Botë

Trumpi e kërcënon sërish Indinë, kësaj radhe me tarifa më të ashpra

Narendra Modi dhe Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërcënuar sërish se do të rrisë tarifat ndaj mallrave indiane për shkak të blerjeve të naftës ruse nga India, teksa New Delhi zyrtar e ka cilësuar këtë veprim si të pajustifikueshëm dhe është zotuar se do të mbrojë interesat e veta ekonomike, duke thelluar përçarjen tregtare në mes të dyja vendeve. 

“India jo vetëm që po blen sasi të mëdha të naftës ruse, por pastaj, një pjesë të konsiderueshme të naftës së blerë, po e shet atë në tregun e hapur për fitime të mëdha. Ata nuk shqetësohen aspak se sa njerëz po vriten në Ukrainë nga makineria luftarake ruse”, ka shkruar Trump në platformën “Truth Social”.

“Për shkak të kësaj, unë do ta rris ndjeshëm tarifën që India paguan ndaj SHBA-së”, ka shtuar ai.

Krahas kësaj, Trumpi ka deklaruar po ashtu se gjatë kësaj jave do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, si dhe ndaj vendeve që blejnë eksportet e saj energjetike, përveç nëse Moska ndërmerr hapa konkretë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. 

Dy burime qeveritare indiane kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se India do të vazhdojë të blejë naftë nga Rusia, pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan.

Mallrat me origjinë indiane që e kanë për cak tregun amerikan veçse i nënshtrohen një tarife prej 25 për qind, e cila ka hyrë në fuqi disa ditë më parë.