Një takim mes ministrit të Jashtëm të Iranit dhe top-diplomatëve evropianë të premten ka ngjallur shpresë për më shumë bisedime, por nuk ka dhënë asnjë përparim konkret, kur sulmet mes Izraelit dhe Iranit kanë hyrë në javën e dytë.
Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, si dhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, kanë mbajtur bisedime në Gjenevë të Zvicrës me ministrin iranian, Abbas Araghchi, të premten.
Ishte hera e parë që zyrtarët perëndimorë dhe iranianë u takuan përballë njëri-tjetrit që nga nisja e konfliktit.
“Rezultati i mirë sot është se largohemi me përshtypjen se pala iraniane është thellësisht e gatshme për të biseduar për të gjitha çështjet e rëndësishme”, ka thënë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul. Ai ka thënë se të dyja palët kanë pasur “bisedime shumë serioze”.
Ndërkohë, sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, ka thënë se janë të vendosur të vazhdojnë diskutimet e negociatat me Iranin. “Dhe i bëjmë thirrje Iranit të vazhdojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne ishim të qartë: Irani nuk mund të ketë armë bërthamore”, ka shtuar ai.
“Operacionet ushtarake mund ta ngadalësojnë programin bërthamor të Iranit, por në asnjë mënyrë s’mund ta eliminojnë atë”, ka thënë ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot. “E dimë mirë – pas asaj që kemi parë në Afganistan, Irak e Libi – se sa iluzionare dhe e rrezikshme është që të duash të imponosh ndryshim regjimi nga jashtë”.
Barrot ka thënë po ashtu se shtetet evropiane “kanë ftuar ministrin iranian të angazhohet në negociata me të gjitha palët, përfshirë Shtetet e Bashkuara e madje pa pritur përfundimin e sulmeve”.
Ministri francez ka shpjeguar se në bisedimet me Iranin, ministri Araghchi është pajtuar “që të gjitha çështjet të vendosen në tavolinë, përfshirë diçka që nuk ishin më herët” dhe se “është vënë në dispozicion për të vazhduar bisedimet – që u nisën sot – dhe që evropianët të ndihmojnë lehtësimin e ture, përfshirë edhe me Shtetet e Bashkuara”.
E shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se janë dakorduar “që të diskutojmë çështjet bërthamore, por edhe më të gjera, dhe që diskutimet të mbeten të hapura”.
Edhe ministri iranian u është adresuar gazetarëve pas bisedimeve në hotel. Ai ka shprehur mbështetje për vazhdim të diskutimeve dhe ka shprehur gatishmërinë “për takime të tjera në të ardhmen e afërt”. Më pas ka dënuar sulmet e Izraelit mbi zonat bërthamore në Iran dhe ka shprehur “shqetësim të thellë” në atë që e ka quajtur “mosdënim” nga shtetet evropiane.
