“I kemi shpresat tek Amerika”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që mungoi në takimin i cili mund të jetë përcaktues për luftën në shtetin e tij e edhe për sigurinë në Evropë. Alaska ishte të premten qendra e botës. U takuan presidenti amerikan, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, në një samit me temën “në përpjekje për paqe”. Takimi maratonik nisi me duarshtrëngime e buzëqeshje, por me asnjë përgjigje për gazetarët
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin, të premten në Alaskë në një takim që është cilësuar historik për nga rëndësia. Samiti mund të përcaktojë trajektoren e luftës në Ukrainë dhe fatin e sigurisë evropiane. Pavarësisht se tema kryesore është pushtimi i Ukrainës nga Rusia, në takim nuk ka qenë i pranishëm presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Takimi që nisi rreth orës 21:30, sipas kohës lokale në Kosovë, dha sinjale të përziera. “Alaska 2025” i priti dy presidentët me katër aeroplanë luftarakë në të dy krahët e shiritit të kuq në bazën ushtarake “Elmendorf-Richardson”. Gjithçka nisi me ngrohtësi, kur Trumpi e priti me duarshtrëngime e buzëqeshje Putinin. Të dy u ndalën për fotografinë e përbashkët para mediave para se të niseshin për takimin e mbyllur. Nuk dhanë përgjigje në asnjë pyetje se a do të arrihet armëpushimi në Ukrainë apo se cili është mesazhi i liderëve për njëri-tjetrin. Gjatë rrugës, udhëtuan bashkë me “Bishën amerikane” - vetura e presidentit Trump. E përgjigje nuk dhanë as në hapësirën e takimit. Të dy liderët qëndronin para një prapavijë të kaltër me shkrimin “Në përpjekje për paqe”. Trumpi e Putini ishin ulur në mes të karriges së rregulluar në formë patkoi. Në mes kanë një tavolinë të vogël. “Faleminderit”, ishte fjala e vetme që Trumpi e përdori drejtuar gazetarëve. E në një çast, presidenti Putin është parë duke i bërtitur një gazetari, por nuk është e qartë se çka i ka thënë.
Përderisa kaluan orë të tëra në hapësirën e dedikuar për takim sy më sy, para se të niste samiti Kremlini zyrtar kishte paralajmëruar “takim maratonik”. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pati thënë se pret që diskutimet e presidentit rus, Vladimir Putin, me presidentin amerikan Donald Trump në Alaskë të zgjasin deri në 6 ose 7 orë. E takimi i zgjatur konsiderohej me vlerë të madhe, pasi Trumpi më herët gjatë javës ishte shprehur se për pak minuta do ta dinte nëse Putini është i interesuar për të siguruar paqe. Ai kishte thënë se nëse samiti do të shkonte keq “do të dilte”. “Mund të largohem shpejt dhe të them ‘paçi fat’ dhe ky do të ishte fundi”, pati thënë Trumpi.
Takimi në tokën amerikane nuk premtonte asnjë sukses, sidomos në kohën kur Rusia e Ukraina mbeten shumë larg njëra tjetrës në kërkesat për arritjen e paqes, kur lufta ka hyrë në vitin e katërt. Por gjatë udhëtimit të tij për në Alaskë, presidenti amerikan ka folur para gazetarëve në bordin e avionit presidencial “Air Force One”. Ai ka thënë se Putini është i zgjuar dhe se ata kuptohen mirë me njëri-tjetrin.
“Putini është djalë i zgjuar dhe ne kuptoheni shumë mirë. Kemi respekt të ndërsjellë. Mendoj se do të dalë diçka nga ky takim. Vura re se ai po sjell edhe shumë biznesmenë nga Rusia, mirëpo nuk do të ketë biznes pa marrë fund lufta”, ka thënë ai në prononcimet e para gjatë fluturimit. E më vonë gjatë rrugës u është drejtuar sërish gazetarëve. “Dua të shoh armëpushim shpejt. Nuk e di si do të rezultojë sot, por nuk do të jem i lumtur nëse nuk ndodh sot. Të gjithë kanë thënë se nuk mund të arrihet sot, por unë po them thjesht se dua të ndalen vrasjet”, ka thënë ai.
Shpresë nga takimi, edhe pse larg tij në distancë, ka shprehur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka shkruar se është koha që lufta të përfundojë.
“Gjëja kyç është që ky takim duhet të hapë një rrugë reale drejt paqes së drejtë dhe diskutimit thelbësor midis liderëve brenda një formati trepalësh – Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe pala ruse. Është koha t’i japim fund luftës, ndërsa hapat e nevojshëm duhet të bëhen nga Rusia. I kemi shpresat tek Amerika”, ka thënë ai.
E Putini ka zgjedhur të mos flasë gjatë gjithë ditës së takimit. Ai ka bërë vizitë zyrtare në rajonin Magadan. Aty ka vizituar një memorial për bashkëpunimin ruso-amerikan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Statuja, që përshkruan pilotët sovjetikë e amerikanë të ngrirë në mes të shtrëngimit të duarve pranë një avioni, përkujton rrugën Alaskë-Siberi që transportoi rreth 8000 aeroplanë luftarakë në frontin sovjektik në periudhën 1942-1945. Një monument i ngjashëm është edhe në Fairbanks të Alaskës. Dikur ishte edhe me flamurin rus, por që nga 2022-a aty ka ngelur vetëm flamuri amerikan. Televizioni shtetëror rus ka thënë se rikthimi i flamurit rus atje do të ishte “shumë simbolik”. Dhe këtë Rusia e synon nga samiti i sotëm. Siç ka shkruar CNN-i, mesazhi i Putinit me këtë vizitë është i qartë: Kujtesë që një ditë Moska e Washingtoni ishin aleatë.
Ndërkaq, kryediplomati rus, Sergei Lavrov, para takimit ka deklaruar se pala ruse shpreson që t’i vazhdojë “diskutimet e dobishme” edhe gjatë samitit.
“Ne kurrë nuk planifikojmë përpara. E dimë që kemi argumente, një qëndrim të qartë dhe të kuptueshëm. Do ta paraqesim atë. Kemi arritur shumë gjëra edhe gjatë vizitave të Steve Witkoffit, i emëruar special nga Shtetet e Bashkuara për Lindjen e Mesme. Shpresoj që të vazhdojmë këtë bisedë shumë të dobishme”, ka thënë Lavrovi.
Për dallim nga herët e shkuara, takimi ka qenë me më shumë pjesëmarrës. Në vend të takimit një me një, SHBA-ja dhe Rusia janë ballafaquar në takim tre me tre. Trumpi është shoqëruar nga sekretari i shtetit, Marco Rubio e i dërguari i posaçëm Steve Witkoff. Delegacioni rus ka përfshirë ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov, dhe ish-ambasadorin e Rusisë në SHBA, Yuri Ushakov.
Aleatët e Trumpit e konsiderojnë presidentin amerikan si negociator të fortë që mund të gjejë mënyrë për t’i dhënë fund luftës, diçka për të cilën ai mburrej se mund ta arrinte shpejt. Për Putinin, samiti me Trumpin ia ofron mundësinë e shumëpritur për të negociuar marrëveshjen për të çimentuar përfitimet ruse në terren, të bllokojë përpjekjet e Kievit për t’u bashkuar me NATO-n dhe përfundimisht ta tërheqë Ukrainën në orbitën e Moskës.
Udhëheqësit evropianë, të cilët kanë mbetur po ashtu jashtë bisedimeve, janë shprehur të shqetësuar se marrëveshja e mundshme nga ky takim mund ta lërë Ukrainën në pozitë më të dobët ose t’i cungojë aftësitë e Evropës për ta mbështetur Ukrainën dhe për t’u përballur me kërcënimet e Rusisë.
E përderisa e gjithë bota po priste takimin e liderëve amerikanë e rusë, Ukraina po përballej me bombardimet nga Rusia. Një raketë ruse ka marrë jetën e një qytetari të premten pasdite në Dnipro, ndërsa disa të tjerë janë lënduar në sulmet e tjera. Raketat kanë goditur edhe Sumyn në kufi. Po ashtu, edhe dy policë ukrainas janë vrarë në Sviatohirsk në rajonin e Donetskut. Për këto ka reaguar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. “Edhe në ditën e negociatave, ata po vrasin. Dhe kjo flet shumë”, ka thënë ai.
“Alaska 2025” i priti me aeroplanë luftarakë të dy liderët. E ky vend ishte pjesë e perandorisë ruse deri më 1867, por të premten u bë hera e parë që një lider rus e vizitoi vendin. Ajo u kolonizua nga Rusia në fillim të shekullit të 18-të deri kur Alexander II e shiti te SHBA-ja më 1867 për 7.2 milionë dollarë.
