Botë

Trumpi urdhëron Pentagonin të përgatitet për sulm të mundshëm ndaj Nigerisë

Trump urdhëron Pentagonin të përgatitet për sulm të mundshëm ndaj Nigerisë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar të shtunën se kishte urdhëruar Pentagonin të fillonte planifikimin për një veprim të mundshëm ushtarak në Nigeri, duke intensifikuar kritikat se qeveria e këtij vendi nuk po arrin të frenojë përndjekjen e të krishterëve në vendin perëndimor afrikan.

“Nëse qeveria nigeriane vazhdon të lejojë vrasjen e të krishterëve, Shtetet e Bashkuara menjëherë do të ndalojnë të gjitha ndihmat për Nigerinë dhe me shumë gjasa do të hyjnë në këtë vend të turpëruar, ‘me armët gati’, për të shkatërruar plotësisht terroristët islamikë që kryejnë këto krime të tmerrshme. Unë urdhëroj Departamentin tonë të Luftës të përgatitet për veprim të mundshëm. Nëse sulmojmë, do të jetë i shpejtë, i egër dhe i ashpër, po ashtu siç terroristët po sulmojnë të dashurit tanë të krishterë!”, shkroi Trump.

Ky paralajmërim për veprim të mundshëm ushtarak erdhi pas reagimit të presidentit nigerian, Bola Ahmed Tinubu, i cili të shtunën kundërshtoi njoftimin e Trumpit të premten, kur e shpalli Nigerinë si “vend me shqetësim të veçantë” pasi sipas tij nuk kishte ndaluar përndjekjen e të krishterëve.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Tinubu ka thënë se ky karakterizim i Nigerisë si vend i padrejtë ndaj besimeve fetare nuk pasqyron realitetin e vendit.

“Liria dhe toleranca fetare kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë një themel i identitetit tonë të përbashkët. Nigeria kundërshton dhe nuk inkurajon përndjekje fetare. Nigeria është një vend me garanci kushtetuese për mbrojtjen e qytetarëve të të gjitha besimeve”, ka thënë Tinubu.

Trumpi kishte deklaruar të premten se “krishterimi përballet me kërcënim ekzistencial në Nigeri” dhe se “islamistët radikalë janë përgjegjës për këto vrasje masive”. Komentet e tij erdhën disa javë pasi senatori amerikan Ted Cruz bëri thirrje në Kongres që të shpallej Nigeria si shkelëse e lirisë fetare për shkak të “vrasjes masive të të krishterëve”.

Popullsia e Nigerisë, që është rreth 220 milionë banorë, është pothuajse e ndarë në mënyrë të barabartë mes të krishterëve dhe myslimanëve. Vendi ka përjetuar për një kohë të gjatë pasiguri nga grupe të ndryshme ekstremiste, përfshirë grupin Boko Haram, që synon të vendosë interpretimin e tyre radikal të ligjit islamik dhe ka sulmuar edhe myslimanë që i konsideron jo të mjaftueshëm myslimanë.

Sulmet në Nigeri kanë motive të ndryshme: sulme fetare ndaj të krishterëve dhe myslimanëve, konflikte mes fermerëve dhe blegtorëve për burime të pakta, rivalitete lokale, grupe separatistësh dhe konflikte etnike. Analistët vënë në dukje se, megjithëse të krishterët janë ndër viktimat, më shumë të sulmuar janë myslimanët në veri të Nigerisë, ku ndodhin shumica e sulmeve.

Nigeria ishte vendosur për herë të parë në listën amerikane të vendeve me shqetësim të veçantë për “shkelje sistematike të lirisë fetare” në vitin 2020, por ky vendim u hoq në 2023 për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve para vizitës së atëhershme të sekretarit të Shtetit Antony Blinken.