Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Të shtëna në senatin e Filipineve teksa arrestohet një senator

Filipine

Foto: Associated Press

Një breshëri të shtënash me armë zjarri janë dëgjuar të mërkurën në mbrëmje në Senatin e Filipineve, ku autoritetet po përpiqeshin të arrestonin një senator që kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICC) për akuzën e krimeve kundër njerëzimit, kanë thënë një gazetar i Associated Press dhe dëshmitarë të tjerë.

Nuk është ende e qartë se çfarë i shkaktoi të shtënat apo nëse kishte të lënduar në Senat, ku senatori Ronald dela Rosa po qëndronte nën mbrojtjen e senatorëve aleatë, ndërsa autoritetet filipinase përpiqeshin ta arrestonin dhe mundësisht ta dorëzonin më vonë në Gjykatë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Presidenti i Senatit, Alan Cayetano, ka thënë para gazetarëve në Senat se ishte informuar nga sigurimi i ndërtesës se ishin dëgjuar të shtëna, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Të hënën, Gjykata ka publikuar urdhrin e arrestit për dela Rosa, ish-shef i policisë kombëtare, i cili kishte zbatuar fushatën kundër drogës të ish-presidentit Rodrigo Duterte, gjatë së cilës u vranë mijëra persona, kryesisht të dyshuar për krime të vogla.

Urdhri i arrestit, i lëshuar fillimisht në nëntor, e akuzon dela Rosan për krimin kundër njerëzimit, për vrasjen e “jo më pak se 32 personave” midis korrikut 2016 dhe fundit të prillit 2018, periudhë gjatë së cilës ai drejtoi policinë kombëtare nën administratën Duterte.

Dela Rosa, 64 vjeç, është zotuar se do ta luftojë urdhrin e arrestit të Gjykatës dhe ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje mbështetësve të tij të mblidhen në Senat të mërkurën në mbrëmje për të parandaluar atë që ai e ka quajtur "arrestim të afërt".

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit tentuan ta arrestonin dela Rosa edhe të hënën, por ai arriti të vraponte drejt sallës plenare të Senatit dhe kërkoi ndihmën e senatorëve të tjerë. Cayetano deklaroi atëherë se do t’i padiste agjentët qeveritarë të përfshirë për shpërfillje të Senatit.