Presidenti Donald Trump ka bërë të ditur se SHBA-ja do të vendosë tarifa doganore prej 25% për produktet që importohen nga Koreja e Jugut dhe Japonia duke filluar nga data 1 gusht. Njoftimi është bërë përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Trump ka ndarë edhe letra që ai pretendon se ua ka dërguar liderëve të këtyre dy vendeve.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se priten letra të ngjashme për shumë vende të tjera, pasi periudha 90-ditore e shtyrjes së tarifave më agresive është drejt përfundimit. Kjo periudhë u vendos për të lejuar negociata me disa shtete pas valës fillestare të reagimeve të ashpra dhe pasigurive në tregjet financiare.
Dy letrat e para të publikuara tregojnë se Trumpi mbetet i vendosur për të zbatuar tarifat që kishte paralajmëruar më herët në prill – ku përmendi taksë 24% për produktet nga Japonia dhe 25% për ato nga Koreja e Jugut.
Këto tarifa janë pjesë e një pakete më të gjerë të shpallur në të ashtuquajturën “Dita e Çlirimit” (“Liberation Day”), ku SHBA shpalli tarifa të reja për mallra nga vende të ndryshme të botës – në disa raste me taksa që kalonin 40%.
Pas kritikave dhe shqetësimeve në tregje, Trumpi kishte pezulluar disa prej tarifave më të larta për të hapur rrugën për negociata, duke lënë në fuqi vetëm një taksë 10%. Megjithatë, afati për arritjen e marrëveshjeve përfundon më 9 korrik dhe Trumpi ka paralajmëruar se nga 1 gushti do të fillojë aplikimi i tarifave të plota, duke e shtyrë kështu afatin edhe për pak kohë.