Suedia do të shtrëngojë rregullat për marrjen e shtetësisë, duke bërë që aplikantët të përballen me një pritje më të gjatë, tetëvjeçare, përpara se të mund të aplikojnë, një prag minimal page dhe një test mbi njohuritë e tyre për shoqërinë suedeze, ka bërë të ditur të hënën qeveria e qendrës së djathtë.
Qeveritë pasuese kanë ashpërsuar politikat e emigracionit që nga viti 2015, kur rreth 160,000 azilkërkues kërkuan strehim në Suedi.
Qeveria ka njoftuar se aplikantët për shtetësinë suedeze do të duhet të kenë jetuar në vend për tetë vjet, nga pesë që është aktualisht, të kenë të ardhura mujore mbi 20,000 korona suedeze (2,225 dollarë), si dhe të kalojnë një test gjuhe dhe kulture.
“Është e arsyeshme që duhet të dish nëse Suedia është monarki apo republikë, nëse dëshiron të jesh shtetas”, ka thënë ministri i Migracionit, Johan Forssell.
Çdo person me precedent penal, qoftë në Suedi apo jashtë saj, do të duhet të presë më gjatë përpara se të mund të aplikojë. Për shembull, dikush që ka vuajtur një dënim me katër vjet burgim do të duhet të presë 15 vjet përpara se të ketë të drejtë të aplikojë për shtetësi.
Demokratët e Suedisë, parti kundër emigracionit që mbështet qeverinë e koalicionit minoritar, kanë fajësuar ato që i quajnë politika të dështuara të emigracionit pas një vale krimi të bandave që ka përfshirë vendin.
Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 6 qershor.