Botë

Skandali i ri godet partinë në pushtet në Spanjë

Pedro Sanchez

Foto: Associated Press

Përpjekjet e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, që ta reformojë partinë e tij pas dëmit nga akuzat për korrupsion, kanë marrë goditje të re. Një zyrtar i lartë i partisë ka dhënë dorëheqje pas akuzave për ngacmim seksual.

Kryeministri shpresonte që një takim në fundjavë me komitetin federal të partisë së tij, Partia Socialiste e Punëtorëve, të ndihmonte kalimin e disa javëve me skandale që kanë minuar zotimet e tij me të cilat erdhi në pushtet shtatë vjet më parë. Por shpresat u venitën pasi të premten në mbrëmje gazeta online “elDiario” publikoi akuzat nga disa punonjëse të këtij komiteti. Ato akuzonin Francisco Salazarin, mbikëqyrës i koordinimit institucional në pallatin Moncloa, zyrën dhe rezidencën zyrtare të kryeministrit.  

Akuzat bënë që Salazari të shtunën të dorëhiqet nga posti i tij dhe roli si zëvendës në sekretariatin e partisë. Ai i ka thënë gazetës se nuk i kujtohet se ka pasur ndonjë sjellje të pahijshme. Është raportuar se kanë nisur hetimet, por deri tash nuk është se ka pasur padi zyrtare ndaj Salazarit. Të shtunën, ai kërkoi falje për atë që e quajti humbje të besimit.

Sanchez që po përballet tash e sa javë me presion për zgjedhje të reja, ka thënë se nuk do të dorëhiqet.

“Kapiteni nuk i shmanget përgjegjësisë së tij kur deti bëhet i trazuar, ai qëndron në vend për t’i bërë ballë stuhisë dhe e udhëheq anijen drejt portit”, ka thënë ai.

Dorëheqja e Salazarit pason vendimin e gjykatës supreme për ta mbajtur në paraburgim Santos Cerdanin, krahun e djathtë të Sanchezit që shërbeu si sekretar i partisë. Ai akuzohet për marrje ryshfeti për kontrata publike të ndërtimit.