Botë

Shpërthime të tjera të fuqishme në Gazë

Gaze

Foto: Arkiv

Foto: Associated Press

Shpërthime të fuqishme janë parë në Rripin e Gazës herët të enjten. Forcat izraelite vazhduan me një ofensivë të re tokësore në Qytetin e Gazës, ndërsa sulmet gjatë natës në territorin palestinez vranë të paktën 16 persona, thanë zyrtarët e spitalit. 

Qindra mijëra persona vazhdojnë të qëndrojnë në qytetin, tashmë në rrënoja nga gati dy vjet luftë dhe duke luftuar me urinë. 

Operacioni i fundit izraelit, i cili filloi të martën, përshkallëzoi më tej konfliktin që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka të ngjarë ta shtyjë çdo armëpushim edhe më tej jashtë mundësive. 
Ushtria izraelite, e cila thotë se dëshiron të shkatërrojë infrastrukturën ushtarake të Hamasit nuk ka dhënë një afat kohor për ofensivën, por kishte indikacione se mund të zgjasë me muaj.

Shumë janë përpjekur të zhvendosen nga qyteti, ku dikur jetonin 1 milion njerëz, në Rripin jugor të Gazës pas thirrjeve të ushtrisë izraelite për një evakuim të plotë.

Ministria njoftoi të mërkurën se numri i të vdekurve është rritur në 65,062, me 165,697 të plagosur që nga viti 2023.

Ofensiva e Izraelit ka shkatërruar zona të gjera të Gazës, ka zhvendosur rreth 90% të popullsisë dhe ka shkaktuar një krizë katastrofike humanitare, me ekspertët që njoftojnë për uri ekstreme. 

Ministria nuk e bën dallimin në mes të viktimave civilë ose militantë, por ka thënë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth gjysmën e të vdekurve.

Lufta në Gazë filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1,200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. 48 pengje, më pak se gjysma e të cilëve besohet se janë gjallë, mbeten në Gazë.