Botë

Starmerit i shtohet presioni për shkak të lidhjeve të Mandelsonit me Epsteinin

Keir Starmer

Foto: Associated Press

Ministri britanik i Punës dhe Pensiove, Pat McFadden, është përballur të dielën me pyetje lidhur me të ardhmen e kryeministrit, Keir Starmer,

Starmer po përballet me atë që gjerësisht shihet si kriza më e madhe e 18 muajve të tij në pushtet, për shkak të vendimit për ta bërë Peter Mandelsonin ambasador të Britanisë në Uashington në vitin 2024, ndërsa një numër i vogël deputetësh nga radhët e tij po vënë hapur në pikëpyetje gjykimin dhe të ardhmen e tij.

Prova të reja mbi marrëdhënien e Mandelsonit me Jeffrey Epstein dolën në dritë javën e kaluar, duke rihapur një plagë të vjetër për Starmerin dhe Partinë Laburiste, pasi u zbuluan përmasat e lidhjeve të Mandelsonit me abuzuesin e ndjerë seksual, si dhe dyshimin se ai i kishte ofruar Epsteinit informacione konfidenciale qeveritare.

Pat McFadden, e ka pranuar të dielën se ekzistonte mundësia që Starmer të mos vazhdonte në këtë rol.

“Nëse lryeministri qëndron aty, nuk mendoj se kjo do të bënte ndonjë ndryshim fare”, i ka thënë McFadden BBC-së.

Gazeta The Telegraph, duke cituar miq të zëvendëskryeministrit David Lammy, ka raportuar të dielën se Lammy, i cili ishte ministër i Jashtëm në kohën e emërimit të Mandelsonit, e kishte paralajmëruar Starmerin kundër nominimit të tij.

Ndërkohë, i pyetur nëse udhëheqja e Starmerit ishte seriozisht në rrezik, McFadden ka thënë se Partia Laburiste duhet ta mbështesë Starmerin, pasi nuk është e mirë për vendin që kryeministri të ndërrohet çdo 18 muaj deri në dy vjet.

“E kuptoj që kjo ka qenë një javë me tituj shumë të këqij”, ka deklaruar ai.

Përveç Lammy-t, edhe Angela Rayner, paraardhësja e tij si zëvendëskryeministre, u ka thënë miqve se e kishte paralajmëruar Starmerin të mos ia jepte Mandelsonit këtë post, sipas gazetës The Times.

Starmer e ka shkarkuar Mandelsonin shtatorin e kaluar për shkak të lidhjeve të tij me Epstein.

Mandelson aktualisht është nën hetim policor për shkelje të dyshuara në ushtrimin e detyrës.