Botë

Trump: Putini do që të arrijë marrëveshje në Ukrainë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të enjten për “Fox News Radio” se mendon që presidenti rus, Vladimir Putin, “do që ta mbyllë” marrëveshjen për fundin e luftës në Ukrainë gjatë samitit të nesërm në Alaskë.

I pyetur nëse kërcënimet me sanksione mund të kenë ndikuar në vendimin e Putinit për ta pranuar takimin, Trumpi ka thënë se “çdo gjë ka ndikim”, tek ka shtuar se tarifat dytësore ndaj Indisë “praktikisht i ndalën ata prej blerjes së naftës nga Rusia”.

“Sigurisht, kur humb blerësin tënd të dytë më të madh dhe me shumë gjasë do të humbasësh edhe të parin, mendoj se kjo luan rol”, ka thënë ai.

Ai është pyetur gjithashtu edhe nëse është i gatshëm të ofrojë “stimuj ekonomikë” për Rusinë në këmbim të ndërprerjes së luftës në Ukrainë, porse ka refuzuar të përgjigjet, teksa ka shpjeguar se nuk do të donte të “shfaqte letrat në publik”.

Ai ka përsëritur disa herë se Rusia kishte “potencial të jashtëzakonshëm”, duke përmendur vlerën në naftë dhe gaz, që siç ka thënë ai, “është biznes shumë fitimprurës”.

Sidoqoftë, Trumpi ka theksuar se interesi i tij kryesor është “marrëveshja e menjëhershme e paqes”, dhe në rast se ka përparim në takimin me Putinin, ai do ta telefonojë menjëherë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për ta “sjellë aty ku do të mbahet takimi i radhës”.

“Kemi një ide që lidhet me tri lokacione të ndryshme, përfshirë mundësinë, sepse do të ishte më e lehta prej të gjithave, për të qëndruar në Alaska”, është shprehur ai. “Nëse është takim i keq, s’do ta thërras askënd. Do të shkoj në shtëpi”.