Shifrat e bazës së të dhënave të Ushtrisë izraelite kanë treguar se 5 prej 6 palestinezë të vrarë nga fushata ushtarake në Rripin e Gazës kanë qenë civilë, shkallë ekstreme e cila vështirë se mund të barazohet me luftërat e tjera të dekadave të fundit.
Deri në muajin maj, zyrtarët e inteligjencës izraelite kanë listuar emrat e 8900 luftëtarëve të grupit militant palestinez Hamas dhe të Xhihadit Islamik si të vdekur ose “me gjasë të vdekur”, bazuar në hulumtimin e përbashkët të gazetës britanike “The Guardian”, magazinës izraelito-palestineze “+972” dhe tabloidit në gjuhën hebraike “Local Call”.
Deri atë kohë, 53,000 palestinezë ishin vrarë si pasojë e sulmeve të Izraelit, bazuar në shifrat e ofruara nga autoritetet shëndetësore në Rripin e Gazës, bilanc ky që përfshin si luftëtarët njashtu dhe civilët. Luftëtarët e grupeve militante të lartcekura përbëjnë vetëm 17 për qind të totalit, gjë që tregon se 83 përqindëshi tjetër ishin civilë.
Ky raport ndërmjet civilëve dhe luftëtarëve të vdekur është tej mase i lartë për konfliktet bashkëkohore, edhe kur krahasohet me konfliktet e tjera si luftërat civile në Siri e Sudan.
“Kjo përqindje e civilëve mes të vrarëve është jashtëzakonisht e lartë, veçanërisht pasi që kjo ka ndodhur për një kohë kaq të gjatë”, ka thënë Therese Pettersson prej “Uppsala Conflict Data Program” (UCDP), organizatë e cila evidenton viktimat civile në mbarë botën. “Nëse veçon një qytet ose betejë të caktuar në ndonjë konflikt tjetër, atëherë mund të lokalizosh shifra të ngjashme, mirëpo në raste shumë të rralla”.
Në konfliktet botërore të regjistruara nga UCDP-ja që prej vitit 1989, civilët e kishin mbizotëruar përqindjen e të vdekurve vetëm në Srebrenicë – ndonëse jo në luftën e Bosnjës në përgjithësi – në gjenocidin e Ruandës, si dhe gjatë rrethimit të Mariupolit nga trupat ruse në vitin 2022, ka theksuar Pettersson.
Shumë studiues të fushës së gjenocidit, avokatë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut, përfshirë intelektualë izraelitë dhe grupe të ndryshme, kanë argumentuar se Izraeli ka kryer gjenocid në Gazë, teksa kanë cituar vrasjet në masë të madhe të civilëve dhe krizën e urisë.
Ushtria izraelite s’e ka kundërshtuar ekzistencën e kësaj baze të të dhënave ose listën e militantëve të vrarë nga radhët e Hamasit dhe Xhihadit Islamik kur u pyet për koment nga “Local Call” dhe “+972 Magazine”.
E kur gazeta britanike “The Guardian” ka kërkuar komente shtesë lidhur me këtë çështje, një zëdhënës i Ushtrisë ka thënë se ata kanë vendosur që ta “rifrazojnë” përgjigjen e tyre. Në këtë përgjigje është thënë se “shifrat nuk janë të sakta” pa specifikuar ndonjë detaj tjetër.