Botë

Trumpi fton Putinin në “Bordin e Paqes” për Gazën

Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Associated Press

Presidenti rus, Vladimir Putin, është ftuar të bashkohet me “Bordin e Paqes” të presidentit të SHBA-së Donald Trump, komitetin që do të mbikëqyrë rindërtimin e Gazës, ka bërë të ditur zëdhënësi i tij, Dmitry Peskov të hënën.

Duke folur me gazetarët gjatë një konference të rregullt për mediat, Peskov ka thënë se “presidenti Putin gjithashtu mori përmes kanaleve diplomatike një ftesë për t'u bashkuar me këtë Bord të Paqes”.

Ai ka shtuar se Kremlini tani po e shqyrton ftesën dhe “shpreson të marrë më shumë detaje nga pala amerikane”.

Themelimi i bordit, i kryesuar nga Trumpi, është një hap kyç në planin amerikan të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për të demilitarizuar dhe rindërtuar Gazën, e cila u shkatërrua nga dy vjet luftë midis Izraelit dhe grupit militant Hamas.

I përshkruar nga Trumpi si “Bordi më i madh dhe më prestigjioz i mbledhur ndonjëherë”, komiteti do të përfshijë ish-kryeministrin britanik Tony Blair, kryeministrin kanadez, Mark Carney dhe sekretarin e shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, presidenti argjentinas, Javier Milei dhe presidenti egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi gjithashtu kanë marrë ftesa për t'u bashkuar, sipas deklaratave të tyre ose zyrave të tyre.

Ndërkohë Izraeli ka kundërshtuar të shtunën vonë përbërjen e ekipit drejtues që do të luajë rol në mbikëqyrjen e hapave të ardhshëm në Gazë, ndërsa armëpushimi kalon në fazën e dytë sfiduese.

Sipas ankesës së Izraeli ndaj aleatit të tij të ngushtë në Uashington, komiteti ekzekutiv për Gazën “nuk ishte koordinuar me Izraelin dhe është në kundërshtim me politikën e tij”.