Botë

Trumpi kërkon largimin e të pastrehëve nga Uashingtoni

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se të pastrehët “duhet të largohen" nga Uashingtoni, teksa është zotuar të luftojë krimin në qytet, por kryebashkiakja ka kundërshtuar Shtëpinë e Bardhë duke e krahasuar kryeqytetin me Bagdadin.

"Do t'ju japim vende për të qëndruar, por Larg kryeqytetit", ka shkruar ai të dielën. 

E kryetarja e bashkisë Muriel Bowser, një demokrate, ka thënë se qyteti nuk po përjeton rritje të krimit. 

Trumpi ka nënshkruar një urdhër muajin e kaluar që e bënte më të lehtë arrestimin e të pastrehëve dhe javën e kaluar ka urdhëruar forcat federale të rendit të dilnin në rrugët e Uashingtonit.

"Të pastrehët duhet të largohen, menjëherë", ka shkruar Trumpi në faqen e tij të mediave sociale “Truth Social” të dielën.

Specifikat e planit të presidentit nuk janë ende të qarta, por në një fjalim të vitit 2022 ai ka propozuar zhvendosjen e të pastrehëve në tenda "të cilësisë së lartë" në tokë të lirë jashtë qyteteve, duke siguruar njëkohësisht qasje në banjo dhe profesionistë mjekësorë.

Të premten, Trumpi ka urdhëruar agjentët federalë, përfshirë nga Policia e Parkut Amerikan, Administrata e Zbatimit të Ligjit për Drogat, FBI-në dhe Shërbimin e Marshallëve Amerikanë në Uashington DC për të frenuar atë që ai e quajti nivele krimi "krejtësisht jashtë kontrollit".

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i ka thënë Radios Publike Kombëtare se deri në 450 oficerë federalë u vendosën të shtunën në mbrëmje.

Ky veprim vjen pasi një ish-punonjës 19-vjeçar i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (Doge) u sulmua në një përpjekje të dyshuar për vjedhje veture në Uashington DC.