Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderët evropianë kanë takuar presidentin amerikan, Donald Trump, të hënën në mbrëmje (sipas kohës në Kosovë), në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Zelensky ka thënë se bisedimet ishin më të mirat deri tash, e ngjashëm i ka vlerësuar edhe Trumpi. Pas takimit me liderët evropianë, Trumpi e ka thirrur Vladimir Putinin e Rusisë për të diskutuar për takim mes tij dhe liderit ukrainas. Trumpi ka thënë se kanë diskutuar edhe për garancitë e sigurisë me liderët evropianë. Gjithçka rreth këtij takimi dhe zhvillimet pas tij, mund t’i ndiqni këtu
Biseda 40-minutëshe e Trumpit me Putinin, mes takimit me Zelenskyn dhe evropianët
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mes takimit me presidentin Volodymyr Zelensky dhe evropianët ka telefonuar presidentin rus Vladimir Putin. Më vonë është bërë e ditur se arsyeja e telefonatës ishte për t’u dakorduar për një takim trepalësh Trump-Putin-Zelensky.
Por ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, ka dhwnw detaje të tjera rreth telefonatës, duke potencuar se ajo ka zgjatur rreth 40 minuta.
Ushakov, ka deklaruar se Putini dhe Trumpi kanë diskutuar idenë e “vazhdimit të bisedimeve të drejtpërdrejta” midis delegacioneve ruse dhe ukrainase - megjithëse një vendndodhje specifike se ku do të mbahen takimet, nuk është përmendur.
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se dëshiron që faza tjetër e bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës të mbahet në një vend “neutral”, duke sugjeruar Gjenevën.
“U diskutua ideja e rritjes së nivelit të përfaqësuesve nga palët ukrainase dhe ruse në bisedime", ka thënë Ushakov në një video të postuar në Telegram, duke folur për telefonatën mes dy presidentëve.
Ushakov tha se Putin dhe Trumpi folën për 40 minuta pas takimit të presidentit amerikan me Zelenskyn të hënën, dhe “biseda ishte e sinqertë dhe shumë konstruktive”.
Ish-presidenti rus: Evropianët dështuan ta mashtrojnë Trumpin
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka deklaruar të martën se udhëheqësit evropianë nuk kanë arritur ta mashtrojnë presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë samitit shumëpalësh të zhvilluar në Washington të hënën në mbrëmje (sipas kohës lokale të Kosovës), ka shkruar Reuters.
“Koalicioni i të vullnetshmëve, nxitësi i luftës kundër Rusisë, nuk arriti ta mashtronte @POTUS në terrenin e tij”, ka shkruar Medvedev në rrjetin social X. “Evropa e falënderoi dhe i serviloset atij”.
Medvedev ka shtuar më tutje se pyetja kryesore është se “çfarë melodie” do të luante Zelensky “për garancitë dhe territoret në atdhe, sapo të veshë sërish uniformën e tij ushtarake të gjelbër”.
Trumpi i ka thënë Zelenskyt të hënën se Shtetet e Bashkuara do të ndihmonin në garantimin e sigurisë së Ukrainës në çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, porse shkalla e ndihmës nuk ishte menjëherë e qartë.
I dërguari i posaçëm presidencial, Steve Witkoff, kishte pretenduar disa ditë më parë se Shtetet e Bashkuara ia kanë dalë ta bindin presidentin rus, Vladimir Putin, që Ukrainës t’i ofrohen të paktën garanci të sigurisë që ngjasojnë me nenin 5 të traktatit të NATO-s.
Trumpi i tregon Macronit “sekretin” për Putinin, harron që mikrofoni ishte i ndezur
Një mikrofon i lëshuar gabimisht ka nxjerrë detaje të reja nga bisedimet në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit amerikan, Donald Trump, presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderëve evropianë.
Mikrofoni kapi Trumpin duke i treguar Macronit detaje të cilat mendohet të jenë nga takimi që kishte me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Mendoj se ai (presidenti rus, Vladimir Putin) dëshiron të bëjë marrëveshje”, ka pëshpëritur Trumpi duke folur me Macronin. “Mendoj se ai donte të bënte marrëveshje për mua, a e kupton këtë? Sa do e pabesueshme që tingëllon”.
Kjo dha detaje të reja mbi takimin Trump-Putin, edhe pse të tillat nuk janë bërë publike.
LEXO EDHE:
Trumpi dhe i dërguari i posaçëm presidencial, Steve Witkoff, të dy pjesëmarrës në samitin e së premtes, kanë pretenduar se ia kanë dalë ta bindin Putinin që forcat amerikane dhe të tjera të NATO-s t’i dalin në mbrojtje Ukrainës nëse Moska shkel ndonjë kusht në një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Në takimin e së hënës mbrëma palët janë marrë vesh për një takim trilateral i cili do të mbahet brenda muajit gusht.
VIDEO:
Çka thanë liderët evropianë për takimin me Trumpin e Zelenskyn
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se bisedimet me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe liderët e Evropës “ishin më të mirat deri tash” dhe se është i gatshëm “për takim bilateral me Putinin”.
Çka thanë liderët tjerë evropianë që ishin në Shtëpinë e Bardhë në këtë takim:
Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se “ishte tejet i kënaqur” me rezultatet e takimit, që demonstruan “sens të vërtetë të unitetit” mes liderëve. Ai ka theksuar se “nuk duhet të merret asnjë vendim për Ukrainën, pa Ukrainën”.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka kërkuar nga Trumpi “të bëjë presion mbi Rusinë për armëpushim”. “Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm do të zhvillohet pa armëpushim”, ka thënë ai. Putini është pajtuar për takim bilateral brenda dy javëve të ardhshme, ka thënë Merz.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri jehonë komenteve të Merzit për armëpushim, por gjithashtu ka thënë se forcat ushtarake evropiane duhet t’i ndihmojnë Ukrainës “me këmbë në terren”.
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ishte më i kujdesshëm dhe u shpreh se “nuk ka pasur asgjë konkrete” për pjesëmarrjen e SHBA-së në garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sa i përket një takimi bilateral mes Zelenskyt dhe Putinit, ai ka thënë se liderit rus “nuk mund t’i besohet”.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka thënë se një prej pyetjeve më të rëndësishme ishte se “si të ketë siguri që kjo s’do të ndodhë më, se cili është parakushti për çdo lloj paqeje”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për kthimin e fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia, duke thënë se “kostot njerëzore të kësaj lufte duhet të marrin fund”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka quajtur Trumpin “paqebërës pragmatik” dhe ka thënë se liderët do të punojnë në ofrimin e garancisë në ditët në vijim.
Rusia vazhdon sulmet edhe pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë
Teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe liderët e tjerë evropianë po zhvillonin bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump, në Washington të hënën, sulmet ruse ndaj Ukrainës nuk kanë ndaluar.
Bazuar në raportime, ushtria ruse ka sulmuar rajonin Poltava të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike për shumë banesa dhe duke dëmtuar disa ndërtesa administrative, ka bërë të ditur guvernatori i rajonit.
Nuk është raportuar ende për viktima, mirëpo afërsisht 1,500 banesa dhe 119 biznese mbetën pa energji elektrike në distriktin Lubny, ka raportuar BBC.
Ndërkohë në Rusi, mbetjet e dronëve ukrainas të rrëzuar shkaktuan zjarre në një rafineri nafte dhe në çatinë e një spitali në rajonin Volgograd, sipas administratës së këtij rajoni në jugperëndim të Rusisë.
Autoriteti i aviacionit civil të Rusisë ka njoftuar në rrjetin social Telegram se fluturimet nga dhe drejt Volgogradit u pezulluan për rreth tre orë gjatë natës.
Pikat kryesore nga diskutimi i Trumpit me Zelenskyn dhe evropianët
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe disa liderë të tjerë evropianë mbërritën në Shtëpinë e Bardhë të hënën për t’u takuar presidentin amerikan, Donald Trump, në kuadër të bisedimeve të reja që synojnë t’i japin fund luftës në Ukrainë.
Më poshtë mund të gjeni disa prej pikave kyç të këtij samiti shumëpalësh, të formuluara nga mediumi britanik BBC.
Një takim Putin-Zelensky në horizont?
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se e kishte telefonuar Vladimir Putinin për të organizuar bisedime dypalëshe midis liderit rus dhe Zelenskyt. Pas kësaj, do të kishte edhe një takim trepalësh që do të përfshinte vetë Trumpin.
Trump dhe evropianët nuk bien dakord për armëpushimin
Trump duket se e ka minimizuar rëndësinë e armëpushimit përpara negociatave të mëtejshme për t’i dhënë fund luftës, që u kundërshtua nga liderët evropianë. “Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të ndodhë pa një armëpushim”, ka thënë kancelari gjerman Friedrich Merz. “Pra, le të punojmë për këtë dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”.
Trump jep sinjale për garanci sigurie
Trumpi ka thënë se SHBA-ja do të ndihmonte në garantimin e sigurisë së Ukrainës. Kjo është deklarata më vendimtare që ka bërë ndonjëherë për këtë çështje, e cila është njëkohësisht shqetësim kyç për Ukrainën. Nuk është ende e qartë se çfarë forme do të merrnin këto garanci, teksa mundësitë përfshijnë: trupa të huaja në terren, patrullime të përbashkëta detare dhe ajrore, ndarje të inteligjencës apo mbështetje logjistike.
Zelensky nis ofensivën e tij të hijshme
Në një ndryshim të dukshëm nga vizita e tij e mëparshme e tensionuar në Shtëpinë e Bardhë, Zelensky është treguar më i qetë dhe i sjellshëm të hënën, i veshur me kostum, me një letër personale nga bashkëshortja e tij dhe disa “falënderime” të njëpasnjëshme në minutat e para të takimit.