Botë

Trumpi thotë se do të takohet me Putinin në Hungari

Donald Trump dhe Vladimir Putin, Alaskë, 15 gusht  2025

Donald Trump dhe Vladimir Putin, Alaskë, 15 gusht 2025

Foto: Associated Press

Përditësim, 19:45 - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se do të takohet në Hungari me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, raporton “BBC”. 

Trump ka bërë një postim në “Truth Social” pas telefonatës që pati me presidentin rus. 

Ai tha se telefonata ishte “e mirë dhe produktive”, duke shtuar se “këshilltarë të nivelit të lartë” nga të dyja vendet do të takohen javën e ardhshme. 

“Unë dhe presidenti Putin do të takohemi më pas në një vend që kemi rënë dakord, në Budapest të Hungarisë, për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë ‘të palavdishme’ mes Rusisë dhe Ukrainës”, ka shkruar Trump. 

Trump tha se do të diskutojë të premten me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Zyrën Ovale në Washington lidhur me telefonatën që pati me Putinin. 

“Unë besoj se është bërë përparim i madh me bisedën telefonike të sotme”, ka shkruar Trump. 

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se telefonata mes Trumpit dhe Putinit zgjati mbi dy orë. 
 


Trumpi po zhvillon telefonatë me Putinin para takimit të së premtes me Zelenskyn

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është duke biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ndërsa po e shqyrton kërkesën e Ukrainës për raketa me rreze të gjata veprimi, raporton agjencia “AP”. 

Trump në një postim në “Truth Social” të enjten ka thënë se po zhvillon një telefonatë të gjatë me Putinin dhe se do të jap përditësim në momentin kur ta mbarojë atë. 

Telefonata vjen para takimit të Trumpit të premten në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Zelensky është duke i kërkuar Trumpit raketa “Tomahawk”, që do ta lejonin Ukrainën të godiste më thellë në territorin rus. 

Zelensky ka thënë se goditjet e tilla do të ndihmojnë që Putini t’i marrë më seriozisht thirrjet e Trumpit për negociata direkte mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës. 

Trump të dielën kishte thënë se planifikon të diskutojë edhe me Putinin për çështjen e raketave “Tomahawk”. 

“A do të donin ‘Tomahawkat' të shkonin në atë drejtim? Nuk besoj. Mendoj se do të flasë me Rusinë për këtë”, tha Trump të dielën.