Botë

Shtohet mbështetja popullore për Ekrem Imamoglun, tregojnë sondazhet

Ekrem Imamoglu Recep Tayyip Erdogan

Mbështetja e popullit për Ekrem Imamoglun, kryebashkiakun e Stambollit, arrestimi i të cilit ka shkaktuar protestat më masive në dekada, është rritur edhe më tej në raport me presidentin, Rexhep Tayyip Erdogan, që kur është burgosur në maj, tregojnë sondazhet. 

Dy sondazhe të realizuara në ditët e fundit sugjerojnë se burgosja e Imamoglut më 19 mars, e ka forcuar edhe më shumë pikëpamjen se ai është rivali kryesor i Erdoganit në një votim të ardhshëm presidencial, edhe nëse vazhdon të ndodhet prapa grilave, raporton Reuters.

Kryebashkiaku i qytetit më të madh të Turqisë është burgosur më 23 mars, lidhur me akuza për korrupsion, të cilat ai i ka mohuar, një lëvizje të cilën opozita dhe disa liderë evropianë e kanë quajtur të politizuar dhe anti-demokratike. 

Qeveria e Erdoganit i ka hedhur poshtë kritikat dhe thotë se gjyqësori është i pavarur.

Është e paqartë se kur Imamoglu, një kryebashkiak në dy mandate, do të dalë para gjykatës dhe nëse do të lirohet. Hetimet vazhdojnë, pasi ai, dhe më shumë se 100 zyrtarë të tjerë nga Stambolli janë arrestuar për akuza të ndryshme. 

Sondazhet e kryera në prill nga Metropoll dhe Konda, dy anketuesit kryesorë, tregojnë se Imamoglu e kryeson Erdoganin me një diferencë të sigurtë në një zgjedhje hipotetike kokë më kokë, megjithëse një votim nuk pritet deri në vitin 2028.

Ato tregojnë gjithashtu se, që nga arrestimi i kryebashkiaku,  gati dy muaj më parë, votuesit turq janë polarizuar më thellë midis AK Partisë (AKP) të Erdoganit dhe Partisë Popullore Republikane (CHP) kryesore, të opozitës së Imamoglu.

“Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, dhe Imamoglu dhe Erdogani do të shkonin në rundin e dytë të votimit, Imamoglu do të kryesonte me shtatë (përqindje) pikë”, ka thënë Ozer Sencar, kreu i kërkimit në Metropoll, i cili ka vlerësuar mbështetjen e kryetarit të bashkisë me 46.7% dhe atë të presidentit, me 39.3%.

I zgjedhur për herë të fundit në vitin 2023, Erdogan nuk mund të kandidojë sërish sipas ligjit nëse nuk thirren zgjedhje të parakohshme dhe nuk mbështetet nga tre të pestat e parlamentit, për të cilat ai do të kishte nevojë për mbështetje përtej koalicionit të tij konservator në pushtet.

Sipas gazetës “Milliyet”, një peticion publik i CHP-së që bën thirrje për lirinë e Imamoglut dhe zgjedhje të parakohshme ka tejkaluar 13 milionë nënshkrime.