Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur pas të shtënave dhe shpërthimeve të fuqishme që kanë ndodhur mëngjesin e së mërkurës në lagjen “Lerchenauer Straße”, në pjesën veriore të Munchenit.
Hetimet fillestare dyshojnë se autori kishte mbushur me eksploziv shtëpinë e prindërve të tij, i kishte vënë zjarrin dhe më pas kishte kryer vetëvrasje. Zona është izoluar në një perimetër të gjerë, ndërsa tymi i madh ka qenë i dukshëm që në orët e para të ditës.
Forcat e sigurisë, përfshirë njësitë speciale, zjarrfikësit dhe ekspertët piroteknikë, janë angazhuar në vendngjarje për të mbledhur prova dhe për të siguruar rrethinën. Policia ka njoftuar se operacioni është ende në zhvillim dhe se po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Shefi i policisë, Thomas Schelshorn, deklaroi për mediat se qytetarët nuk janë në rrezik dhe se ngjarja nuk ka asnjë lidhje me festivalin tradicional Oktoberfest, i cili po zhvillohet në qytet.
Mbyllet “Oktoberfesti”
Festivali i birrës, “Oktoberfest”, është mbyllur përkohësisht të mërkurën paradite shkaku i të shtënave në një zonë rezidenciale në lagjen “Lerchenau” në pjesën veriore të Munchenit.
Megjithëse sulmi nuk besohet se ka lidhje me festivalin, Policia ka thënë se hapja e “Oktoberfestit” do të shtyhet për disa orë derisa të qartësohet situata.
Gjatë të shtënave dhe shpërthimeve, një person ka mbetur i vdekur, që dyshohet se ka kryer vetëvrasje dhe një tjetër është plagosur.
“Oktoberfesti” ka nisur më 20 shtator dhe zgjat deri më 5 tetor.