Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë të hënën se si Kievi ashtu edhe Moska zyrtare do të duhet të heqin dorë nga disa territore për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, dhe se bisedimet me presidentin rus, Vladimir Putin, këtë javë do të shpalosin menjëherë nëse udhëheqësi i Kremlinit është i gatshëm të arrijë marrëveshje.
Nga ana tjetër, liderët evropianë dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po planifikojnë të flasin me Trumpin përpara samitit me Putinin në Alaskë më 15 gusht, mes frikës se Washingtoni mund të diktojë kushte të paqes që s’janë fare të volitshme për Ukrainën, ka shkruar Reuters.
Trumpi e ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj Moskës duke miratuar dërgimin e më shumë armëve amerikane në drejtim të Ukrainës, si dhe i ka kërcënuar vendet që blejnë naftën ruse me tarifa të larta, porse elitat politike evropiane vazhdojnë të shqetësohen se ai mund të pranojë një marrëveshje që do ta detyronte Kievin të bëjë lëshime të mëdha.
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar të hënën se “uniteti transatlantik, mbështetja për Ukrainën dhe presioni mbi Rusinë” janë të nevojshme për t’i dhënë fund luftës dhe për të “parandaluar agresionin e ardhshëm rus në Evropë”.
E kryeministri britanik, Keir Starmer, ka biseduar në telefon të hënën me homologun e tij kanadez, Mark Carney, përderisa që të dy liderët mirëpritën përpjekjet diplomatike “për të sjellë paqen dhe ranë dakord se kjo duhet të ndërtohet me Ukrainën – jo të imponohet mbi të”.
Gjatë një konference për shtyp, Trumpi është shprehur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se samiti me Putinin “do të jetë me të vërtetë një takim për ta kuptuar situatën”, tek ka shtuar se do të jetë e qartë “ndoshta në dy minutat e para” nëse është i mundur përparimi ose jo.
“Do t’i them atij, ‘Duhet ta përfundosh këtë luftë’”, ka theksuar Trump. “Do të shkoj tani për të parë parametrat. Mund të largohem dhe të them, ‘Fat të mbarë’. Dhe do të jetë fundi. Mund të them, ‘Kjo, nuk do të zgjidhet’”.
Në të kaluarën, Trumpi e pati përmendur skenarin e shkëmbimeve territoriale, mirëpo as Rusia dhe as Ukraina nuk kanë qenë të gatshme të bëjnë lëshime në këtë drejtim.