Botë

Si po e përjetojnë palestinezët luftën Izrael-Iran

Palestine

Në Gaza, reagimet ndaj përshkallëzimit të marrëdhënieve mes Iranit dhe Izraelit janë përzierje komplekse emocionesh.

Disa palestinezë pranojnë se ndiejnë kënaqësi të zymtë duke parë ndërtesat izraelite të shembën dhe civilët të bllokuar nën rrënoja nga sulmet iraniane.

Por ende, ndjenja e frikës se vëmendja e botës mund të tërhiqet nga Gaza e cila ka kaluar pothuajse 20 muaj luftë, bllokadë dhe katastrofë humanitare, vazhdon e pamposhtur.

Hassan Omar Talba, i cili ka humbur vëllain, gruan dhe tre fëmijët nga sulmet izraelite, ka shprehur zhgënjim në atë që konsideron mbështetje simbolike të Iranit ndaj Gazës.

“Irani kurrë nuk ka ndërtuar shkolla, spitale, e as nuk ka dërguar ndonjëherë një kamion me ndihma në Gaza. Ata kurrë nuk e kanë trajtuar e ndihmuar një person të plagosur. E tëra që bënë ishte të dërgonin raketa dhe të mbështesnin Hamasin, gjë që na çoi në buzë të humnerës”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar: “Unë e mbështesë çdokënd që e ka shënjestër Izraelin. Le ta përjetojnë civilët izraelitë atë që Gaza ka përjetuar për 20 muaj”.

Alaa Saleh, baba i pesë fëmijëve ka shprehur të njëjtin zhgënjim.

“Lufta nuk ka ndaluar. Vdekjet, uria dhe zhvendosjet janë pjesë e përditshmërisë tonë, por tash bota është shpërqendruar me atë se çfarë po ndodh në Iran. Edhe mediat kanë ndaluar të mbulojnë ngjarjet nga lufta në Gaza”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar: “Ne e dimë koston e vërtetë të luftërave që kemi përjetuar pafundësisht për dekada të tëra.  Irani i dha armë Hamasit, gjë që e përkeqësoi tragjedinë tonë. Por unë bëj dallimin midis regjimit iranian dhe popullit iranian, të cilët janë viktima të sundimtarëve të tyre njësoj si ne”.