Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te, ka thënë të premten se shpreson që shpenzimet në fushën e mbrojtjes të arrijnë deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) para vitit 2030, duke e rritur objektivin për forcimin e buxhetit ushtarak të ishullit autonom – kërkesë kjo e kahmotshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Një ditë më parë, Qeveria tajvaneze ka njoftuar se buxheti për mbrojtjen për vitin e ardhshëm do të arrijë në 3.32 për qind të PBB-së, për t’u përafruar me atë që është përshkruar si “modeli i NATO-s”.
Ky vendim është marrë në kohën kur Kina, e cila e konsideron Tajvanin si territorin e saj, ka rritur presionin ushtarak dhe politik gjatë pesë viteve të fundit për të realizuar pretendimet.
Paralelisht, Tajvani përballet gjithashtu me thirrje nga Washingtoni për të rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes, duke e pasqyruar presionin e ngjashëm që Shtetet e Bashkuara e kanë ushtruar mbi Evropën, raportoi Reuters.
Gjatë vizitës në një bazë detare në bregun verilindor të Tajvanit, Lai ka thënë se kërcënimet nga Kina janë rritur në vitet e fundit dhe se ai shpreson që shpenzimet për mbrojtjen, sipas standardeve të NATO-s, të arrijnë deri në 5 për qind të PBB-së para vitit 2030.
“Kjo jo vetëm që tregon vendosmërinë e vendit tonë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të mbrojtur demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”, ka theksuar ai.
“Kjo gjithashtu tregon gatishmërinë tonë për të qëndruar krah për krah me komunitetin ndërkombëtar dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin e Indo-Paqësorit”.
Lai ka shtuar ndër të tjera se Qeveria do të shtyjë përpara bashkëpunimin me “aleatët ndërkombëtarë” në kërkimin dhe zhvillimin e armëve si dhe në prodhimin e tyre, porse s’ka ofruar detaje shtesë.