Në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se SHBA-ja nuk do të përdorë forcë për ta marrë Grenlandën, por ka bërë thirrje që të nisin sa më parë negociatat për të blerë ishullin gjysmautom të Danimarkës. Trump ka kritikuar shtetet evropiane tek ka thënë se nuk po kërkon shumë nga to, veç një “copë akulli”, siç i është referuar ai Grnlandës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka përjashtuar përdorimin e forcës për ta marrë nën kontroll Grenlandën.
Në fjalimin e tij, të mërkurën, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Trump ka bërë thirrje për bisedime të menjëhershme me aleatët evropianë për të negociuar blerjen e ishullit gjysmautonom të Danimarkës.
“Po kërkoj negociata të menjëhershme për të diskutuar edhe një herë blerjen e ishullit. Nuk do të marrim asgjë. Vetëm nëse vendosi të përdor forcë të tepruar, atëherë do të ishim të pandalshëm. Por nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Trumpi.
“Kjo është ndoshta deklarata më e rëndësishme që kam bërë, sepse njerëzit menduan se do të përdorja forcë. Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, e tëra çfarë kërkon SHBA-ja ndaj NATO-s është një “copë akulli”, duke iu referuar Grenlandës.
Trump e quajti këtë një kërkesë të vogël krahasuar me atë që SHBA-ja i ka dhënë NATO-s. Sipas tij, SHBA-ja do të jetë aty për NATO-n 100%, por është shprehur i pasigurt nëse vendet evropiane do t’ia “kthejnë nderin”, siç ka thënë ai.
Po ashtu ai ka mohuar se synon aneksimin e Grenlandës për minerale tokësore që ka ky vend arktik.
“Nuk ka diçka të tillë si minerale të rralla tokësore në Grenlandë. Ajo që ka rëndësi është siguria e saj strategjike kombëtare dhe ndërkombëtare. Asnjë komb ose grup kombesh nuk është në gjendje që të ofrojë siguri për Grenlandën, përveç SHBA-së. Secili aleat i NATO-s ka obligim që të jetë në gjendje ta mbrojë territorin e vet. Ne jemi një fuqi e madhe, më e madhe se që mund të imagjinohet madje”.
Gjatë fjalimit në Davos të Zvicrës, Trumpi e kritikoi Evropën, duke thënë se disa vende kanë humbur identitetin.
“Mund të debatojmë për këtë, por nuk ka debat. Miqtë kthehen nga vende të ndryshme, pa dashur ta ofendoj askënd, dhe thonë: 'Nuk e njoh më atë vend’. Dhe kjo nuk thuhet në mënyrë pozitive, por në mënyrë shumë negative”.
Presidenti amerikan ka theksuar se politikat e imigracionit dhe ato ekonomike të Evropës kanë çuar në pasoja katastrofike, krahasuar me atë që ai e quajti mrekulli ekonomike e SHBA-së.
Trump ka shtuar se dëshiron ta shohë Evropën në rrugën e duhur, porse sipas tij, ajo po shkon në drejtim të kundërt, duke përmendur shpenzimet qeveritare në rritje, migrimin masiv të pakontrolluar dhe importet e pafundme.
Ndërkohë, lidhur me Ukrainën, Trump tha se “jemi afër një marrëveshjeje”.
“Po merrem me presidentin Putin dhe besoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Po merrem me presidentin Zelensky dhe mendoj se edhe ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Besoj se jemi në një pikë ku ata mund të bashkohen dhe ta bëjnë marrëveshjen. Dhe, nëse nuk e bëjnë, janë budallenj”, ka deklaruar Trump.
Trumpi kërkon Grenlandën në këmbim të ofrimit të sigurisë për NATO-n
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vazhduar të arsyetojë se përse SHBA-ja duhet ta blejë Grenlandën teksa u ka thënë qytetarëve grenlandezë, se nëse ata pranojnë, do të ishin mirënjohës ndaj tyre, ndërkohë që nëse nuk pranojnë, do ta kujtonin këtë.
"Mund të thoni po, dhe ne do të jemi shumë mirënjohës, ose mund të thoni jo dhe ne do ta kujtojmë", ka thënë ai.
"Një Amerikë e fortë dhe e sigurt do të thotë një NATO e fortë", ka shtuar Trumpi.
Ai ka vazhduar duke thënë se SHBA-ja do të jetë aty për NATO-n 100%, por është shprehur i pasigurt nëse ata do ta “kthejnë nderin”.
Sipas tij, e tëra çfarë kërkon SHBA-ja ndaj NATO-s është një "copë akulli", duke iu referuar Grenlandës.
Ai e quan atë një kërkesë të vogël krahasuar me atë që SHBA-ja i ka dhënë NATO-s.
Trumpi përjashton përdorimin e forcës për ta marrë Grenlandën, thërret negociata
Në fjalimin e tij disa minutësh në Forumin Ekonomik në Davos të mërkurën, Trumpi ka përjashtuar përdorimin e forcës për të marrë Grenlandën.
"Nuk do të marrim asgjë. Vetëm nëse vendosi të përdor forcë të tepruar, do të ishim të pandalshëm. Por nuk do ta bëjmë këtë”, ka deklaruar Trumpi.
“Kjo është ndoshta deklarata më e rëndësishme që kam bërë, sepse njerëzit menduan se do të përdorja forcë. Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë”, ka deklaruar ai.
"E tëra çfarë kërkon SHBA-ja", ka shtuar ai më pas, është "një vend i quajtur Grenlandë".
Ai madje ka bërë thirrje për “negociata të menjëhershme” me aleatët evropianë për të negociuar një blerje të mundshme të Grenlandës nga SHBA-ja.
Trump: Duhet ta marrim Grenlandën, asnjë komb s’mund ta mbrojë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur edhe në Forumin e Davosit në Zvicër synimin e tij për të marrë Grenlandën nën kontrollin amerikan.
Ai e ka quajtur ishullin një "vend të gjerë, pothuajse të pabanuar dhe të pazhvilluar, që rri i pambrojtur".
“Nuk ka diçka të tillë si materiale të rralla tokësore në Grenlandë. Ajo që ka rëndësi është siguria e saj strategjike kombëtare dhe siguria ndërkombëtare", ka deklaruar Trumpi duke iu referuar vazhdimisht ishullit si "një copë akulli".
Ai ka shtuar se as Danimarka, territor gjysmëautonom i së cilës është Grenlanda dhe asnjë komb tjetër nuk mund ta mbrojë ishullin më të madh në botë.
“Asnjë komb ose grup kombesh nuk është në gjendje që të ofrojë siguri për Grenlandën, përveç SHBA-së. Secili aleat i NATO-s ka obligim që të jetë në gjendje ta mbrojë territorin e tij. Ne jemi një fuqi e madhe, më e madhe se që mund të imagjinohet madje”, është shprehur ai.
Trumpi ka kritikuar Danimarkën si “mosmirënjohëse” për refuzimin për të hequr dorë nga kontrolli i Grenlandës, duke pretenduar se kombi i detyrohej SHBA-së për mbrojtjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Danimarka ra në duart e Gjermanisë pas vetëm gjashtë orësh luftimesh dhe ishte plotësisht e paaftë të mbronte as veten dhe as Grenlandën. Kështu që Shtetet e Bashkuara u detyruan ta bënin këtë”, ka deklaruar ai, duke u ankuar për vendimin e SHBA-së në atë kohë për të lejuar Danimarkën të mbante Grenlandën si territor.
“Sa budallenj ishim që e bëmë këtë!... Por sa mosmirënjohës janë tani?”, ka shtuar ai.
Trumpi hap fjalimin në Davos duke kritikuar ashpër Evropën
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nisur fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, duke kritikuar ashpër Evropën.
Para një salle të mbushur plot me zyrtarë evropianë, Trumpi ka thënë se pjesë të kontinentit të tyre "as nuk njihen".
"Mund të debatojmë për këtë, por nuk ka debat. Miqtë kthehen nga vende të ndryshme, nuk dua të ofendoj askënd dhe thonë: 'Nuk e njoh'", ka deklaruar Trump.
"Dhe kjo nuk është në një mënyrë pozitive. Kjo është në një mënyrë shumë negative”, ka shtuar ai.
Ishte një mesazh i ashpër nga një president që tashmë i ka futur lidhjet SHBA-Evropë në territor krize me ambiciet e tij për aneksimin e Grenlandës.
Trumpi ka thënë se politikat e imigracionit dhe politika ekonomike e Evropës kishin çuar në pasoja katastrofike, krahasuar me atë që ai e quajti një "mrekulli ekonomike" në Shtetet e Bashkuara.
"E dua Evropën dhe dua ta shoh Evropën të shkojë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur", ka thënë ai, duke përmendur "shpenzimet qeveritare në rritje, migrimin masiv të pakontrolluar dhe importet e pafundme të huaja".
Trumpi mbërrin në Zvicër, e pret një diplomaci e tensionuar për Grenlandën
Aeroplani presidencial amerikan Air Force One ka mbërritur të mërkurën në mesditë në pistën e Cyrihut të Zvicrës.
Trumpi do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëor që po mbahet në Davos.
Para fjalimit të tij në Forum, Trumpi do të takohet me udhëheqës të biznesit.
E pas fjalimit, ai pritet të ketë takime me liderë të ndryshëm, ku temë kryesorë e diskutimeve do të jetë çështja e Grenlandës.
VIDEO:
Synimi i Trumpit për Grenlandën pushton ballinat e mediave në Rusi
Synimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të marrë kontrollin e ishullit më të madh të botës, Grenlandës, është bërë titulli kryesor në mediat ruse.
Tabloidi Moskovsky Komsomolets paraqet një ilustrim tallës të Trumpit, Rubios dhe Vance duke ngritur një flamur amerikan në ishull, një imazh që presidenti i SHBA-së e ka postuar edhe online.
“...Trump dhe bashkëpunëtorët e tij janë gati të pushtojnë Grenlandën”, shkruan gazeta, raporton BBC.
“Për momentin, vetëm në rrjetet sociale, por hapi i parë është ai që ka rëndësi”, thuhet më tej në tabloid.
Në Komsomolskaya Pravda (e cila publikon të njëjtën figurë), ambasadori i Rusisë në Danimarkë parashikon se “besimi në unitetin e NATO-s do të zbehet. Edhe tani, aleanca e NATO-s nuk është një grup muskëtierësh ku të gjithë janë për njërin dhe njëri për të gjithë.”
Arguments and Facts ka botuar një skicë mbresëlënëse të Donald Trumpit me një hartë gjigante të Grenlandës mbi kokë, si një kapelë.
“Ideja që Amerika të aneksojë ishullin më të madh në botë është ngulitur fort në kokën e Donald Trumpit?”, përfundon gazeta.
“Në historinë amerikane, marrja e territoreve nuk është diçka e re”, komenton senatori rus Konstantin Kosachev.
Por, vazhdon ai, “imponimi i një transaksioni të tillë është absolutisht i paligjshëm. Kjo është shkelje e sovranitetit të Danimarkës dhe Grenlandës, shkelje e frymës të së drejtës ndërkombëtare…”
“Ndoshta vetë presidenti amerikan ende nuk e kupton se ku qëndrojnë kufijtë e së mundshmes dhe po i teston ato”, ka shtuar ai.
Kush po e shoqëron Trumpin në Davos
Presidenti amerikan, Donald Trump, po shoqërohet nga një ekip i madh këshilltarësh dhe anëtarësh të administratës së tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Mediat raportojnë se bashkë me të në forum do të jenë: sekretari i Shtetit, Marco Rubio, shefi i Shtabit, Susie Wiles, dhe zëvendësi i saj, James Blair, sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, këshilltari i Politikave, Stephen Miller, këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert Gabriel, i cili u shpall së fundmi si anëtari i fundit i "bordit ekzekutiv themelues" të "Bodit të Paqes" të Trumpit, ndihmësi politik Beau Harrison, drejtori i Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung, sekretari i Stafit të Shtëpisë së Bardhë, Will Scharf, drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett, tekstshkruesi i fjalimeve, Ross Worthington dhe ambasadorja Monica Croëley.
Presidenti amerikan pritet të mbajë një fjalim në Forum, teksa paraqitja e tij pritet të ndodhë me tri orë vonesë, për shkak të kthimit të tij në Washington, pak minuta pasi ishte nisur për në Zvicër, si pasojë e një “problemi të vogël” me avionin Air Force One.