Botë

Sulmet Izrael – Iran vazhdojnë edhe në ditën e nëntë

Çfarë ka ndodhur ditë pas dite në luftimet Iran-Izrael

Foto: Associated Press

Lufta mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në ditën e nëntë, teksa të shtunën në mëngjes kanë vazhduar sulmet nga të dyja shtetet. Edhe në sulmin e së shtunës, Izraeli synoi bazat bërthamore iraniane. Irani ndërkohë gjuajti raketa në Tel Aviv si dhe Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Izraeli përgatitet për luftë të gjatë kundër Iranit

1 muaj më parë / 21 qer 2025 23:10 Nga: Associated Press
IZrael

Ushtria izraelite ka thënë të shtunën se po përgatitet për mundësinë e një lufte të gjatë, tek ka njoftuar se ka goditur një strukturë kërkimore bërthamore iraniane gjatë natës dhe se ka vrarë tre komandantë të lartë iranianë.

Perspektiva e një lufte më të gjerë duket në horizont gjithashtu. Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë thënë se do të rifillojnë sulmet ndaj anijeve luftarake amerikane në Detin e Kuq nëse administrata Trump bashkohet me fushatën ushtarake të Izraelit kundër Iranit. Houthit ndalën sulme të tilla në maj si pjesë e një marrëveshjeje me SHBA-në. E ambasadori amerikan në Izrael ka njoftuar se SHBA-ja ka nisur “fluturimet e largimit të asistuar” nga Izraeli, për herë të parë që kur Hamasi pati sulmuar Izraelin më 7 tetor 2023.

Brenda Iranit, tymi dilte nga një zonë pranë një mali në Isfahan, ku zëvendësguvernatori i provincës për çështjet e sigurisë, Akbar Salehi, ka konfirmuar se sulmet izraelite dëmtuan strukturën, por nuk shkaktuan viktima.

Objektivi ishin dy vende prodhimi centrifugash, sipas një zyrtari ushtarak izraelit që foli në kushte anonimiteti sipas udhëzimeve të ushtrisë për t’i informuar gazetarët. Ishte sulmi i dytë në Isfahan, i cili u godit në 24 orët e para të luftës si pjesë e qëllimit të Izraelit për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e ka konfirmuar po ashtu sulmin e fundit.

Irani ndërkohë ka nisur një valë të re dronësh dhe raketash drejt Izraelit, por nuk pati raportime të menjëhershme për dëme të konsiderueshme. Shërbimi i shpëtimit “Magen David Adom” në Izrael ka thënë se një dron goditi një ndërtesë dykatëshe në Izraelin verior, pa viktima.

Zyrtari izraelit e quajti “breshëri të vogël” që kryesisht u ndal nga mbrojtja e Izraelit. Zyrtari ka vlerësuar se ushtria izraelite ka shkatërruar më shumë se 50% të dronëve të Iranit.

“Ne po ua vështirësojmë atyre të qëllojnë drejt Izraelit”, ka thënë ai. “Duke thënë të gjitha këto, dua të them se regjimi iranian padyshim që ende ka aftësi”.

Zëdhënësi kryesor i ushtrisë izraelite, gjeneral brigade Effie Defrin, më vonë ka njoftuar se shefi i Shtabit, gjenerallejtënant Eyal Zamir, e ka paralajmëruar ushtrinë të përgatitet për një “fushatë të zgjatur”.

“Përfshirja ushtarake amerikane do të ishte e rrezikshme”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po shqyrton ende mundësinë e përfshirjes aktive të ushtrisë amerikane në luftë. Të shtunën, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, megjithatë ka thënë se kjo “do të ishte shumë, shumë e rrezikshme për të gjithë”. Ai ka folur për këtë çështje në margjinat e një takimi të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik në Turqi.

E të shtunën media prestigjioze amerikane raportuan se ushtria amerikane i ka lëvizur bombarduesit e rëndë ajror B-2, nga toka amerikane në ishullin Guam. Këta bombardues kanë rreze veprimi prej mbi 6000 miljesh detare dhe kapacitet ngarkese prej mbi 18 tonësh për të mbajtur armë të ndryshme tradicionale dhe bërthamore.

Luftimet shpërthyen më 13 qershor, me sulme ajrore izraelite që synonin vendet bërthamore dhe ushtarake të Iranit, gjeneralët e lartë dhe shkencëtarët bërthamorë. Të paktën 722 persona, përfshirë 285 civilë, janë vrarë në Iran dhe më shumë se 2.500 janë plagosur, sipas një grupi iranian për të drejtat e njeriut me seli në Washington.

Irani është hakmarrë duke qëlluar më shumë se 450 raketa dhe 1.000 dronë drejt Izraelit, sipas vlerësimeve të ushtrisë izraelite. Mbrojtja ajrore shumështresore e Izraelit ka rrëzuar shumicën e tyre, por të paktën 24 persona në Izrael janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Irani prej kohësh ka deklaruar se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, por është i vetmi shtet jo-bërthamor që pasuron uranium deri në 60% - një hap i shkurtër teknik larg nivelit 90 për qind të mjaftueshëm për armë bërthamore. Izraeli besohet gjerësisht të jetë i vetmi vend i Lindjes së Mesme me një program armësh bërthamore, por nuk e ka pranuar kurrë këtë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se operacioni ushtarak i Izraelit do të vazhdojë “për aq kohë sa të duhet” për të eliminuar atë që ai e ka quajtur kërcënimin ekzistencial të programit bërthamor të Iranit dhe arsenalit të raketave balistike.

S’ka datë për bisedime të reja

Bisedimet në Gjenevë të premten nuk arritën të sjellin ndonjë përparim. Zyrtarët evropianë kanë dhënë shpresë për diskutime të ardhshme. Ministri i jashtëm i Iranit ka thënë se ishte i hapur për dialog të mëtejshëm, duke theksuar se Teherani nuk kishte interes të negocionte me SHBA-në përderisa Izraeli vazhdon të sulmojë.

“Irani është gati të shqyrtojë përsëri diplomacinë, dhe sapo të ndalet agresioni dhe agresori të mbahet përgjegjës për krimet e kryera”, u ka thënë ai gazetarëve.

Nuk është caktuar ndonjë datë për një raund të ri bisedimesh.

Për shumë iranianë, përditësimet mbetën të vështira. Grupi i mbrojtjes për qasjen në internet “NetBlocks.org” ka thënë të shtunën se sërish ka rënie të internetit.

Më shumë sulme ndaj komandantëve ushtarakë iranianë

Sulmi i parë i Izraelit vrau tre nga udhëheqësit më të lartë ushtarakë të Iranit: mbikëqyrësin e forcave të armatosura - gjeneral Mohammad Bagheri; drejtuesin e Gardës Revolucionare paraushtarake - gjeneral Hossein Salami dhe udhëheqësin e programit të raketave balistike të Gardës - gjeneral Amir Ali Hajizadeh.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka thënë të shtunën se ushtria ka vrarë një komandant të Gardës Revolucionare i cili ka financuar dhe armatosur Hamasin në përgatitje të sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit që shkaktoi luftën 20-mujore në Gazë.

Zyrtarët iranianë nuk e kanë konfirmuar menjëherë vdekjen e Saeed Izadi, por zyra e guvernatorit të Qomit ka thënë se ka pasur sulm në një ndërtesë katërkatëshe dhe mediat lokale kanë raportuar se dy persona ishin vrarë.

Izraeli ka thënë gjithashtu se ka vrarë komandantin e njësisë së transferimit të armëve të Forcës Quds, që ishte përgjegjës për furnizimin me armë të Hezbollahut dhe Hamasit. Behnam Shahriyari u vra teksa udhëtonte në Iranin perëndimor, tha ushtria.

Irani kërcënon kreun e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së

Udhëheqësit iranianë kanë thënë se deklaratat e shefit të IAEA-së, Rafael Grossi, në lidhje me statusin e programit bërthamor të Iranit kanë nxitur sulmin e Izraelit.

Të shtunën, një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ali Khamanei, ka thënë në një postim në mediat sociale, pa dhënë hollësi, se Irani do ta detyrojë Grossin të “paguajë” sapo të mbarojë lufta.

Grossi, udhëheqës i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, paralajmëroi të premten në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër sulmeve ndaj reaktorëve bërthamorë të Iranit, veçanërisht centralit në qytetin jugor të Bushehrit.

“Në rast të një sulmi ndaj centralit bërthamor të Bushehrit, një goditje e drejtpërdrejtë do të rezultonte në një çlirim shumë të lartë të radioaktivitetit”, ka thënë Grossi. “Ky është vendi bërthamor në Iran ku pasojat mund të jenë më serioze”.

Izraeli nuk i ka synuar reaktorët bërthamorë të Iranit, por në vend të kësaj i ka përqendruar sulmet në objektin kryesor të pasurimit të uraniumit në Natanz, në punishtet e centrifugave pranë Teheranit, në laboratorët në Isfahan dhe në reaktorin e ujit të rëndë në Arak të vendit, në jugperëndim të kryeqytetit.

Irani më parë qe dakorduar të kufizonte pasurimin e uraniumit dhe t'u lejojë inspektorëve ndërkombëtarë qasje në vendet e tij bërthamore sipas një marrëveshjeje të vitit 2015 në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Por pasi presidenti amerikan Donald Trump tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja gjatë mandatit të tij të parë, Irani filloi të pasurojë uraniumin deri në 60% dhe të kufizojë qasjen në objektet bërthamore.

Irani ka këmbëngulur në të drejtën e tij për të pasuruar uranium - në nivele më të ulëta - në bisedimet e fundit mbi programin e tij bërthamor. Por Trump, ashtu si Izraeli, i ka kërkuar Iranit të përfundojë plotësisht programin e tij të pasurimit.

Irani arreston një gjerman për “spiunazh”

1 muaj më parë / 21 qer 2025 21:35
Irani

Irani ka arrestuar një shtetas gjerman të cilin e ka akuzuar për “spiunazh në zonat e ndjeshme ushtarake dhe bërthamore” sipas një raportimi nga televizioni shtetëror në Iran.

Ai është përshkruar si “gjerman hebre me dyshtetësi dhe spiun”. Sipas raportimeve, ai po mbahet në provincën Markazi. Zyrtarët kanë pretenduar se ai është i përfshirë në dhjetëra raste spiunazhi dhe sabotimi.

Sipas raportimit, gjermani ka hyrë në Iran “si turist”, por ka “incizuar zona të ndjeshme gjithandej shtetit”.

Në Iran ka pasur shumë arrestime së fundmi, që lidhen me sulmet e Izraelit. Shumë njerëz janë arrestuar në Markazi, Isfahan e Teheran lidhur me bashkëpunim me Izraelin që prej se ky shtet nisi të premten e shkuar sulmet ajrore ndaj bazave ushtarake e bërthamore të Iranit.

Dëgjohen shumë eksplodime në Teheran

1 muaj më parë / 21 qer 2025 20:36
Iran

Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Teheran të shtunën në mbrëmje, ka raportuar CNN-i nga terreni.

Shpërthimet u dëgjuan rreth orës 9:30 sipas kohës lokale në Iran. E këto shpërthime ndodhën menjëherë pas aktivizimit të sirenave alarmuese në zonën lindore dhe perëndimore të kryeqytetit.

Sipas raportimit, aktivitetet e luftimeve janë ashpërsuar dhe shpërthimet po dëgjohen në vazhdimësi.

Është dita e nëntë që Izraeli dhe Irani po shkëmbejnë sulme ajrore. Gjatë të shtunës, Izraeli ka njoftuar se goditur sërish zonat bërthamore të Iranit, ndërsa ka deklaruar po ashtu se i ka ndalur rreth 99 për qind të dronëve që Irani i ka nisur në drejtim të tij.

Raportohet se SHBA-ja i ka lëvizur bombarduesit e famshëm

1 muaj më parë / 21 qer 2025 18:53
B-2,

Ushtria amerikane ka nisur t’i lëvizë bombarduesit e rëndë ajrorë, B-2, nga toka amerikane në ishullin Guam në Paqësor, sipas dy zyrtarëve amerikanë që kanë folur për “Reutersin” të shtunën.

Ndërkohë mediumi tjetër prestigjioz amerikan, New York Times, ka raportuar se aeroplanët luftarakë janë larguar nga baza ushtarake në Missouri. 

Sipas komunikimeve të kontrollit të trafikut ajror, bombarduesit po shoqërohen nga cisterna me karburant.

Lëvizja vjen në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton mundësinë nëse SHBA-ja do të ndërhyjë ushtarakisht në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit.

Këta bombardues kanë kapacitet të jashtëzakonshëm. Ato kanë rreze veprimi prej mbi 6000 miljesh detare dhe kapacitet ngarkese prej mbi 18 tonësh për të mbajtur armë të ndryshme tradicionale dhe bërthamore.

Gjatë të shtunës dhe të dielës pritet që presidenti Trump të mbledhë Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Shtëpia e Bardhë nuk e ka konfirmuar lëvizjen e bombarduesve. 

Houthi kërcënon SHBA-në nëse e sulmon Iranin

1 muaj më parë / 21 qer 2025 17:58
Houthi-SHBA

Photo: Associated Press

Houthi, grupi militant në Jemen e i mbështetur nga Irani, ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se do t’ia sulmojnë anijet në Detin e Kuq në rast se ushtria amerikane do të përfshihet në sulmet në Iran.

“Nëse SHBA-ja përfshihet në çfarëdo sulmi dhe agresioni ndaj Iranit me armikun izraelit, forcat e armatosura do t’ua mësyjnë anijeve të saj në Detin e Kuq”, ka thënë zëdhënësi i Houthit në një video të publikuar.

Në maj, SHBA-ja dhe Houthit u dakorduan për armëpushim, ashtu që të ndalen sulmet ndaj anijeve në këtë det.

Houthit patën kryer sulme, siç ishte thënë, në shenjë solidariteti me palestinezët në Gazë.

Në kundërpërgjigje, ish-presidenti amerikan, Joe Biden nisi sulme ajrore ndaj Houthit, e që u intensifikuan pas ardhjes së Donald Trumpit.

Khamenei përzgjedh pasardhësit potencialë në rast se vritet

1 muaj më parë / 21 qer 2025 16:57
Ayatollah Ali Khamenei

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka përmendur tre klerikë si kandidatë për ta pasuar në rast se vritet, ka raportuar New York Times duke cituar tre zyrtarë iranianë.

Në rast të vdekjes së liderit suprem, kushtetuta e Iranit kërkon që Parlamenti i Ekspertëve, organ klerikal me 88-anëtarë, të zgjedhë pasuesin. Procesi është përdorur vetëm një herë që nga Revolucioni Islamik i 1979-s, kur Khamenei u zgjodh më 1989.

Sipas zyrtarëve, Khamenei ka kërkuar tranzicion të shpejtë në rast të vdekjes së tij.

Pas raportimeve të mëhershme se presidenti amerikan, Donald Trump, ka refuzuar planet e Izraelit për ta vrarë Khamenein, vetë Trumpi ka thënë se lideri suprem i Iranit “është cak i lehtë”.

“E dimë saktësisht se ku po fshihet i ashtuquajturi lider suprem”, ka shkruar Trumpi në “Truth Social” të martën. “Ai është cak i lehtë, por është i sigurt aty – nuk do ta heqim qafe, të paktën tani për tani”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, s’e ka përjashtuar mundësinë që Khamenei të jetë cak i luftës, duke thënë se vdekja e tij nuk do ta përshkallëzonte konfliktin, por do t’i jepte fund atij.

E ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, shkoi edhe më tej duke thënë se Khamenei nuk duhet të lihet të jetojë pasi një raketë iraniane goditi një spital në Izrael.

Irani konfirmon vdekjen e shkencëtarit të dhjetë bërthamor

1 muaj më parë / 21 qer 2025 16:41
Irani

Photo: Associated Press

Edhe një shkencëtar bërthamor ka vdekur në Iran, si pasojë e sulmeve të Izraelit. Numri i shkencëtarëve bërthamorë të vrarë ka mbërritur në 10.

Vdekja e shkencëtarit Isar Tabatabei Ghomsheh, u bë e ditur fillimisht nga Universiteti Sharif në Teheran.

Universiteti njoftoi se ai u vra javën e shkuar në shtëpinë e tij, krahas bashkëshortes Mansoureh Hajisalem.

Irani më herët pati konfirmuar vdekjen e nëntë shkencëtarëve të tjerë bërthamorë.

Ndërkohë mediumi izraelit “Channel 12” ka raportuar se Izraeli, nën operacionin “Narnia” ka vrarë 9 shkencëtarë bërthamorë iranianë në të njëjtën kohë dhe të dhjetin më vonë.

Izraeli pretendon se i ka rrëzuar 99% të dronëve iranianë

1 muaj më parë / 21 qer 2025 16:40
Çfarë ka ndodhur ditë pas dite në luftimet Iran-Izrael

Photo: Associated Press

Ushtria izraelite ka thënë se ka ndalur 99 për qind të dronëve iranianë të lëshuar në drejtim të Izraelit që nga fillimi i konfliktit mbi një javë më parë.

Sistemi i mbrojtjes ajrore ka rrëzuar më shumë se 470 dronë sulmi, ka thënë Forca e Mbrojtjes së Izraelit, përfshirë rreth 40 që u lëshuan gjatë natës së fundit.

Në një nga depërtimet e rralla, një dron goditi qytezën Beit Shean në veri të Izraelit të shtunën në mëngjes dhe një tjetër ra në një zonë të hapur.

Irani ka lëshuar mbi 1,000 dronë që nga fillimi i konfliktit, shumica prej të cilëve nuk arritën t’i përmbushnin objektivat ose janë ndaluar nga shtete të tjera.

Imazhet tregojnë dëmet që shkaktoi Izraeli mbi zonat bërthamore në Iran

1 muaj më parë / 21 qer 2025 15:23
isfahan

Ushtria izraelite ka publikuar imazhe që tregojnë dëmin në objektin bërthamor të Isfahanit në Iran, pas disa sulmesh.

Media britanike “BBC” i ka krahasuar këto imazhe me ato të marra nga “Maxar” dhe ka gjetur se ka pasur dëmtime të reja në disa objekte në pjesën veriore të zonës bërthamore.

Dëmi i ri është shkaktuar në shtatë struktura që duken se janë rrafshuar plotësisht.

Imazhet nga “Maxar” të marra më 14 qershor tregojnë qartazi dëmin në të paktën dy ndërtesa në pjesë të ndryshme të zonës. Por deri më këtë datë asnjëra strukturë nuk ishte shkatërruar plotësisht.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, Rafael Grossi, i ka thënë Këshillit të Sigurimit se “sulmet mbi zonat bërthamore në Republikën Islamike të Iranit kanë shkaktuar një degradim të theksuar në sigurinë bërthamore në Iran”.

Izraeli nis sulme të reja drejt infrastrukturës ushtarake të Iranit

1 muaj më parë / 21 qer 2025 14:43
teheran

Photo: Associated Press

Izraeli ka nisur sulme të tjera me cak infrastrukturën ushtarake në Iranin jugperëndimor, thanë nga Forca e Mbrojtjes izraelite.

“Avionët luftarakë aktualisht po kryejnë sulme me cak infrastrukturën ushtarakë në jugperëndim të Iranit”, ka thënë Avichay Adraee.

Mediat iraniane kanë raportuar shpërthime në Ahvaz dhe Bandar-e Mahshahr, në provincën Khuzestan.

Macron dakordohet me presidentin iranian për të shpejtuar negociatat mes Evropës dhe Iranit

1 muaj më parë / 21 qer 2025 14:20
Emmanuel Macron

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar të shtunën se gjatë bisedës telefonike me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, janë dakorduar për të shpejtuar dhe lehtësuar negociatat ndërmjet fuqive evropiane dhe Iranit rreth çështjes së programit bërthamor të vendit persik, ka shkruar The Guardian.

Macron ka thënë se i ka shprehur “shqetësime të thella” Pezeshkianit sa i përket programit bërthamor iranian.

“Gjithashtu shpreha shqetësimin tim të thellë për programin bërthamor të Iranit. Edhe këtu, qëndrimi im është i qartë: Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore, dhe i takon Iranit të japë garanci të plota se synimet e tij janë paqësore”, ka shkruar Macron.

“Jam i bindur se ekziston një shteg që i jep fund luftës dhe i shmang rreziqet më të mëdha. Për ta arritur këtë, ne do të përshpejtojmë negociatat e udhëhequra nga Franca dhe partnerët e saj evropianë me Iranin”, ka vazhduar ai.

Macron ka shtuar gjithashtu se i kishte përsëritur presidentit iranian kërkesën për lirimin dhe kthimin në Francë të dy shtetasve francez Cecile Kohler dhe Jacques Paris, duke e cilësuar ndalimin e tyre si “çnjerëzor” dhe “të padrejtë”.

Çifti ishte arrestuar në aeroportin e Teheranit në maj të vitit 2022, ndërsa prisnin të ktheheshin nga një pushim 14-ditor.

Ata janë akuzuar gjithashtu për spiunazh dhe po mbahen në burgun famëkeq Evin të Teheranit, në të cilin vuajnë dënimin turistë perëndimorë, persona me nënshtetësi të dyfishtë dhe të burgosur politikë që shpeshherë përdoren nga Teherani si mjet presioni në negociatat me Perëndimin.

Erdogan: Sulmet e Izraelit kanë për qëllim t’i sabotojnë bisedimet bërthamore

1 muaj më parë / 21 qer 2025 12:24
Erdogan

Photo: Associated Press

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë të shtunën se sulmet e Izraelit kundrejt Iranit kanë për qëllim sabotimin e bisedimeve bërthamore mes Republikës Islamike dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka raportuar The Guardian.

Sipas tij, këto veprime tregojnë qartazi se Izraeli nuk dëshiron që ta zgjidhë çështjen nëpërmjet mjeteve diplomatike.

Tek ka folur gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm në Stamboll, Erdogani u ka bërë thirrje shteteve që kanë ndikim mbi Izraelin të kërkojnë zgjidhje përmes dialogut, dhe të mos e lejojnë konfliktin që të zgjerohet.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje vendeve myslimane që të shtojnë përpjekjet e tyre për të vendosur masa ndëshkuese kundër Izraelit në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara.
 

Të paktën 430 persona janë vrarë në Iran që nga fillimi i konfliktit, njoftojnë autoritetet

1 muaj më parë / 21 qer 2025 12:19
Iran

Photo: Associated Press

Të paktën 430 persona janë vrarë dhe 3,500 janë plagosur në Republikën Islamike të Iranit që nga fillimi i konfliktit me Izraelin javën e kaluar, ka raportuar agjencia e lajmeve Nour, tek ka cituar Ministrinë iraniane të Shëndetësisë.

Ky është përditësimi i parë zyrtar mbi numrin e viktimave në Iran pas disa ditësh.

Të dielën e kaluar, në Ministrinë e Shëndetësisë së Iranit kishin njoftuar se të paktën 224 persona ishin vrarë, teksa një grup i të drejtave të njeriut e kishte vendosur numrin jozyrtar të viktimave në 657.

Ndërkohë, bilanci i të vdekurve në Izrael gjatë periudhës së njëjtë ka shkuar në 25.
 

Kryediplomati iranian paralajmëron: Përfshirja e SHBA-së do të ishte ‘shumë, shumë e rrezikshme’

1 muaj më parë / 21 qer 2025 11:57
Abbas Aragchi

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragchi, ka paralajmëruar të shtunën se përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit do të ishte “shumë, shumë i rrezikshëm”, ka raportuar BBC.

Ai ka pretenduar, ndonëse nuk ka ofruar prova konkrete, se “SHBA-ja ka qenë e përfshirë në agresionin e Izraelit që nga dita e parë”.

Krahas kësaj, Araghchi ka shtuar se vendi i tij “nuk mund të vazhdojë negociatat me SHBA-në, përderisa populli iranian bombardohet”, porse nuk e ka përjashtuar mundësinë për “zgjidhje të negociuar rreth programit bërthamor”.

“Diplomacia ka funksionuar në të kaluarën dhe mund të funksionojë përsëri në të ardhmen. Në mënyrë që ne t’i kthehemi përsëri rrugës diplomatike, agresioni duhet të ndalet”, ka thënë Aragchi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, veçse i ka aprovuar planet për të sulmuar Iranin më herët gjatë javës, porse i ka dhënë afat dyjavor udhëheqësisë së Republikës Islamike që ta braktisë zhvillimin e programit bërthamor. 

Luftimet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në ditën e nëntë. Izraeli po synon t’i shkatërrojë potencialin bërthamor Iranit.

Putin: I kemi thënë Izraelit se s’ka prova që Irani dëshiron të prodhojë armë bërthamore

1 muaj më parë / 21 qer 2025 10:55
Vladimir Putin

Photo: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se i kanë bërë vazhdimisht me dije Izraelit se s’ka prova që Irani ka për qëllim të prodhojë armë bërthamore.

“Si Rusia, ashtu dhe Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), nuk kanë pasur kurrë prova se Irani po përgatitet për të zotëruar armë bërthamore, gjë që ja kemi bërë me dije në vazhdimësi udhëheqësisë së Izraelit”, ka thënë Putin, sipas agjencisë e lajmeve “Sky News Arabia”.

Ai ka ritheksuar gatishmërinë e Rusisë për ta mbështetur Republikën Islamike në zhvillimin e një programi bërthamor me qëllime paqësore, tek ka shtuar se Teherani zyrtar ka të drejtën legjitime për ta bërë një gjë të tillë.

Teksa ka folur gjatë një forumi ekonomik të mbajtur në Shën Petersburg të premten, Putini ka thënë se Rusia ka ndarë disa ide se si duhet të ndalohet gjakderdhja në konfliktin Izrael-Iran, ndonëse s’ka ofruar detaje shtesë sa u përket këtyre ideve.

Irani do t’i vazhdojë bisedimet diplomatike në Stamboll

1 muaj më parë / 21 qer 2025 10:00
Abbas Aragchi

Pas takimit të mbajtur të premten së bashku me homologët e tij evropianë në Gjenevë të Zvicrës, kryediplomati iranian, Abbas Aragchi, ka udhëtuar për në Stamboll të Turqisë, me qëllimin për të vazhduar bisedimet diplomatike, ka shkruar BBC.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim ka raportuar se Aragchi ka mbërritur në Turqi në mëngjesin e së shtunës (sot) për t’u takuar me përfaqësues nga bota arabe.

“Në këtë takim, me sugjerimin e Iranit, çështja e sulmeve të regjimit zionist ndaj vendit tonë do të adresohet specifikisht”, ka thënë Araghchi.

Ndërkaq, luftimet po vazhdojnë edhe për ditën e nëntë me radhë, teksa ushtria izraelite ka njoftuar për një valë të re sulmesh kundër depove dhe infrastrukturës raketore në Republikën Islamike, disa orë pasi Irani kishte lëshuar raketa në drejtim të Izraelit qendror.

Krahas kësaj, shpërthime u dëgjuan po ashtu pranë Tel Avivit.

Irani arreston 22 “spiunë” të Izraelit

1 muaj më parë / 21 qer 2025 09:49
iran

Autoritetet policore në provincën Qom të Iranit kanë njoftuar të shtunën se 22 persona “të lidhur me shërbimet e spiunazhit të Izraelit” janë arrestuar që nga data 13 qershor, ka raportuar agjencia e lajmeve Fars.

“22 persona janë identifikuar dhe arrestuar me akuzat për lidhje me shërbimet e spiunazhit të regjimit zionist, tronditje të opinionit publik dhe mbështetje për regjimin kriminal”, thuhet në raportimin e Farsit, që ka cituar kreun e inteligjencës së policisë në provincën Qom.

Këto zhvillime kanë ndodhur pasi policia iraniane kishte njoftuar po ashtu për arrestimin e 24 personave nën akuzat e spiunazhit për Izraelin dhe përpjekje për ta njollosur imazhin e vendit.

Një shtetas evropian është gjithashtu në mesin e të arrestuarve për spiunazh, kanë raportuar mediat iraniane, pa dhënë kombësinë ose datën e arrestimit.

Organizata norvegjeze “Iran Human Rights” ka bërë të ditur se në periudhën e fundit të paktën 223 persona janë arrestuar në mbarë vendin për akuza të lidhura me bashkëpunim me Izraelin, duke paralajmëruar se shifra reale mund të jetë edhe më e lartë.

Ushtria izraelite thotë se ka vrarë edhe një komandant të Gardës Revolucionare të Iranit

1 muaj më parë / 21 qer 2025 09:05
Saeed Izadi

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë të shtunën se kanë vrarë komandantin veteran të Gardës Revolucionare Islamike, Saeed Izadi, gjatë sulmit ndaj një apartamenti në Qom të Iranit.

Komandanti veteran kishte udhëhequr Korpusin e Palestinës të Forcës Quds, sipas një deklarate të Katz që u citua nga agjencia Reuters.

Nuk ka pasur ende konfirmim nga ana e Gardës Revolucionare.

Forca Quds ka ndërtuar një rrjet aleancash të njohur si Boshti i Rezistencës, duke përfshirë themelimin e Hezbollahut në Liban në vitin 1982 dhe mbështetjen për grupin militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ky rrjet i lidhur me Iranin ka pësuar goditje të rënda gjatë dy vjetëve të fundit, pasi fushatat ushtarake të Izraelit kanë dobësuar ndjeshëm si Hamasin ashtu edhe Hezbollahun.

Katz ka shtuar se Izadi kishte financuar dhe armatosur Hamasin gjatë sulmeve të 7 tetorit, duke e përshkruar vrasjen e tij si një “arritje madhore për inteligjencën izraelite dhe Forcën Ajrore”.

Izadi ishte sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe për shkak të lidhjeve të tij të pretenduara me Hamasin dhe grupin militant palestinez Xhihadi Islamik.

Prej tetë ditësh kur kanë nisur sulmet, Izraeli ka vrarë disa prej komandantëve të lartë të Gardës Revolucionare.

Izraeli godet një nga objektet bërthamore më të mëdha të Iranit

1 muaj më parë / 21 qer 2025 08:38
iran

Irani dhe Izraeli shkëmbyen sulme të reja në orët e para të mëngjesit të së shtunës, teksa konflikti mes dy vendeve ka hyrë në ditën e tetë.

Agjencia iraniane e lajmeve Fars raportoi se Izraeli kishte shënjestruar një objekt bërthamor në Isfahan, një nga më të mëdhenjtë në vend, por se nuk ka pasur rrjedhje të materialeve të rrezikshme.

Mediat iraniane gjithashtu raportuan se Izraeli kishte sulmuar një ndërtesë në qytetin e Qomit, duke vrarë një fëmijë 16-vjeçar dhe duke plagosur dy persona të tjerë.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte kryer një valë sulmesh ndaj depozitave të raketave dhe vendndodhjeve të lëshimit të raketave në Iran.

Pak pas orës 2:30 të mëngjesit, sipas kohës lokale të Izraelit, ushtria izraelite paralajmëroi për një sulm me raketa nga Irani. U ndezën sirenat në të gjithë Izraelin qendror, përfshirë Tel Avivin, si dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Në qiellin mbi Tel Aviv u dëgjuan shpërthime që jehonin në të gjithë zonën metropolitane, ndërsa sistemet mbrojtëse të Izraelit reagonin.

Sirenat u dëgjuan gjithashtu në jug të Izraelit, njoftoi shërbimi kombëtar i emergjencës Magen David Adom. Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Irani kishte lëshuar pesë raketa balistike dhe se nuk kishte indikacione të menjëhershme se ndonjë prej tyre kishte goditur objektivin.

Nuk ka raportime fillestare për viktima në Izrael.