Gjiganti i tregtisë online “Shein” ka njoftuar se ka ndaluar shitjen e të gjitha kukullave  të seksit në platformën e tij në të gjithë botën, pasi u akuzua se kishte shfaqur produkte me pamje që ngjanin me fëmijë.
Autoriteti francez për mbrojtjen e konsumatorëve ngriti shqetësime gjatë fundjavës duke theksuar se përshkrimet dhe kategorizimi i disa prej kukullave “lënë dyshime për përmbajtje të ngjashme me  pornografi me fëmijë”, shkruan BBC.
Në reagimin e dhënë të hënën, kompania tha se ka bllokuar përfundimisht të gjitha llogaritë e shitësve të lidhur me produkte të paligjshme ose të papërputhshme, si dhe ka vendosur të forcojë kontrollet në mbarë platformën e saj globale.
“Shein” njoftoi gjithashtu se ka pezulluar përkohësisht kategorinë e produkteve për të rritur, si masë paraprake sigurie, dhe ka hequr çdo listim dhe imazh të lidhur me kukullat seksuale.
Kompania tha se do të kryejë një rishikim të plotë të sistemit të shitjeve, me qëllim vendosjen e rregullave më të rrepta për shitësit.
“Lufta kundër shfrytëzimit të fëmijëve është e panegociueshme për Shein. Edhe pse këto ishin produkte të publikuara nga shitës të palëve të treta, unë e marr këtë çështje personalisht”, tha Donald Tang, kryetar ekzekutiv i kompanisë. “Ne po gjurmojmë burimin dhe do të marrim masa të menjëhershme kundër personave përgjegjës”.
Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë para se kompania e bazuar në Singapor të hapë dyqanin e saj të parë të përhershëm në Paris, ku protestues të shumtë janë mbledhur përpara qendrës tregtare BHV, për të kundërshtuar hapjen.
Shein është përballur edhe më parë me kritika për ndikimin mjedisor të industrisë “fast fashion” dhe kushtet e punës në fabrikat që prodhojnë veshjet e saj.