbje”, ka deklaruar meteorologia e Shërbimit Kombëtar të Motit, Allison Santorelli, për partnerin mediatik amerikan të BBC-së, CBS News.

Së paku 14 vdekje në SHBA që lidhen me stuhinë e borës

1 j. më parë / 26 jan 2026 14:40
shba

Të paktën 14 persona kanë vdekur në disa shtete të SHBA-së që lidhen  me stuhinë dimërore, ndonëse në disa raste thonë se është ende herët për të përcaktuar saktë shkakun e vërtetë të vdekjes.

Në Tennessee, zyrtarët kanë konfirmuar tre “vdekje të lidhura me kushtet e motit”. Dy “vdekje të lidhura me stuhinë dimërore” janë raportuar në Louisiana.  Në Teksas, një media lokale ka raportuar se policia ka thënë se vdekja e një burri, i gjetur në një pompë karburanti, mund të ketë qenë si pasojë e problemeve shëndetësore, kushteve të motit, ose një kombinim i të dyjave. Po ashtu në Teksas, një vajzë 16-vjeçare ka humbur jetën në një aksident gjatë rrëshqitjes me sajë. Në Massachusetts, CBS ka raportuar se një grua ka vdekur pasi është goditur nga një mjet për pastrimin e borës. Në Kansas, policia ka njoftuar se një grua është gjetur e mbuluar nga bora dhe dyshohet se ka vdekur si pasojë e hipotermisë. Në New York City, kryetari i qytetit, Zohran Mamdani, ka bërë të ditur se të paktën pesë persona kanë humbur jetën, por ka theksuar se “është ende herët për të përcaktuar shkakun e vdekjes”.