Botë

SHBA-ja sulmon anije të tjera të dyshuara për transport droge, 14 të vdekur

Gjashtë të vdekur nga sulmi i fundit i SHBA-së ndaj anijeve në Karaibe

Forcat amerikane kanë vrarë 14 persona në sulmet ndaj katër anijeve të dyshuara për drogë në Paqësor, ka bërë të ditur të martën sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth.

Ai ka thënë se një i mbijetuar është shpëtuar nga personeli meksikan i kërkim-shpëtimit.

Sulmi është i fundit në një seri sulmesh ndaj anijeve për të cilat SHBA-ja thotë se kanë transportuar drogë si në Paqësor ashtu edhe në Karaibe.

Sulmet e fundit në Paqësorin lindor, të cilat Hegseth ka thënë se kanë ndodhur të hënën me urdhër të presidentit Donald Trump, shënojnë një përshkallëzim në atë që thuhet se është një fushatë për të synuar trafikantët e drogës.

Të paktën 51 persona janë vrarë deri tani në sulme, gjë që ka çuar në përshkallëzim të tensioneve midis SHBA-së dhe qeverive të Kolumbisë dhe Venezuelës.

Shumica kanë ndodhur në brigjet e Amerikës së Jugut, në Karaibe, por kohët e fundit janë kryer sulme edhe në Oqeanin Paqësor.

Ekspertët kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e sulmeve amerikane. Anëtarët e Kongresit të SHBA-së, si demokratë ashtu edhe republikanë, kanë ngritur gjithashtu shqetësime dhe kanë vënë në dyshim autoritetin e presidentit për t'i urdhëruar ato.

Në një deklaratë për X, Hegseth ka thënë se katër anijet e goditura të hënën ishin të njohura nga aparati i tyre i inteligjencës.

Hegseth ka bërë të ditur se tetë "narko-terroristë" janë vrarë në sulmin e parë. Katër dhe tre janë vrarë në dy sulmet pasuese.