Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të premten përmes një postimi në rrjetin social “Truth Social” se tarifa prej 80 për qind karshi importeve kineze “duket e drejtë”, teksa përfaqësues të lartë nga të dyja vendet po përgatiten për bisedimet tregtare të kësaj fundjave.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent dhe kryenegociatori i tregtisë, Jamieson Greer, do të takohen me kryenegociatorin e Kinës, He Lifeng, në Zvicër për bisedime që mund të jenë hapi i parë drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tyre tregtare.
“Kina duhet ta hapë tregun e saj për Shtetet e Bashkuara – do të ishte shumë e mirë për ta!!! Tregjet e mbyllura nuk funksionojnë më!!!”, ka shkruar Trump.
“80% tarifa ndaj Kinës duket e drejtë. Është në dorën e Scott B (Scott Bessent)”, ka vazhduar ai.
Takimi që do të mbahet këtë fundjavë ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe kinezë në Zvicër është sinjali më i fortë deri më tani se të dy palët janë të gatshme të ulin tensionet e luftës tregtare që ka tronditur tregjet financiare.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka vendosur taksa të reja importi për mallrat kineze deri në 145%. Pekini ka reaguar me taksa për disa mallra nga SHBA prej 125%.