Një stuhi që po afrohet drejt Filipineve është përshkallëzuar në statusin e super tajfunit, ndërkohë që një prej rajoneve ishullore tashmë po përballet me “kushte kërcënuese për jetën”.
Sipas shërbimit meteorologjik të vendit, Pagasa, tajfuni Fung Wong pritet të sjellë erëra të fuqishme me shpejtësi deri në 185 km/h dhe reshje të dendura shiu në disa zona të vendit të dielën.
Ishulli Catanduanes, që ndodhet në brigjet lindore të Luzonit, ishte i pari që u godit drejtpërdrejt nga stuhia mëngjesin e së dielës.
Tajfuni Fung Wong, i njohur në Filipine si Uwan, vjen vetëm pak ditë pasi stuhia Kalmaegi shkaktoi shkatërrime të mëdha dhe la pothuajse 200 persona të vdekur.
Disa shkolla kanë anuluar mësimet e së hënës ose i kanë kaluar ato në formë online, ndërsa Philippine Airlines ka anuluar një sërë fluturimesh lokale përpara mbërritjes së tajfunit.
Autoritetet paralajmërojnë se tajfuni pritet të dobësohet ndjeshëm pas hyrjes në tokë, por do të mbetet i fuqishëm ndërsa kalon mbi ishullin Luzon.