Me këtë marrëveshje, SHBA-ja do t’i dërgojë nëndetëset e armatosura me armë bërthamore në Korenë e Jugut për herë të parë në 40 vjetët e fundit. Dy shtetet do të krijojnë edhe grupin për këshilla bërthamore që do të diskutojë për planifikimet bërthamore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Koreja e Jugut kanë arritur marrëveshje për t’i kundërshtuar kërcënimet bërthamore nga Koreja e Veriut. Washingtoni është pajtuar të enjten që herë pas herë t’i dërgojë nëndetëset bërthamore në Korenë e Jugut dhe të përfshijë Seulin në operacionet e saj bërthamore. Ndërkaq, Koreja e Jugut është pajtuar që të mos i krijojë armët e veta bërthamore. Deklarata e Washingtonit do të forcojë bashkëpunimin e dy shteteve në rast të sulmeve të mundshme nga Koreja e Veriut.
Te të dy vendet janë ngritur shqetësimet rreth kërcënimeve bërthamore të shfaqura nga Koreja e Veriut. Shteti diktatorial ka zhvilluar armë bërthamore që mund të kenë cak Korenë e Jugut dhe armë të tjera me rreze të gjatë që mund të arrijnë deri në Amerikë.
SHBA-ja kishte nënshkruar traktatin që obligon mbrojtjen e Koresë së Jugut dhe më parë ka shprehur gatishmërinë për përdorimin e armëve bërthamore nëse është e nevojshme. Mirëpo shumë njerëz në Korenë e Jugut kishin nisur të dyshonin për angazhimin e Amerikës dhe i kanë bërë thirrje shtetit që të ketë programin e vet bërthamor.
Presidenti jug-korean, Yoon Suk-yeol, i cili ishte për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se Deklarata e Washingtonit shënon angazhimin e paprecedentë të SHBA-së për të forcuar mbrojtjen, të shmangë sulmet dhe të mbrojë aleatët duke përdorur armët bërthamore.
Kina – qartë e pakënaqur me qëndrimin e Amerikës – ka tërhequr vërejtjen kundër veprimeve që nxitin tensionet, provokimin dhe kërcënimet.
Marrëveshja e re mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut është rezultat i negociatave disamujore, ka njoftuar administrata e presidentit amerikan, Joe Biden.
Me këtë marrëveshje, SHBA-ja do t’i dërgojë nëndetëset e armatosura me armë bërthamore në Korenë e Jugut për herë të parë në 40 vjetët e fundit. Dy shtetet do të krijojnë edhe grupin për këshilla bërthamore që do të diskutojë për planifikimet bërthamore.
Politikanët në Seul për një kohë të gjatë e kanë nxitur Washingtonin që t'i përfshijë më shumë në planifikimin se si dhe kur t’i përdorin armët bërthamore kundër Koresë së Veriut.
Teksa arsenali bërthamor i Koresë së Veriut është rritur në përmasa dhe sofistikim, koreano-jugorët janë bërë të kujdesshëm për të mbajtur në sekret atë që do ta shtynte Bidenin të shtypte butonin bërthamor në emër të tyre.
Frika se Washingtoni mund ta braktisë Seulin ka çuar në thirrje që Koreja e Jugut të zhvillojë armët e veta bërthamore. Por në janar, Yoon alarmoi politikëbërësit në Washington kur u bë presidenti i parë i Koresë së Jugut që e vendosi këtë ide përsëri në tryezë.
Për më tepër, Yoon e kishte bërë të qartë se ai priste të kthehej në shtëpi duke bërë përparim "të dukshëm".
Megjithatë, të mërkurën Bideni ka thënë se “një sulm bërthamor nga Koreja e Veriut kundër Shteteve të Bashkuara ose aleatëve dhe partnerëve të saj është i papranueshëm dhe do të rezultojë në fundin e çdo regjimi që do të ndërmerrte një veprim të tillë”.
Në këmbim, SHBA-ja ka kërkuar që Koreja e Jugut të mbetet një shtet jobërthamor dhe avokate besnike e mospërhapjes së armëve bërthamore. Shtetet e Bashkuara e shohin bindjen e Koresë së Jugut nga krijimi bërthamor si thelbësore, me frikë se nëse dështon, vendet e tjera mund t’i ndjekin hapat e saj.