Pesë orë bisedime midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe negociatorit të lartë të presidentit të SHBA-së Donald Trump duket se nuk kanë arritur të sjellin një përparim në sigurimin e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë.
Një zëdhënës i Kremlinit ka thënë se takimi në Moskë ishte "konstruktiv", por pjesë të planit mbetën të papranueshme për Rusinë.
I dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, morën pjesë në bisedime pas javësh diplomacie intensive që synonin përfundimin e luftës. Ekipi amerikan nuk ka komentuar që kur është larguar nga Moska.
Putin ka thënë të martën para takimit se ndryshimet e propozuara nga Kievi dhe Evropa në një draft plan paqeje të mbështetur nga SHBA-të ishin të papranueshme, duke shtuar se nëse Evropa "dëshiron të shkojë në luftë dhe e fillon një të tillë, ne jemi gati tani".
Ukraina dhe aleatët e saj kanë lobuar tek SHBA-ja për të ndryshuar draftin e marrëveshjes së saj të paqes, për të cilën Shtëpia e Bardhë ka kërkuar të sigurojë një marrëveshje të shpejtë dhe Kremlini më parë ka treguar se ishte i hapur.
Ky plan, i cili u pa gjerësisht si në favor të Rusisë pasi u publikua në media në nëntor, ka pësuar disa ndryshime në javët e fundit.
I pyetur në lidhje me propozimin pas takimit në Moskë, ndihmësi i lartë i Putinit, Yuri Ushakov, ka thënë se Kremlini "pajtohej me disa pika... por disa gjëra i kritikonim".
“Nuk kemi dalë ende me një version kompromisi. Ka shumë punë përpara”, ka thënë ai.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se priste të informohej mbi bisedimet e Kremlinit nga ekipi amerikan pas takimit, megjithëse nuk është e qartë nëse Witkoffi dhe Kushneri do të udhëtojnë për në Kiev apo kryeqytete të tjera evropiane për negociata të mëtejshme ballë për ballë.
Cilat janë pikat territoriale që po shkaktojnë ngërç në bisedimet për Ukrainën
Çështja e territorit mbetet në qendër të negociatave për të dyja palët ndërluftuese në Ukrainë.
Presidenti ukrainas ,Volodymyr Zelensky ka thënë se "çështja territoriale është elementi më i vështirë" i marrëveshjes së paqes.
Kremlini vazhdon të kërkojë nga Ukraina që të heqë dorë nga territori që ende kontrollon në lindje - diçka që Kievi ka pohuar prej kohësh se nuk do ta bëjë kurrë.
BBC-ja raporton se heqja dorë nga territori ku jetojnë të paktën një çerek milioni ukrainas - qytetet e "rripit të fortesës": Donetsku, Slovyansku, Kramatorsku dhe Druzhkivka, nuk do të jetë e pranueshme për shumicën e ukrainasve.
Luftimet kanë vazhduar për qytetin strategjik të Pokrovskut, të cilin Rusia thotë se e ka pushtuar. Ukraina e ka hedhur poshtë këtë, duke thënë se luftimet janë duke vazhduar.
Plani i paqes i mbështetur nga SHBA-ja propozon që Krimea, Luhansku dhe Donetsku të njihen "si de facto ruse, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara".
Kjo do të thotë që Ukraina dhe vendet e tjera nuk do të kenë nevojë të njohin ligjërisht kontrollin rus.
Drafti gjithashtu sugjeron që në rajonet jugore të Khersonit dhe Zaporizhzisë, vijat e frontit do të ngriheshin dhe Rusia do të hiqte dorë nga zonat që ka pushtuar diku tjetër në Ukrainë - një referencë për rajonet verilindore të Kharkiv dhe Sumy, si dhe rajonin e Mykolaiv në jug.
Zelensky ka thënë më parë se lejimi i Moskës për të pushtuar tokë me forcë do të vendoste një precedent të rrezikshëm.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar për Fox Neës në një intervistë të transmetuar të martën se, Rusia dhe Ukraina po luftojnë për 30-50 km hapësirë terrritori.
Kremlini e mohon se Putini e ka hedhur poshtë planin e paqes
Kremlini thotë se është gabim të sugjerohet se presidenti, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë propozimet e SHBA-së për paqe në Ukrainë pas bisedimeve me negociatorët amerikanë të martën në Moskë.
Zyrtarët rusë thonë se bisedimet ishin "konstruktive", por "nuk u arrit asnjë kompromis" mbi lëshimet territoriale për Ukrainën.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, thotë se ndihmësit e tij po përgatiten për një takim me të dërguarit e Trumpit në SHBA.
Kjo vjen ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s po takohen në Bruksel për të diskutuar bisedimet e paqes.
Ndërkohë, shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, ka thënë se BE-ja ka arritur një marrëveshje të përkohshme për t'i dhënë fund importeve të gazit rus deri në vitin 2027.
E para bisedimeve të së martës, Putini ka thënë se kërkesat e Evropës për Ukrainën janë "të papranueshme", duke shtuar: "Ne nuk do të luftojmë me Evropën, por nëse Evropa dëshiron të luftojë me ne, ne jemi gati tani”.
Rutte: Rusia po përgatitet për konfrontim afatgjatë
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se Rusia po përgatitet për konfrontim afatgjatë.
Në fjalën e tij hapëse në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të NATO-s të mërkurën në Bruksel, Rutte ka shtuar se Rusia po "vazhdon të testojë aftësinë tonë parandaluese" dhe se "ne përballemi me rreziqe reale dhe afatgjata".
Ai ka thënë po ashtu se Rusia ka shkelur hapësirën e ajrore të NATO-s me avionë luftarakë dhe dronë, ka kryer sabotim dhe ka dërguar anije spiune në ujërat e saj.
“Këto veprime janë të pamatura dhe të rrezikshme", është shprehur Rutte.
Sipas tij, Rusia po punon ngushtë me Kinën, Korenë e Veriut dhe Iranin "për të shkatërruar rregullat globale".
Rutte po ashtu ka deklaruar se Ukraina ka nevojë për mbështetjen e NATO-s më shumë se kurrë, veçanërisht tani teksa dimri po vjen dhe sulmet ruse vazhdojnë.
Deklaratat e Ruttes dhe mbledhja e NATO-s vijnë një ditë pas bisedimeve pa rezultat të zhvilluara ndërmjet liderit rus, Vladimir Putin dhe të dërguarit të Donald Trumpit, Steve Witkoff.
Para takimit të martën, Putini ka kritikuar ashpër Evropën se po pengon bisedimet e paqes përmes kërkesave të saj, siç ka thënë të papranueshme për Rusinë.
Putini madje ka sfiduar Evropën, duke deklaruar se nëse ajo do luftë, atëherë ai është i gatshëm për të.
Mblidhet NATO-ja pas bisedimeve pa rezultat SHBA-Rusi për Ukrainën
Bisedimet pesë orëshe midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe zyrtarëve amerikanë në Moskë të martën, kanë përfunduar pa ndonjë përparim për të arritur një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Një zëdhënës i Kremlinit ka thënë se takimi mes Putinit dhe të dërguarit të posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff, ishte "konstruktiv".
Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë koment nga SHBA-ja.
Bisedimet SHBA-Rusi dhe SHBA-Ukrainë po zhvillohen bazuar në planin e paqes me 28 pika të administratës Trump, i parë gjerësisht si në favor të Rusisë.
Ukraina dhe aleatët e saj evropianë kanë propozuar ndryshime në propozim, por Putini ka deklaruar të martën para takimit me delegacionin amerikan se këto ndryshime janë të papranueshme.
“Nëse Evropa dëshiron të shkojë në luftë dhe e fillon një të tillë, ne jemi gati tani", ka thënë Putini teksa ia ka hedhur fajin Evropës se po i pengon bisedimet e paqes.
E të mërkurën, një numër ministrash të Jashtëm perëndimorë po mblidhen për një takim në selinë e NATO-s në Bruksel.
Pritet që ata të diskutojnë për sigurinë në rajon dhe po ashtu për bisedimet e paqes për Ukrianën.