Punëtorët e RTK-së kanë protestuar të enjten para ndërtesës së transmetuesit publik për shkak të mosekzekutimit të pagave. “Punëtorët e RTK-së, jo viktima të krizës”, “Gazetar pa pagë=demokraci pa zë” ,”Kërkojmë dinjitet, jo mëshirë”, “RTK nuk hesht edhe në errësirë” – ishin disa mbishkrime që punëtorët mbajnë në duar.
Përfaqësuesi i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, Gëzim Bimbashi, ka kërkuar reflektim nga institucionet, teksa ka paralajmëruar grevë të përgjithshme.
“Jemi këtu jo për luks, e jo për rritje pagës fatkeqësisht por për rritje të pagës por për një të drejtë themelore për pagën tonë që na takon me ligj. Në vend që të protestojmë për përmirësimin kushteve të punës apo rritje të pagës ne jemi të detyruar të dalim në rrugë për pagat që i kemi fituar me djersë dhe përkushtim... Nëse brenda një kohë të shkurtër nuk gjendet zgjidhje, sindikata e punëtorëve të RTK do të shqyrtojë mundësitë ligjore për hyrje në grevë të përgjithshme. Dhe nëse vazhdohet me heshtje e shpërfillje protestat tona edhe mund të përshkallëzohen”, tha Bimbashi.
Nënkryetarja e Asociacionit të Kosovës (AGK), Naile Dema-Selmani i ka bërë thirrje urgjente kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që t’i alokojë urgjentisht pagat për punëtorët e RTK-së.
“AGK ka vetëm një kërkesë sot. Kërkon në mënyrë urgjente dhe të padiskutueshme nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, thjesht t’i alokojë pagat për punëtorët e RTK. Ta bëjë njësoj siç bëri herën e kaluar dhe kështu të ndërpritet presioni edhe financiar që po bëhet ndaj punonjësve medial”, tha ajo.
Anëtar i Kryesisë së Sindikatës, Fisnik Dërguti, tha se RTK po përdoret për shantazhe dhe për qërim hesapesh mes partive politike.
“Kjo formë e protestë do të vazhdojë, deri te grevat e që po shihet se është e pashmangshme siç po duket sepse zgjidhja për RTK është duke u përdoru për inate politike, shantazh e vetëm e vetëm që të sqarojnë hesapet politike partitë mes vete”, tha Dërguti.