Mijëra iranianë janë tubuar në Teheran të shtunën për të shënuar përvjetorin e marrjes së kontrollit të ambasadës amerikane gjatë vitit 1979.
Ata kanë brohoritur “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, duke kundërshtuar përkrahjen e Washingtonit për ofensivën e Izraelit në Gaza.
Tubimi i madh është thirrur nga shteti teksa lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në javën e katërt. Mijëra iranianë janë mbledhur para ish-ambasadës amerikane në Teheran dhe disa prej tyre kanë djegur flamujt e SHBA-së dhe Izraelit.
Iranianët gjithashtu kanë shkelur fotografitë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan, Joe Biden.
Disa të tjerë kanë mbajtur banerë, në të cilët SHBA-ja cilësohej si “Satani i Madh”.
Të mërkurën, lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka kritikuar SHBA-në për përkrahjen e Izraelit që, sipas tij, do të paralizohej pa këtë përkrahje.
Lideri suprem ka bërë thirrje për armëpushim, ndërkaq nga shtetet arabe ka kërkuar bojkotimin e Izraelit.