Të paktën 60 palestinezë, përfshirë fëmijë janë vrarë në një valë sulmesh izraelite në Gazë të martën në mbrëmje, ka njoftuar agjencia e Mbrojtjes Civile dhe spitalet e drejtuara nga Hamasi.
Izraeli ka kryer sulmet në përgjigje të asaj që e ka quajtur shkelje nga Hamasi të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka akuzuar Hamasin për një sulm në Gazën jugore që vrau një ushtar izraelit të martën dhe për shkelje të kushteve për kthimin e trupave të pengjeve të vdekura.
Hamasi pretendon se nuk kishte "asnjë lidhje" me sulmin dhe këmbënguli se ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbajtur qëndrimin se "asgjë" nuk do të rrezikonte armëpushimin, por ka shtuar se Izraeli duhet të "kundërsulmojë" kur ushtarët e tij të jenë në shënjestër.
Sulmet izraelite goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në Qytetin e Gazës dhe Beit Lahia në veri të Gazës, Bureij dhe Nuseirat në qendër, dhe Khan Younis në jug, sipas dëshmitarëve dhe ndihmësve të parë.
Arrin në mbi 100 numri i të vdekurve nga sulmet izraelite në Gazë
Të paktën 104 palestinezë kanë mbetur të vrarë në një valë sulmesh izraelite në Gazë të martën në mbrëmje, ka bërë të ditur ministria e Shëndetësisë e territorit e drejtuar nga Hamasi.
Ushtria izraelite ka thënë se ka goditur "dhjetëra objektiva terroristësh dhe po ashtu terroristë" në përgjigje të shkeljeve nga Hamasi të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Isral Katz, akuzoi Hamasin për një sulm në Gazë që vrau një ushtar izraelit dhe për shkelje të kushteve për kthimin e trupave të pengjeve të vdekura. Hamasi tha se nuk kishte "asnjë lidhje" me sulmin dhe ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka komentuar rikthimin e sulmeve duke thënë se "asgjë" nuk do të rrezikonte armëpushimin, por ka shtuar se Izraeli duhet të "kundërsulmojë" kur ushtarët e tij të jenë në shënjestër.
Ushtria izraelite ka thënë të mërkurën se armëpushimi është rikthyer pas sulmeve të së martës.
Rikthehet armëpushimi në Gazë pas sulmeve që lanë të paktën 80 të vrarë
Ushtria izraelite ka thënë të mërkurën se armëpushimi është rikthyer në Gazë, pasi kreu sulme të rënda ajrore në të gjithë territorin palestinez që lanë të vdekur të paktën 81 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, sipas spitaleve lokale.
Sulmet - më vdekjeprurëset që nga armëpushimi i miratuar më 10 tetor, shënuan sfidën më serioze për armëpushimin e brishtë deri më sot.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të martën se kishte urdhëruar ushtrinë të kryente "sulme të fuqishme" mbi Gazë, pasi akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit. Hamasi ka thënë në përgjigje se do të vononte dorëzimin e trupit të një pengu tjetër, raporton AP.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, aktualisht në një udhëtim në Azi, mbrojti sulmet, duke thënë se Izraeli ishte i justifikuar në kryerjen e tyre pas asaj që ai e quajti një incident në të cilin Hamasi vrau një ushtar izraelit gjatë një shkëmbimi zjarri në Rafah, qyteti më jugor në Gazë.
Hamasi ka mohuar çdo përfshirje në atë sulm vdekjeprurës dhe nga ana tjetër akuzoi Izraelin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Izraeli pretendon se Hamasi po inskenon zbulimin e mbetjeve të pengjeve në Gazë
Izraeli ka publikuar një video për të cilën pretendon se Hamasi duket duke bërë organizimin e zbulimit të mbetjeve mortore të një pengu në Gazë.
Eshtrat e pjesshme të kthyera në Izrael të hënën u identifikuan si të Ofir Tzarfatit.
Tzarfati ishte rrëmbye gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, i cili u bë shkaktar që të niste lufta, e në të cilin militantët vranë rreth 1,200 njerëz atë ditë dhe morën 251 pengje.
Tzarfati ishte vrarë në robëri dhe trupi i tij ishte marrë nga trupat izraelite në nëntor 2023.
Në mars 2024, familja e tij kishte marrë mbetje shtesë për varrim.
Videoja e publikuar nga Izraeli tregon një qese të bardhë kufomesh që hidhet nga një ndërtesë e dëmtuar në një zonë të gërmuar.
Tre burra të maskuar shihen duke varrosur qesen e kufomës përpara se makineritë e rënda ta zhvendosin atë në një zonë aty pranë, ku varroset për herë të dytë.
Hamas are lying about our hostages and here’s the proof:
— Israel Defense Forces (@IDF) October 28, 2025
Yesterday, Hamas terrorists were filmed removing body remains from a prepared structure and re-burying them nearby, before summoning Red Cross representatives to stage a false “discovery” for photographers.
Despite… pic.twitter.com/c9CkJo3msW
Burrat më pas e gërmojnë atë përpara se të bëhen foto të qeses së kufomës. Njerëz të veshur me jelekë të kuq mund të shihen duke vëzhguar.
Associated Press ka analizuar pamjet dhe ka konfirmuar vendndodhjen e saj. Megjithatë, nuk ka mundur të konfirmonte datën ose orën e saktë kur u filmua ose nëse mbetjet mortore ishin në fakt brenda qeses së trupit.
“Ky filmim tregon qartë se organizata terroriste Hamas po përpiqet të krijojë një përshtypje të rreme për përpjekjet për të gjetur trupat, ndërsa në fakt mban pengje të vdekur, mbetjet e të cilëve refuzon t’i lirojë siç kërkohet nga marrëveshja”, ka thënë ushtria izraelite në një deklaratë.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian, e ka quajtur skenën një “mashtrim të turpshëm” dhe ka thënë se qesja e kufomave përmbante mbetjet e pjesshme të Tzarfatit.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka konfirmuar në një deklaratë me shkrim se një ekip ishte i pranishëm “me mirëbesim” dhe nuk ishte në dijeni të rrethanave që çuan në zbulimin e mbetjeve.
“Është e papranueshme që u inskenua një rikuperim i rremë, kur kaq shumë varet nga respektimi i kësaj marrëveshjeje dhe kur kaq shumë familje ende presin me padurim lajme për të dashurit e tyre”, ka thënë Sarah Davies, një zëdhënëse e KNKK-së.
Trumpi thotë se armëpushimi në Gazë nuk është në rrezik
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se armëpushimi në Gazë nuk është në rrezik, pavarësisht sulmeve ajrore të Izraelit të martën në mbrëmje, e të cilat kanë lënë të vdekur të paktën 60 persona, sipas autoriteteve palestineze.
Aeroplanët izraelitë kanë goditur me sulme enklavën, teksa Izraeli dhe Hamasin kanë fajësuar njëri-tjetrin për shkeljet e armëpushimit.
"Siç e kuptoj unë, ata vranë një ushtar izraelit," u ka thënë Trump gazetarëve në bordin e Air Force One, rrugës për në Korenë e Jugut, në kuadër të turneut të tij pesëditor në Azi.
"Pra, izraelitët u kundërpërgjigjën dhe duhet të kundërpërgjigjen. Kur kjo të ndodhë, ata duhet të kundërpërgjigjen”, ka shtuar presidenti amerikan.
Ushtria izraelite ka konfirmuar vdekjen e ushtarit të mërkurën.
"Asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin”, ka deklaruar Trumpi.
“Duhet ta kuptoni që Hamasi është një pjesë shumë e vogël e paqes në Lindjen e Mesme dhe ata duhet të sillen mirë”.
Sulmet izraelite pasuan një deklaratë nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, e cila tha se ai kishte urdhëruar "sulme të fuqishme" të menjëhershme.
Një zyrtar ushtarak izraelit ka thënë se Hamasi kishte shkelur armëpushimin duke kryer një sulm kundër forcave izraelite që ishin të stacionuara brenda të ashtuquajturës “vijë e verdhë”, vija e vendosjes e rënë dakord në armëpushim.
Turqia ka reaguar të martën duke thënë se sulmet e ripërtërira të Izraelit në Gazë përbënin shkelje të armëpushimit dhe se qeveria izraelite duhet të shtyhet nga fuqitë botërore që t'i përmbahet plotësisht marrëveshjes dhe t'i japë fund "politikës së saj të gjenocidit".
Izraeli ka mohuar fuqimisht se veprimet e tij në Gazë përbëjnë gjenocid dhe thotë se ato justifikohen si vetëmbrojtje. Izraeli po lufton një padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë që e akuzon atë për gjenocid.
Marrëveshja e armëpushimit e mbështetur nga SHBA-ja ka hyrë në fuqi më 10 tetor, duke ndaluar dy vjet luftë të shkaktuar nga sulmet vdekjeprurëse të udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.