Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Ushtria amerikane ka bërë të ditur se ka goditur më shumë se 2,000 objektiva në Iran që nga nisja e fushatës së saj të përbashkët të bombardimeve me Izraelin, ndërsa, sipas saj, Irani ka lëshuar mbi 500 raketa balistike dhe më shumë se 2,000 dronë.

SHBA-ja dhe Izraeli po vazhdojnë të kryejnë sulme intensive kundër Iranit. Në një videodeklaratë, Admirali Brad Cooper, komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së, ka thënë se 24 orët e para të operacionit të tyre të përbashkët ishin pothuajse dyfishi i shkallës së sulmeve tronditëse dhe të frikshme që filluan Luftën e Irakut, të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me misionin që përfshin më shumë se 50,000 trupa, 200 avionë luftarakë, dy transportues aeroplanësh dhe bombardues, ai ka thënë se kjo përfaqëson "përforcimin më të madh nga SHBA-ja në Lindjen e Mesme në një brez".

Ai ka thënë se forcat amerikane kanë shkatërruar 17 anije iraniane, duke fundosur të gjithë marinën iraniane. Tani, ka shtuar ai, fokusi është "në goditjen e të gjitha gjërave që mund të na qëllojnë".

SHBA-ja dhe Izraeli thonë se kanë shënjestruar mbrojtjen ajrore të Iranit dhe qindra raketa balistike, raketa lëshuese dhe dronë.

Në orët e fundit, Izraeli ka thënë po ashtu se po kryen "një valë të gjerë sulmesh" ndaj Iranit, ndërsa njëkohësisht po sulmon Hezbollahun në Liban. Gjithashtu ka shtuar se mbrojtja e saj ajrore ka kapur më shumë raketa të lëshuara nga Irani dhe Libani.

Më shumë se 1,000 civilë të vrarë në Iran

18 min. më parë / 4 mar 2026 09:07
Iran

Photo: Associated Press

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA thotë se 1,097 civilë janë raportuar të vrarë në Iran që nga 28 shkurti.

Nga këta, 181 janë fëmijë nën moshën 10 vjeç, thotë agjencia. Numri i civilëve të plagosur ka arritur në 5,402, përfshirë 100 fëmijë, shton HRANA.

Ajo thotë se ka pasur të paktën 104 sulme vetëm në 24 orët e fundit. Ato kanë goditur baza ushtarake, qendra mjekësore dhe zona banimi, sipas HRANA.

Qindra vdekje të tjera të raportuara po shqyrtohen.

SHBA-ja dhe Izraeli kanë nisur mëngjesin e së shtunës sulme të përbashkëta ndaj Iranit, pasi nuk u arrit ndonjë marrëveshjeje në rundin e tretë të bisedimeve indirekte mes tyre, lidhur me programin bërthamor të Republikës Islamike. 

CIA synon armatosjen e forcave kurde për të nxitur kryengritje në Iran

29 min. më parë / 4 mar 2026 08:57
Donald Trump

Photo: Associated Press

Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, CIA, po punon për të armatosur forcat kurde me qëllim nxitjen e një kryengritjeje popullore në Iran, kanë thënë për CNN disa persona të njohur me planin.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka qenë në diskutime aktive me grupe opozitare iraniane dhe me liderë kurdë në Irak për t’u ofruar atyre mbështetje ushtarake.

Grupet e armatosura kurde iraniane kanë mijëra luftëtarë që veprojnë përgjatë kufirit Irak–Iran, kryesisht në rajonin e Kurdistanit të Irakut. Disa prej këtyre grupeve kanë publikuar deklarata që nga fillimi i luftës, duke u bërë thirrje forcave ushtarake iraniane të dezertojnë.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) ka ndërmarrë sulme ndaj grupeve kurde dhe ka njoftuar të martën se ka goditur forcat kurde me dhjetëra dronë.

Po të martën, presidenti Trump ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Partisë Demokratike të Kurdistanit të Iranit (KDPI), Mustafa Hijri. KDPI ishte një nga grupet e shënjestruara nga IRGC-ja.

Forcat opozitare kurde iraniane pritet të marrin pjesë në një operacion tokësor në Iranin perëndimor në ditët në vijim, ka thënë zyrtari i lartë kurd për CNN.

“Besojmë se tani kemi një mundësi të madhe”, ka thënë burimi, duke shpjeguar kohën e operacionit. Ai ka shtuar se milicitë presin mbështetje nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Trumpi gjithashtu ka telefonuar liderët kurdë të Irakut të dielën për të diskutuar operacionin ushtarak amerikan në Iran dhe mënyrat e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe kurdëve gjatë zhvillimit të misionit.

Çdo përpjekje për të armatosur grupet kurde iraniane do të kërkonte mbështetjen e kurdëve të Irakut, për të lejuar kalimin e armëve dhe përdorimin e Kurdistanit të Irakut si bazë nisjeje.

Një person i njohur me diskutimet ka thënë se ideja është që forcat e armatosura kurde të përballen me forcat iraniane të sigurisë dhe t’i mbajnë të angazhuara, në mënyrë që iranianët e paarmatosur në qytetet e mëdha të mund të dalin në protesta pa u masakruar, siç ndodhi gjatë trazirave në janar.

Një tjetër zyrtar amerikan ka thënë se kurdët mund të ndihmojnë në krijimin e kaosit në rajon dhe në shpërndarjen e burimeve ushtarake të regjimit iranian. Ide të tjera kanë përfshirë mundësinë që kurdët të marrin dhe të mbajnë territor në veri të Iranit, duke krijuar një zonë tampon për Izraelin.

Irani përgatitet për varrosjen e Khameneit, Izraeli kërcënon me vrasjen e pasardhësit të tij

38 min. më parë / 4 mar 2026 08:47
Ali Khamenei

Mediat shtetërore iraniane kanë raportuar të mërkurën se do të mbahet në Teheran një ceremoni mortore për udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.

Khamenei është vrarë kur filluan sulmet SHBA-Izrael të shtunën. Ceremonia pritet të fillojë sot, dhe do të zgjasë tri ditë para varrosjes, sipas mediave shtetërore.

New York Times raporton, duke cituar zyrtarë iranianë, se djali i Khameneit, Mojtaba Khamenei, ka dalë si kandidati kryesor për t'u bërë udhëheqësi i ri suprem, teksa vendimi mund të merret që në mëngjesin e së mërkurës.

E ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka njoftuar se çdo pasardhës që vazhdon "planin për të shkatërruar Izraelin, për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara" dhe "për të shtypur popullin iranian" do të jetë një "një objektiv i qartë për eliminim". 

Irani godet bazën ajrore amerikane në Katar

45 min. më parë / 4 mar 2026 08:41
Iran, Katar

Photo: Associated Press

Katari është vënë të mërkurën në shënjestër të dy raketave balistike iraniane, ka bërë të ditur ministria e tij e Mbrojtjes.

Njëra prej këtyre raketave është kapur nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit, dhe tjetra ka goditur bazën ajrore amerikane në Al Udaid - baza më e madhe amerikane në rajon.

Nuk ka pasur viktima, thotë Katari.

Ndërkohë, SHBA-ja ka bërë të ditur se që nga fillimi i ofensivës ndaj Iranit, bashkë me Izraelin kanë goditur rreth 2,000 objektiva atje.