Botë

Trumpi godet tetë shtete aleate me tarifa për shkak të Grenlandës

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar të shtunën se do t’u vendosë tarifë 10 për qind shteteve të NATO-s që kanë dislokuar trupa në Grenlandë në kohën kur janë shtuar kërcënimet se SHBA-ja do ta aneksojë ishullin në Arktik, e që është nën pronësi të Danimarkës.

Në një shkrim në “Truth Social”, Trump ka thënë se “Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda janë nisur drejt Grenlandës, për qëllime të panjohura”.

“Kjo është situatë shumë e rrezikshme për sigurinë dhe mbijetesën e planetit tonë”, ka shtuar ai.

Presidenti amerikan ka thënë se tarifa 10 për qind do të vlejë në të gjitha mallrat që eksportohen drejt SHBA-së. Ajo do të hyjë në fuqi nga 1 shkurti, e ndjekur me shkallë prej 25 për qind nga 1 qershori.

“Tarifa do të jetë në fuqi deri kur të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë të Grenlandës”, ka shtuar Trumpi.

Presidenti amerikan ka përsëritur deklaratën se edhe “Kina e Rusia e duan Grenlandën” duke shtuar se “Danimarka s’mund t’u bëjë asgjë”.