Në kufirin mes Bosnjës dhe Kroacisë, dhjetëra refugjatë përballen çdo ditë me dhunë, pasiguri dhe pengesa të vazhdueshme në përpjekjen e tyre për të arritur në Bashkimin Evropian. Të bllokuar në kushte të vështira dhe shpesh të kthyer me forcë, historitë e tyre zbulojnë një realitet të ashpër të rrugës së migrimit në Ballkan
Të gjithë mbiemrat janë mbajtur të fshehtë për të mbrojtur identitetin e emigrantëve gjatë proceseve të tyre të azilit. Disa emra janë ndryshuar me kërkesë të vetë personave.
Ata vijnë nga vende të ndryshme: Afganistani, Egjipti, Maroku, Pakistani, Siria dhe Sudani. Por kanë një qëllim të përbashkët - të arrijnë në territorin e Bashkimit Evropian.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPër momentin, refugjatët dhe emigrantët presin në Bihaç, një qytet i vogël në Bosnjë-Hercegovinë, pranë kufirit me Kroacinë. Ndërkohë që BE-ja po përpiqet të reformojë sistemin e saj të azilit këtë vit, shpresat e tyre për të gjetur strehim në Evropë po zbehen.
Bosnja nuk është anëtare e BE-së, ndërsa Kroacia po.
Nën mbulesën e pyjeve të ashpra të Ballkanit, shumë emigrantë kthehen me forcë në Bosnjë nga autoritetet kroate, një praktikë që organizatat për të drejtat e njeriut e konsiderojnë si kthim të paligjshëm. Sipas ligjit ndërkombëtar, çdo person që arrin në një kufi ka të drejtë të kërkojë azil dhe të qëndrojë në vend derisa kërkesa e tij të shqyrtohet.
Por emigrantët thonë se kjo mundësi u mohohet. Në vend të kësaj, ata dërgohen me forcë pas kufirit: shpesh të mavijosur, pa telefona dhe rroba të dimrit, të detyruar të nisin sërish udhëtimin.
Në më shumë se dhjetëra dëshmi për Al Jazeera, emigrantët tregojnë vazhdimisht për dhunë fizike dhe grabitje nga ana e autoriteteve kroate.
“Të gjithë këtu kanë një histori”, thotë me keqardhje Hamidi, 54 vjeç, me sytë e tij të thellë që mbushen me lot. “Njerëzit më thonë se jeta ime duhet të bëhet film”.
Hamidi nga Maroku synon të arrijë te djali i tij Iljasi në Francë, por përballet me një problem: gjunjët. Dy vjet më parë, ai thotë se policia boshnjake e rrahu dhe ia theu gjurin, duke e lënë me aftësi të kufizuara përgjithmonë.
Ai nuk dëshiron të japë shumë detaje për ngjarjen, duke thënë vetëm se kishte ndërhyrë kur pa oficerët duke sulmuar një tjetër emigrant.
Al Jazeera ka kontaktuar autoritetet boshnjake, por nuk ka marrë përgjigje.
Që atëherë, Hamidi ka mbetur i bllokuar në Bihaç, duke fjetur në parqe dhe ndërtesa të braktisura. Ai thotë se nuk shoqërohet me emigrantë të tjerë dhe preferon të kalojë ditët vetëm në një stol parku, për shkak të traumës që ka përjetuar. Megjithatë, ai vazhdon të planifikojë rrugën drejt Evropës. Ka katër vjet që përpiqet.
Udhëtime të rrezikshme
Udhëtimi në këmbë nga Bosnja drejt Kroacisë është shumë i rrezikshëm, duke kaluar lumenj të akullt dhe male të mbuluara me borë. Shumica e emigrantëve dështojnë, duke tentuar kalimin pesë ose gjashtë herë para se të kthehen sërish në Bihaç. Të tjerë nuk kthehen kurrë, duke u mbytur në lumenjtë Una dhe Sava ose duke humbur jetën gjatë përballjeve me autoritetet kroate.
Në vitin 2025, të paktën 22 emigrantë rezultojnë të zhdukur përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor - një itinerar që përfshin Greqinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjën. Megjithatë, ky numër mendohet të jetë shumë më i lartë, pasi varet nga raportimet e familjarëve dhe njohja e vendndodhjes së fundit të të afërmve të tyre.
Në shkurt, Abduli, 29 vjeç nga Pakistani, hasi trupin e pajetë të një tjetër emigranti pakistanez në pyll, gjatë përpjekjes për të kaluar në Kroaci. Ai e fotografoi trupin dhe u largua, pasi duhej të fshihej nga rojat kroate. Tri ditë më vonë u kap rreth 100 kilometra brenda territorit dhe u kthye me forcë në Bosnjë.
“Policia kroate më mbajti për 24 orë dhe më rrahu. Nuk më lanë të përdor banjën dhe nuk më dhanë ushqim. Pastaj më morën të gjitha paratë dhe më lanë vetëm në pyll”, rrëfen Abduli për Al Jazeera.

Deri në momentin e publikimit, autoritetet kroate nuk kanë dhënë përgjigje ndaj kërkesës për koment.
Një mbështetës i zëshëm i ish-kryeministrit Imran Khan, i arrestuar sipas shumë organizatave të të drejtave të njeriut mbi akuza të fabrikuara, Abduli thotë se i frikësohet hakmarrjes nga qeveria aktuale. Ai kaloi dy muaj duke përshkuar malet e Iranit i vetëm, përpara se të arrinte në Turqi, ku punoi për një vit. Më pas vazhdoi rrugëtimin, duke kaluar në këmbë përmes Bullgarisë dhe Serbisë për të arritur në Bosnjë – një rrugë gjithnjë e më e zakonshme për afganët dhe pakistanezët.
Gjatë kulmit të krizës së refugjatëve nga lufta civile në Siri, Bihaçi ishte i mbushur me refugjatë sirianë që mbeteshin në pritje, të paaftë për të vazhduar më tej.
Ndërsa konfliktet globale vazhdojnë të ndikojnë migracionin, ky qytet i vogël në Ballkan bart peshën e zhvillimeve gjeopolitike: pas rikthimit të talebanëve në pushtet në Afganistan, refugjatët sirianë janë zëvendësuar gradualisht nga afganët.
Përshkallëzimi i dhunës
Raportimet për kthime të detyruara vazhdojnë, ndërsa Bashkimi Evropian - nën presionin e partive të djathta ekstreme, synon të zëvendësojë sistemin aktual të azilit me Paktin e ri për Migracionin në qershor. Ky pakt pritet të përshpejtojë refuzimet dhe dëbimet, si dhe të rrisë mbikëqyrjen biometrike ndaj emigrantëve.
Rojat kufitare kroate përshkruhen shpesh si tejet të dhunshme. Emigrantët dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar një model të vazhdueshëm abuzimi ndaj azilkërkuesve.
Në një ditë të acartë dhjetori, tre burra nga Sudani - identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike – u gjetën nga banorët vendas pranë kufirit, pa xhaketa dhe pa këpucë të përshtatshme. Ata u dërguan në spital, ku të treve iu amputuan këmbët për shkak të ngrirjes së rëndë. Sipas Rrjetit Ballkanik për Gazetari Investigative, policia boshnjake ka hapur hetim për rastin.
Nabili, 26 vjeç nga malet Atlas në Marok, ka tentuar pa sukses pesë herë të kalojë kufirin në këmbë përmes pyjeve të dendura me bredha. Çdoherë, rojat kroate, të pajisura me dronë - e kapin, e rrahin me shkopinj gome, ia konfiskojnë sendet personale dhe e kthejnë sërish në pyjet e Bosnjës, duke ia treguar drejtimin për t’u larguar. Rruga e kthimit për në Bihaç është e gjatë dhe edhe më e vështirë pa telefon.
“Ma thyen telefonin duke e përplasur”, shpjegon Nabili, duke imituar mënyrën se si rojat e thyen mbi gjunjë. “Ata e dinë që na duhen telefonat për harta dhe për të komunikuar”.
Policia kroate prej kohësh përballet me akuza për abuzime ndaj emigrantëve, përfshirë edhe sulme seksuale.
Nabili u largua nga Maroku rreth tre vjet më parë dhe tani e ka të vështirë të kontaktojë familjen e tij.
“Kur të kapë policia, ndihesh sikur gjithçka po të mbyllet përreth, si e gjithë bota”, thotë ai, duke qëndruar në një park mes bashkëkombësve të tij.
Pa pasur ku të shkojnë, shumë emigrantë kalojnë ditët në park duke u shoqëruar. Në një moment, ata nisin edhe një garë “pompash” në tokën e ngrirë.
Mes zhurmës së emigrantëve që tregojnë historitë e tyre, edhe Mohammedi dëshiron të flasë.
Ai është një djalë 14-vjeçar nga Kajro, që udhëton i vetëm. Familja e tij shpenzoi kursimet për ta dërguar me një varkë të rrezikshme nga Libia në Turqi, prej nga ai vazhdoi në këmbë drejt Bosnjës. Kur tentoi të kalonte në Kroaci, u kap nga rojat kufitare, të cilët e rrahën dhe i morën atletet. Ai u kthye zbathur nëpër borë të thellë. Një javë më vonë, ende mban vetëm sandale.
Jeta në qendrat e përkohshme të pritjes
Në të gjithë Bosnjën ka kampe, të njohura zyrtarisht si Qendra të Përkohshme Pritjeje, për njerëz si Nabili, Hamidi, Abduli dhe Mohammedi. Fjala kyç është “e përkohshme”. Bosnja renditet ndër vendet më të varfra në Evropë dhe ofron pak mundësi për njerëzit në lëvizje.
Për shkak të strukturës së ndërlikuar politike të vendit, sistemi i azilit konsiderohet jofunksional.
Këto qendra ofrojnë njëfarë ndihme, por emigrantët ankohen për ushqim të dobët dhe kushte të ngjashme me burgun. Për këtë arsye, shumë prej tyre preferojnë të flenë jashtë në kushte të vështira sesa të qëndrojnë në kampe; disa zgjedhin të jetojnë në komunitete të vetë-organizuara në ndërtesa të braktisura. Në vitin 2021, autoritetet boshnjake zhvendosën me forcë 250 migrantë nga një shtëpi e braktisur për të moshuar drejt kampit të njohur Lipa, rreth 20 kilometra larg qytetit.
“Jeta në kampe nuk është edhe aq e keqe, por janë të mbipopulluara dhe të zhurmshme, nuk mund të marrësh frymë. Unë preferoj këtë”, thotë Nabili, duke treguar parkun përreth, ku rosat notojnë në lumë dhe zogjtë fluturojnë sipër.
Për shkak të largësisë së kampit Lipa nga Bihaçi, emigrantët e kanë të vështirë të kenë qasje në shërbime dhe ankohen për izolim të imponuar nga shteti. Nuk ka transport publik dhe duhet të ecin rreth katër orë për të arritur në qytet.
Hassani, një adoleshent palestinez nga Jerusalemi, po qëndron në Lipë së bashku me prindërit dhe dy vëllezërit e tij më të mëdhenj.
17-vjeçari tregon se si policia kroate ua ka marrë telefonat dhe ka dhunuar vëllezërit e tij. Familja e tij do të qëndrojë në Lipë përpara se të tentojë sërish kalimin: sipas tij, kanë provuar shtatë ose tetë herë deri tani, por janë kthyer çdoherë pas.
Situata në kampe pritet të përkeqësohet, pasi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) po tërhiqet këtë vit. Përgjegjësia për qendrat e pritjes dhe mirëqenien e emigrantëve do t’u kalojë autoriteteve boshnjake, të cilat, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, nuk janë të përgatitura për ta përballuar këtë situatë.

Një dorë ndihme
Disa organizata lokale dhe vullnetare kanë krijuar baza në qytet.
“Njerëzit vijnë te ne me shapka dhe pa xhaketa, në mot tepër të ftohtë”, tha një aktiviste nga organizata “No Name Kitchen”, e cila ofron ndihmë humanitare. Ajo nuk pranoi të identifikohej nga frika e ndëshkimit nga autoritetet.
Puna e tyre nuk është e paligjshme, por migracioni është shumë i kriminalizuar dhe këto grupe nuk duan të tërheqin vëmendje të panevojshme, shpjegojnë vullnetarët. Shpesh ata ndihmojnë thjesht duke shpërndarë rroba të ngrohta.
“Bosnja është kthyer në një vend ku Evropa ‘hedh’ emigrantët,” shtoi ajo.
Në fillim, banorët e Bihaçit ishin mikpritës, por një pjesë e këtij vullneti të mirë është zbehur, duke u zëvendësuar me zemërim ndaj zyrtarëve të BE-së që, sipas tyre, nuk po bëjnë mjaftueshëm. Vendi ende po rikuperohet nga një luftë e përgjakshme tri dekada më parë. Tani, ai mban edhe barrën e politikave migruese të Evropës - ndërkohë që ka pak burime në dispozicion.
Megjithatë, emigrantët flasin kryesisht pozitivisht për Bosnjën dhe njerëzit e saj, të cilët shpesh u japin transport dhe rroba atyre që kthehen me forcë nga kufiri.
“Njerëzit në Bosnjë janë shumë të mirë, ndryshe nga Kroacia. Jam i sigurt që ka kroatë të mirë, por unë nuk kam takuar ende”, thotë 21-vjeçari Jasin nga Tunizia, i cili pretendon se është goditur në kokë nga rojat kroate deri sa ka pësuar tronditje cerebrale. “Mund të më godasin në duar, në rregull, por pse duhet të më godasin në kokë?”
Të gjithë planifikojnë që shpejti të tentojnë sërish kalimin: disa do të provojnë në këmbë, të tjerë do të fshihen nën kamionë.
Sa i përket Hamidit, burrit të plagosur nga Maroku, ai e provoi sërish kohët e fundit, duke këmbëngulur të udhëtojë vetëm nëpër male. Për shkak të gjunjëve, rrëshqiti dhe ra në akull. U kthye në Bihaç, në pamundësi për të lëvizur për shkak të një ndrydhjeje në kyçin e këmbës.
“Të gjithë kanë jetën e tyre; kjo është jeta ime”, thotë ai. “Çfarë mund të bëj?”