- Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është arrestuar dhe nxjerrë nga Venezuela në një aksion në shkallë të gjerë të kryer nga forcat amerikane në kryeqytetin Karakas, siç ka bërë të ditur presidenti amerikan, Donald Trump. Bashkë me Maduron është kapur edhe gruaja e tij.
- Maduro po transportohet drejt New Yorkut, ku do të përballet me akuza në një gjykatë në Manhatan. Lideri i Venezuelës akuzohet për vepra që lidhen me drogë dhe armë.
- Trumpi ka thënë se nga aksioni i madh i SHBA-së nuk ka pasur vdekje në palën amerikane.
- Venezuela ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme duke e akuzuar SHBA-në për agresion serioz ushtarak.
- Trumpi ka thënë në një konferencë për media se SHBA-ja do ta udhëheqë Venezuelën deri në një tranzicion të sigurt të pushtetit.
- Ai edhe e ka publikuar një fotografi të Maduros së arrestuar.
Kush është Nicolas Maduro?
Nicolás Maduro, i lindur më 23 nëntor 1962 në Karakas, u bë president i Venezuelës që nga prilli i vitit 2013, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të organizuara pas vdekjes së Hugo Chávezit, por që u kontestuan nga opozita.
Ai u rrit në familje me bindje të majta politike.
Ishte shofer autobusi dhe aktivist sindikal në Karakas, dhe karrierën e nisi kur u bë përfaqësues i punëtorëve të transportit. Ai u angazhua në mbështetje të Hugo Chávezit, i cili ishte burgosur pas një tentative të pasuksesshme për grusht shteti në vitin 1992.
Në vitin 1999, Maduro u bë anëtar i Asamblesë Kushtetuese Kombëtare që hartoi kushtetutën e re të Venezuelës. Ai shërbeu gjithashtu në Dhomën e Deputetëve dhe më pas në Asamblenë Kombëtare, ku u rizgjodh disa herë dhe u bë president i saj në vitin 2005. Në vitin 2006 u emërua ministër i jashtëm, detyrë që e mbajti deri në vitin 2013.
Si kryediplomat, Maduro promovoi Aleancën Bolivariane për Popujt e Amerikës Sonë (ALBA), me synim forcimin e integrimit rajonal dhe zvogëlimin e ndikimit të Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine. Ai gjithashtu ndërtoi marrëdhënie të ngushta me disa liderë botërorë kontroversë, përfshirë Muamar Gadafin, Robert Mugaben dhe Mahmoud Ahmadinejadin.
Në vitin 2012, pas rizgjedhjes së Chávezit, Maduro u emërua nënkryetar. E, pas vdekjes së Chávezit në vitin 2013, ai u bë president i përkohshëm dhe më pas në të të gjitha zgjedhjet që pasuan u shpall fitues, por procesi u kontestua gjerësisht brenda dhe jashtë vendit.
Mandati i tij u karakterizua nga krizë e rëndë ekonomike, e shënuar nga hiperinflacioni, rënia e prodhimit të brendshëm bruto, mungesa e ushqimit dhe ilaçeve, si dhe emigrimi masiv i qytetarëve. Që nga viti 2014, protesta të shumta shpërthyen në të gjithë Venezuelën, duke u shtypur shpesh me dhunë nga forcat e sigurisë dhe grupet pro-qeveritare. Për këtë arsye, administrata e tij u akuzua për shkelje të të drejtave të njeriut dhe qeverisje gjithnjë e më autoritare.
Maduro u përball me kritika të forta ndërkombëtare dhe sanksione të gjera, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2020, ai u padit nga një gjykatë federale amerikane për narkoterrorizëm dhe trafik droge. Në vitin 2025, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së rriti në 50 milionë dollarë shpërblimin për arrestimin e tij. E të shtunën, ai u arrestua dhe u nxor nga Venezuela gjatë një aksioni të shkallës së gjerë të kryer nga forcat amerikane në kryeqytetin Karakas.
Trump: SHBA-ja do ta udhëheqë Venezuelën
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja do ta udhëheqë Venezuelën pas kapjes së presidentit Nicolas Maduro.
“Ne do ta udhëheqim shtetin deri kur të mund të bëjmë tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur”, ka thënë ai në një konferencë për media të shtunën.
Trumpi po ashtu ka paralajmëruar këdo në Venezuelë se duhet ta kuptojnë se “ajo që i ka ndodhur Maduros, do t’u ndodhë edhe atyre, po që se sfidojnë dëshirën amerikane për shtet me lidership që i shërben popullit”.
Trumpi e ka quajtur diktator e terrorist Maduro. “Ka marrë fund”, ka thënë ai.
Trump ka thënë po ashtu se forcat amerikane kanë mundur edhe ta vrasin Maduron, po që se kjo do të ishte e domosdoshme.
“Ka mundur të ndodhte. Ai po përpiqej të futej në një vend të sigurt. Në një vend të sigurt, por ai nuk arriti të shkonte te dera sepse djemtë tanë ishin shumë të shpejtë”, ka thënë ai.
Trumpi publikon foton e Maduros së arrestuar
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka publikuar fotografinë që e shfaq presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, me pranga në duar, të arrestuar nga forcat amerikane.
Në një postim në Truth Social ai ka publikuar fotografinë në të cilën Maduro shihet në veshje sportive “Nike” dhe me një ujë në duar.
Ai po ashtu ka sytë e mbyllur e kufje të mëdha në kokë.
Është e paqartë nëse afër aty është edhe gruaja e tij, Cilia Flores.

Trump: E shikova si në TV arrestimin e Maduros, askush tjetër s’mund ta bëjë këtë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se e ka shikuar arrestimin e presidentit venezuelas, Nicolas Maduro, në kohë reale në një dhomë të rezidencës së tij në Mar-a-Lago, krahas gjeneralëve ushtarakë.
“Më është thënë nga gjeneralët ushtarakë se asnjë shtet tjetër në botë s’mund ta bëjë këtë”, i ka thënë Trumpi “Fox Newsit” në një intervistë përmes telefonit. “Nëse do ta shihnit se çka ka ndodhur, unë e pashë dhe ishte sikur të shohësh një show televiziv”.
“Sikur ta shihnit shpejtësinë, dhunën, ata i thonë kështu... Ishte e mahnitshme, punë e mrekullueshme nga këta njerëz. Askush tjetër s’mund të bëjë diçka të tillë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se e ka shikuar të gjithë aksionin. E ka cilësuar si kompleks.
Maduro akuzohet për drogë e armëmbajtje, thotë prokurorja amerikane
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, ka thënë se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe gruaja e tij janë paditur në Distriktin Jugor të Neë Yorkut.
Ajo ka deklaruar se ndaj Maduros ngarkohen akuzat për "Konspiracion Narko-Terrorizmi, Konspiracion Importimi Kokaine, Posedim të Mitralozave dhe Pajisjeve Shkatërruese, dhe Konspiracion për Posedim të Mitralozave dhe Pajisjeve Shkatërruese kundër Shteteve të Bashkuara".
"Ata së shpejti do të përballen me fuqinë e plotë të drejtësisë amerikane në tokën amerikane në gjykatat amerikane", ka theksuar Bondi.
"Një falënderim i madh për ushtrinë tonë të guximshme që kreu misionin e pabesueshëm dhe shumë të suksesshëm për të kapur këta dy trafikantë të dyshuar ndërkombëtarë të drogës", ka thënë ajo.
Maduro po dërgohet në New York
Një ekip i agjentëve të FBI-së ishin me forcat speciale në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, sipas dy burimeve të CNN-it. Planet tani janë që Maduro të dërgohet në New York ku do të përballet me akuzat në gjykatën e Manhattanit, thanë burimet.
Administrata amerikane e Zbatimit të Ligjit kundër Drogës ka punuar për vite për një padi kundër Maduros dhe disa udhëheqësve të lartë ushtarakë në Venezuelë, sipas zyrtarëve.
E gjithë ajo punë për vite pritet të formojë bazat e akuzave që do të bëhen publike.
Sipas burimeve, Maduro dhe bashkëshortja e tij u nxorën zvarrë nga dhoma e gjumit nga forcat amerikane. Ata u kapën në mes të natës derisa po flinin.
Kosova e mbështet "operacionin antinarkotik" të SHBA-së në Venezuelë
Kosova e mbështet fuqishëm operacionin anti-narkotik të SHBA-së në Venezuelë, kanë thënë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Osmani ka thënë se Kosova qëndron fuqishëm me SHBA-në dhe presidentin Donald Trump teksa ka shtuar se Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane e se çlirimi i Kosovës është dëshmi e saj.
“Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane - çlirimi ynë është një dëshmi e kësaj. Në një moment kur SHBA-të po përballen me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta përforcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur bashkohet pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta. Kur Amerika udhëheq, ne qëndrojmë me krenari së bashku - sepse liria jonë kolektive varet prej saj”, ka shkruar ajo.
E, Kurti ka theksuar se mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.
“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, ka shkruar në Facebook.
Bota reagon ndaj sulmeve të SHBA-së në Venezuelë
Shtetet e Bashkuara të shtunën kanë kryer sulme ajrore në Venezuelë, duke rezultuar më pas në arrestimin e presidentit të saj, Nicolas Maduro.
Shumë shtete kanë reaguar pas sulmeve e kapjes së Maduros.
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka thënë se Maduros i ka munguar legjitimiteti dhe se “blloku e ka mbështetur një tranzicion paqësor”.
“Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, ka thënë se Britania nuk është përfshirë në operacionin e SHBA-së në asnjë formë.
Ministria e Jashtme e Spanjës përmes një deklarate ka bërë thirrje për shtensionim dhe qetësim, duke ofruar shërbimet e saj për të arritur një zgjidhje paqësore.
Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, ka dënuar veprimet e SHBA-së derisa ka bërë thirrje për zgjidhje paqësore.
“Kili riafirmon angazhimin ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, si ndalimi i përdorimit të forcës, mosndërhyrja, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe integriteti territorial i shteteve”, ka theksuar ai.
E, presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka deklaruar se “qeveria kolumbiane refuzon çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund të përkeqësojë situatën ose ta vë popullsinë civile në rrezik”.
Kurse, Rusia e ka dënuar sulmin e SHBA-së.
“Këtë mëngjes SHBA kreu një akt agresioni të armatosur kundër Venezuelës. Kjo është thellësisht shqetësuese dhe e dënueshme. Pretekstet e përdorura për të justifikuar veprime të tilla janë të pabazuara”, u tha nga Ministria e Jashtme ruse.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë thirrje për qëndresë Venezuelës.
“Ajo që ka rëndësi është se kur një person e kupton se armiku po përpiqet në mënyrë arrogante të imponojë diçka mbi vendin, mbi zyrtarët, qeverinë dhe kombin, duhet të qëndrojë fort kundër armikut dhe t’i bëjë qëndresë. Ne nuk do t’i dorëzohemi armikut”, ka thënë ai.
Edhe presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, i ka dënuar sulmet e SHBA-së.
Rubio: Maduro është nën akuza për trafik droge në SHBA
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se presidenti i Venezuelës akuzohet për trafik droge në SHBA.
Ai ka lëshuar deklaratë pas sulmit dhe kapjes së Maduros të shtunën.
“Maduro nuk është president i Venezuelës dhe regjimi i tij nuk është qeveria legjitime. Maduro është kreu i kartelit Los Soles, një organizatë narko-terroriste që ka marrë kontrollin e shtetit. Dhe ai është nën akuzën për futje të drogave në SHBA”, ka shkruar ai në X.
Trumpi e aktivizoi CIA-n muaj më parë në Venezuelë
Presidenti Donald Trump i dha dritën e gjelbër disa ditë më parë kapjes së Nicolas Maduros, dhe misioni u krye nga Forca ushtarake Delta, sipas një burimi të CNN-it.
Lokacioni i tij u gjurmua nga CIA, të cilës Trumpi ia kishte dhënë autorizimin për aktivitet të fshehtë brenda Venezuelës muaj më parë.
Maduro u arrestua për t’u gjykuar në Shtetet e Bashkuara, ka thënë burimi. Nuk dihet ende se ku gjendet Maduro pasi Trumpi njoftoi se ai u kap nga SHBA-ja dhe u largua nga vendi.
Senatori republikan: Rubio më tha se Maduro u arrestua për t’u gjykuar në SHBA
SHBA-ja e ka arrestuar presidentin venezuelas Nicolas Maduro për t’u gjykuar në SHBA, ka thënë senatori republikan Mike Lee, i cili ka thënë se ka folur me Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio.
Lee ka shtuar se sulmet e kryera në Venezuelë bien brenda autoritetit të presidentit “për ta mbrojtur personelin amerikan nga një sulm i afërt”.
“Ai më informoi se Nicolas Maduro është arrestuar nga personeli amerikan për t’u gjykuar për akuza penale në Shtetet e Bashkuara dhe se operacioni që pamë sot u ndërmor për të mbrojtur dhe siguruar ata që po zbatonin urdhrin e arrestit”, ka shkruar Lee në X.
Më herët të shtunën Lee kishte ngrehur shqetësime për sulmet, duke pyetur nëse do të kishte diçka që do t’i justifikonte sipas kushtetutshmërisë.
Qeveria e Venezuelës kërkon prova se Maduro është gjallë
Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, ka thënë se qeveria nuk e di ku ndodhet presidenti dhe zonja e parë.
Ajo ka deklaruar se qeveria kërkon “prova të menjëhershme jete” të të dyve.
E, ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino Lopez, ka njoftuar vendosjen e menjëhershme të forcave ushtarake në tërë vendin, raportoi The Guardian.
Ai ka bërë thirrje për një front të përbashkët rezistence përballë “agresionit më të rëndë” ndonjëherë kundër Venezuelës.
“”Ata na kanë sulmuar por ata nuk do të na nënshtrojnë”, ka thënë ai.
Trumpi thotë se SHBA-ja e ka kapur Maduron pas sulmeve
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja ka kryer sulme ndaj Venezuelës të shtunën.
Ai ka thënë se SHBA-ja kreu sulm në shkallë të gjerë dhe se ka kapur presidentin Nicolas Maduro duke e larguar nga vendi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës me sukses kanë kryer sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe liderit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, bashkë me gruan e tij, është kapur dhe larguar nga vendi”, ka shkruar ai në rrjetin Truth.
Trump e ka cilësuar “operacion brilant” sulmin e kryer, në një intervistë të shkurtër me “New York Times”.
“Planifikim shumë i mirë dhe shumë trupa dhe njerëz të shkëlqyer. Ishte një operacion i shkëlqyer”, ka thënë ai.
Në një deklaratë të lëshuar, qeveria ka akuzuar SHBA-në se ka kryer sulme në Caracas, Miranda, Aragua dhe La Guaira, raportoi CNN.
Presidenti Nicolas Maduro ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar që të gjitha planet kombëtare të mbrojtjes të zbatohen “në kohën e duhur dhe rrethanat e duhura”, thuhet në deklaratën qeveritare.
Po ashtu, qeveria i ka bërë thirrje popullit dhe forcave politike për mobilizim për mbrojtjen e vendit.
“Populli i Venezuelës dhe Forcat e Armatosura Kombëtare, në unitet të përsosur popullor-ushtarak-policor, janë vendosur për të garantuar sovranitetin dhe paqen”, thuhej tutje.
#URGENTE Se confirman bombardeo en distintinras zonas del área metropolitana. Estos ataques van desde Higuerote en el Estado Miranda hasta Caracas inicialmente. Zonas aledañas a Fuerte Tiuna y El Cuartel de la Montaña #Venezuela resiste esto es #hastaElFinal pic.twitter.com/PKnuQ66Rxq
— Kedar (@Kedar_speaks88) January 3, 2026
Raportohet se Trumpi urdhëroi sulmet në Venezuelë
Presidenti Donald Trump ka urdhëruar që të kryhen sulme në zona brenda Venezuelës, përfshirë objekte ushtarake, i kanë thënë zyrtarë CBS Neës.
Megjithatë, ende nuk ka deklaratë zyrtare mbi këtë. Presidenti i Venezuelës e ka akuzuar SHBA-në për “agresion ushtarak” pas shpërthimeve e avionëve që u dëgjuan nga mesnata.
Reuters po ashtu ka raportuar se SHBA-ja ka kryer sulmet në Venezuelë, sipas një zyrtari amerikan.
Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit ka ndaluar avionët amerikanë të operojnë brenda hapësirës ajrore të Venezuelës, duke përmendur “rreziqet e sigurisë të lidhura me aktivitetin e vazhdueshëm ushtarak”.
Shpërthime e avionë dëgjohen në kryeqytetin e Venezuelës
Shpërthime dhe avionë janë dëgjuar mesnatën e së shtunës në kryeqytetin e Venezuelës, Caracas. Nuk dihet ende se prej nga kanë ardhur këto shpërthime, derisa qeveria e Venezuelës, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë dhënë përgjigje.
Qytetarët kanë dalë nëpër rrugë në panik pas shpërthimeve, raportoi AP.
“E gjithë toka dridhej. Kjo është e tmerrshme. Dëgjuam shpërthime dhe avionë në distancë”, ka thënë 21-vjeçarja Carmen Hidalgo.
Shpërthimet vijnë ndërsa ushtria amerikane ka shënjestruar, në ditët e fundit, anije të dyshuara për kontrabandë me drogë. Të premten, Venezuela u shpreh e gatshme për të negociuar një marrëveshje me SHBA-në për të luftuar trafikimin e drogës.
Presidenti Nicolas Maduro ka thënë se SHBA-ja do ndryshim qeverie në Venezuelë dhe që të fitojë qasje në rezervat e saj të mëdha të naftës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, për muaj ka kërcënuar se shumë shpejt mund të urdhërojë sulme mbi caqe në territorin e Venezuelës. SHBA-ja nisi t’i godasë anijet e dyshimta qysh në shtator.
Trumpi i ka justifikuar sulmet mbi anije si të domosdoshme për të ndaluar rrjedhjen e drogës në SHBA.