Botë

Trump për marrëveshjen për Ukrainën: Jemi më afër se kurrë

trump zelensky

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie të paspecifikuara si pjesë e një marrëveshjeje paqeje për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare të Rusisë, dhe më shumë bisedime janë të mundshme këtë fundjavë, thanë zyrtarët amerikanë të hënën pas diskutimeve të fundit me presidentin Volodymyr Zelensky në Berlin.

Zyrtarët thanë se bisedimet me të dërguarit e presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, çuan në ngushtimin e dallimeve mbi garancitë e sigurisë që Kievi tha se duhet të ofrohen si dhe mbi kërkesën e Moskës që Ukraina të lëshojë tokë në rajonin e Donbasit në lindje të vendit.

Trumpi u takua  në një darkë të hënën në mbrëmje me negociatorët dhe udhëheqësit evropianë, dhe më shumë bisedime priten këtë fundjavë në Miami ose diku tjetër në Shtetet e Bashkuara, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht nga Shtëpia e Bardhë.

“Mendoj se jemi më afër se kurrë”, u ka thënë Trumpi gazetarëve, në një organizim në Shtëpinë e Bardhë. “Kemi  mbështetje të jashtëzakonshme nga liderët evropianë. Ata duan që kjo të mbarojë sa më shpejtë”.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se garancitë e sigurisë nuk do të jenë në tavolinë “përgjithmonë”.