Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se Teherani do të rindërtojë objektet e tij bërthamore "me forcë më të madhe".
Duke folur për mediat shtetërore të dielën, Pezeshkian ka thënë se vendi nuk synon armët bërthamore.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të urdhërojë sulme të reja ndaj objekteve bërthamore të Iranit nëse Teherani përpiqet të rindërtojë objektet që Shtetet e Bashkuara bombarduan në qershor.
Pezeshkian i bëri komentet e tij gjatë një vizite në Organizatën e Energjisë Atomike të vendit, gjatë së cilës u takua me menaxherë të lartë nga industria bërthamore e Iranit.
"Shkatërrimi i ndërtesave dhe fabrikave nuk do të krijojë problem për ne, ne do t'i rindërtojmë dhe me forcë më të madhe", është shprehur presidenti iranian për mediat shtetërore.
Në qershor, SHBA-ja ka nisur sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane që Uashingtoni thotë se ishin pjesë e një programi të orientuar drejt zhvillimit të armëve bërthamore. Teherani pohon se programi i tij bërthamor është thjesht për qëllime civile.
"E gjitha ka për qëllim zgjidhjen e problemeve të popullit, për sëmundjet, për shëndetin e popullit", ka thënë Pezeshkian duke iu referuar aktiviteteve bërthamore të Iranit.