Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të martën për transmetuesin amerikan “Fox News”, se shpreson që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky “ta bëjë atë që duhet ta bëjë”, teksa ka theksuar se ai duhet të jetë “më fleksibil” në negociatat për paqen, ka shkruar BBC.
I pyetur lidhur me takimin trepalësh ndërmjet tij, Zelenskyt dhe presidentit rus, Vladimir Putin, Trumpi shpreson që shefi i Kremlini të “sillet mirë”, nëse jo atëherë, siç ka thënë, do të jetë “situatë e vështirë”.
Ai ka shtuar mes tjerash se nuk pret që Zelensky dhe Putini të bëhen “shokë të ngushtë”, mirëpo ka pretenduar se që të dy liderët janë ata “që i japin urdhrat”.
Krahas kësaj, tek i është përgjigjur pyetjes se a do të dislokohen trupat ushtarake amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë, Trumpi ka theksuar se kjo s’do të ndodhë kurrë.
“E keni fjalën time për këtë”, ka konstatuar ai.
Ndërkaq, sa i përket takimit të ditës së hënë me liderët evropianë, Trumpi ka deklaruar se ata janë “njerëz të mirë” që duan “t’i japin fund luftës”.
Ai ka thënë se konflikti në Ukrainë është më i afërt për evropianët, për shkak se “ne (Amerika) kemi një oqean që na ndan”.
“Prandaj, është diçka ndryshe për ta. Kur bie theksi te siguria, ata janë të gatshëm të dislokojnë trupat në tokë”, ka shtuar Trumpi.
Sipas presidentit amerikan, SHBA-ja është e gatshme të ndihmojë me aspektet e tjera të sigurisë, si për shembull, përmes mbështetjes ajrore, porse ka nënvizuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO s’mund të jetë forma kryesore në të cilën mbështetet siguria.
