Sulmet në mes të Izraelit dhe Iranit kanë vazhduar gjatë tërë natës, kur janë bërë fiks një javë që nga nisja e luftimeve mes dy shteteve.
Forcat izraelite të Mbrojtjes kanë kryer disa sulme, me cak disa zona në Teheran me më shumë se 60 avionë luftarakë.
Sulmi shënjestroi zonat ushtarake të prodhimit të raketave dhe një qendër kërkimi bërthamore, raportoi BBC.
Edhe Irani ka kundërsulmuar Izraelin, ku raportohet se ka goditur në jug të vendit.
Të premten, në Gjenevë ministrat e jashtëm evropianë do të takohen me homologun iranian, Abbas Araghchi, në tentim për të depërshkallëzuar krizat.
Nëse takimet shkojnë sipas planifikimeve, do të jenë të parat në tavolinë mes Teheranit dhe qeverive perëndimore që nga nisja e luftimeve.
Izraeli tha se e vrau, këshilltari kyç i Khameneit del me mesazh pas një jave: Jam gjallë
Ali Shamkhani, një figurë e lartë ushtarake dhe politike e Iranit, i cili u shpall i vdekur nga Izraeli javën e kaluar, është lajmëruar përmes një mesazhi duke thënë se është gjallë.
“Jam gjallë dhe i gatshëm ta sakrifikoj veten”, ka shkruar në mesazh Shamkhani drejtuar liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
“Fitorja është afër. Emri i Iranit do të shkëlqejë në histori si gjithmonë”, ka thënë tutje ai në mesazh ndërsa është publikuar nga mediat iraniane.
Shamkhani, këshilltar i afërt i Khameneit, u raportua i vdekur nga Izraeli dhe mediat iraniane pas sulmeve të 13 qershorit.
Ndërkohë të premten, mediat kanë raportuar se Shamkhani ka qenë i lënduar rëndë dhe në spital, por që tash është në gjendje stabile.
Shamkhani ka shërbyer si zyrtari më i lartë i sigurisë kombëtare të Iranit dhe ka mbajtur poste të larta në Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, si dhe në Ministrinë e Mbrojtjes.
I njohur mirë në rrethin e politikës së jashtme në Washington e Evropë, së fundmi ai ka shërbyer si këshilltar kyç për bisedimet aktuale të programit bërthamor me SHBA-në.
Ish-negociatori iranian: Ofensiva e Izraelit e shtyn Iranin drejt krijimit të bombës bërthamore
Irani nuk po planifikonte të prodhonte një bombë bërthamore, por ofensiva e Izraelit ka gjasa që t’i shtyjë liderët që ta zhvillojnë një, ka thënë ish-negociatori iranian i programit bërthamor, raportoi CNN.
Seyed Hossein Mousavian, ish-negociator gjatë bisedimeve mbi programin bërthamor me fuqitë botërore, ka thënë se Irani ka qenë transparent për programin e tij dhe i hapur për shqyrtim nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara. Ai ka shtuar se tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore e 2015-s me Iranin e fuqizoi idenë se “SHBA-ja dhe Izraeli do të sulmonin për të sjellë ndryshime në regjim”.
“Kjo narrativë po u tregon iranianë, e dini se çka? Edhe pse ka transparencë, edhe nëse të gjitha paqartësitë bërthamore zgjidhen, SHBA-ja dhe Izraeli do të sulmonin për të ndryshuar regjimin. ‘Prandaj ju iranianë, ju ju duhet mbrojtje bërthamore, që është bomba bërthamore.’ Mendoj se kjo është praktikisht çfarë po u thonë amerikanët dhe izraelitët iranianëve: bëjeni bombën si parandalimi më i mirë. Besoj se nëse kjo politikë vazhdon, Irani do ta zhvillojë bombën bërthamore”, ka thënë ai.
Mousavian shtoi se një “luftë mbi Iranin” nuk do të ishte efektive në ndalimin e programit bërthamor të tij.
“Më e mira është të shkohet sërish në diplomaci, në vend të luftës”.
Agjencia konfirmon dëmin në zonën bërthamore në Iran
Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike ka konfirmuar se sulmet izraelite në një zonë bërthamore të Iranit në ndërtim afër qytetit Arak kanë shkaktuar dëme në “ndërtesat kyçe”.
Avionët luftarakë të Izraelit bombarduan reaktorin e ujit të rëndë në Arak të enjten, edhe pse Agjencia ka thënë se objekti nuk kishte material bërthamor.
Reaktorët e ujit të rëndë përdorin një lloj uji kimikisht të dallueshëm si ftohës, raportoi BBC.
Reaktorët e tillë si në Arak mund të përdoren për qëllime shkencore.
Kreu i Agjencisë, Rafael Grossi, ka thënë se pavarësisht se nuk ka pasur “incident të madh radiologjik” nga sulmet izraelite, ka ende rrezik për një “aksident radiologjik”.
Kryediplomati iranian përjashton mundësinë për bisedime me SHBA-në
Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Aragchi, ka thënë të premten se udhëheqësit e Republikës Islamike nuk do të zhvillojnë bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi që, sipas tij, Amerika është “partnere në krimet e Izraelit kundër Iranit”, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Sipas Reutersit, Aragchi ka thënë para televizionit shtetëror iranian se “nuk ka hapësirë për negociata me neve derisa Izraeli ta ndalojë agresionin”.
Të enjten, burime diplomatike të afërta po ashtu me Reutersin, kishin kumtuar se i dërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe Aragchi, kishin biseduar disa herë në telefon qëkur Izraeli i filloi sulmet ushtarake në Iran javën e kaluar.
Sipas këtyre burimeve, të cilat folën në kushte anonimiteti mbi çështjen në fjalë, aludohet se Aragchi ia ka theksuar në vazhdimësi Witkoffit se Teherani zyrtar mund të tregojë fleksibilitet rreth çështjes së programit të tij bërthamor, por vetëm në rast se Washingtoni i bën presion Izraelit që t’i jap fund luftës.
Gjatë ditës së premte (sot) ministrat e jashtëm evropianë do të takohen me kryediplomatin iranian në Gjenevë të Zvicrës në përpjekje e sipër për ta depërshkallëzuar konfliktin.
Nëse takimet shkojnë sipas planit, ato do të jenë të parat në tavolinë mes Teheranit dhe qeverive perëndimore që nga nisja e luftimeve.
Rubio flet me homologët e tij: Irani s’duhet kurrë të zhvillojë ose zotërojë armë bërthamore
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar të enjten me ministrin e Jashtëm britanik David Lammy, si dhe ka zhvilluar biseda të ndara telefonike me homologët e tjerë nga Australia, Franca dhe Italia, për të diskutuar rreth luftës ndërmjet Izraelit dhe Iranit, raporton Reuters.
Në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH) kanë bërë të ditur se Rubio dhe ministrat e tjerë të Punëve të Jashtme janë pajtuar se “Irani nuk duhet kurrë të zhvillojë ose zotërojë armë bërthamore”.
Ndërkohë, Lammy ka shkruar në rrjetin social X se situata në Lindje të Mesme “vazhdon të jetë e rrezikshme” dhe se “një dritare tashmë ekziston që brenda dy javëve të ardhshme të arrihet zgjidhje diplomatike”.
Lufta ajrore midis Iranit dhe Izraelit – e cila filloi më datë 13 qershor kur shteti hebraik e sulmoi Teheranin – ka aktivizuar alarmin në mbarë rajonin që ishte në prag të një lufte të re që nga fillimi i fushatës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës në 2023-tën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të vendosë në dy javët e ardhshme nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfshihen ose jo në luftë, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë të enjten. Trumpi është duke e mbajtur botën në pritje, teksa qasja e tij mund të ndryshojë nga momenti në moment.
Në Shtëpinë e Bardhë kanë lajmëruar gjithashtu se presidenti amerikan do të marrë pjesë në një takim të Sigurisë Kombëtare të premten në mëngjes.
Izraeli, i cili është vendi i vetëm në rajonin e Lindjes së Mesme që besohet gjerësisht se posedon armë bërthamore, ka pretenduar se sulmi ndaj Iranit është bërë me qëllim për ta penguar Teheranin që të zhvillojë programin e tij bërthamor.
Nga ana tjetër, Irani, që sugjeron se programi i vet bërthamor është krejtësisht për qëllime paqësore e civile, është kundërpërgjigjur me sulme të reja në drejtim të Izraelit.
Të paktën 639 persona kanë humbur jetën, përfshirë 263 civilë, në Iran dhe më shumë se 1,300 janë plagosur, bazuar në të dhënat e një organizate iraniane për të drejtat e njeriut me seli në Washington.
Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar qindra raketa dhe dronë e duke lënë të vdekur të paktën 24 persona në Izrael e duke plagosur me qindra të tjerë.
Për Rusinë ndryshimi i regjimit në Iran është i papranueshëm
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të premten se planet për ndryshimin e regjimit në Republikën Islamike të Iranit janë “të papranueshme” dhe se vrasja e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, do të “hapte kutinë e Pandorës”, raporton The Guardian.
Këto komente të zëdhënësit rus janë bërë një ditë pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se Khamenei “nuk duhet të lejohet të ekzistojë më”.
Peskovi ka deklaruar për “Sky News” se Rusia do të reagonte “shumë negativisht” në rast se Ayatollahu vritet. “Situata është skajshmërisht e tensionuar dhe paraqet rrezik jo vetëm për rajonin, por për të gjithë globin”.
Megjithatë, Peskovi s’e ka theksuar se cila do të ishte përgjigja e Rusisë në qoftë se Khamenei vritet, porse bëri të ditur se do të nxiste një përgjigje “nga brenda Iranit”.
“Do të shkaktonte lindjen e rrymave ekstreme brenda Iranit dhe ata që po flasin (për ta vrarë liderin suprem), duhet ta mbajnë në mend këtë. Ata do ta hapin kutinë e Pandorës”, ka shtuar Peskov.
Të enjten, presidenti amerikan, Donald Trump, kishte thënë se do të vendoste për ta sulmuar ose jo Republikën Islamike në dy javët e ardhshme.
Ministri izraelit i përgjigjet Hezbollahut: Do të fshiheni nga faqja e dheut nëse përfshiheni
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Hezbollahut do të fshihet nga faqja e dheut nëse organizata nga Libani sulmon Izraelin në mbështetje të Iranit.
Sekretari i përgjithshëm i grupit militant Hezbollah, Sheikh Naim Qassem, ka thënë të enjten se grupi “do të veprojë siç e sheh të përshtatshme” në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
“Sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut nuk po e merr mësimin nga paraardhësit e tij dhe po kërcënon të veprojë kundër Izraelit në përputhje me urdhrat e diktatorit iranian. Unë sugjeroj që grupi libanez të jetë i kujdesshëm dhe të kuptoj se Izraeli e ka humbur durimin me terroristët që e kërcënojnë. Nëse do të ketë terrorizëm, nuk do të ketë Hezbollah”, ka shkruar Katz në X.