Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trumpi shpall armëpushimin Izrael-Liban

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar të enjten se Izraeli dhe Libani do të nisin një armëpushim dhjetëditor. Armëpushimi do të hyjë në fuqi në mesnatë, sipas kohës lokale në Kosovë.

Në një shkrim në “Truth Social”, Trumpi ka bërë të ditur se ka folur me liderët e të dyja shteteve dhe ka pretenduar se kjo është “lufta e dhjetë” që e ka “zgjidhur”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Sapo pata biseda të shkëlqyeshme me presidentin shumë të respektuar Joseph Aoun të Libanit dhe kryeministrin Bibi Netanyahu të Izraelit. Këta dy liderë janë pajtuar që për të arritur PAQEN mes shteteve të tyre, që zyrtarisht të nisin një armëpushim 10 ditor, në orën 5 pasdite (sipas kohës në SHBA)”, ka shkruar Trumpi.

Ai ka bërë të ditur se i ka ftuar udhëheqësit e të dyja shteteve në Shtëpinë e Bardhë për bisedime të mëtejme.

“Të dyja palët duan PAQE dhe besoj se kjo do të ndodhë, së shpejti”, ka shkruar ai.

Arritja e armëpushimit është mirëpritur edhe nga kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, që ka thënë se Libani e ka kërkuar këtë që nga shpërthimi i luftës.

Arritja e armëpushimit ndodh pasi Izraeli shkatërroi një urë kyçe që lidh pjesën jugore të Libanit me pjesën tjetër të shtetit. Izraeli ka thënë se e ka cak Hezbollahun e mbështetur nga Irani. Qytete të shumta janë rrafshuar nga sulmet izraelite.

Që nga nisja e luftës në Iran më 28 shkurt dhe sulmet e Izraelit në Liban kanë vdekur rreth 2200 persona.

Hezbollahu e Netanyahu reagojnë pas armëpushimit

22 min. më parë / 16 pri 2026 20:28
netanyahu

Në një reagim pas njoftimit të Donald Trumpit për armëpushimin Izrael-Liban, grupi militant Hezbollah në Liban ka thënë se armëpushimi duhet të përfshijë “ndërprerjen gjithëpërfshirëse të sulmeve në të gjithë territorin libanez” dhe “asnjë liri lëvizjeje për forcat izraelite”.

Po ashtu ky grup ka kërkuar “rikthimin në situatën para 2 marsit”, datë në të cilën Hezbollahu lëshoi raketat dhe dronët e parë në drejtim të Izraelit si hakmarrje për vrasjen e liderit suprem iranian. Izraeli iu përgjigj me sulme gjithandej shtetit.

“Pushtimi i vazhdueshëm izraelit i territorit libanez ia jep Libanit dhe popullit të tij të drejtën për të rezistuar”, thuhet në reagim.

Ndërkaq, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se trupat izraelite nuk do të lëvizin nga ajo që e ka quajtur “zonë e sigurisë” me thellësi 10-kilometërshe në Libanin jugor. Sipas tij, kjo do t’ua mundësojë forcave izraelite të “bllokojnë rrezikun e pushtimit” dhe të parandalojnë sulmet ndaj izraelitëve.

Netanyahu ka thënë se kërkesë kryesore e Izraelit për bisedime të mëtejme është çarmatosja e Hezbollahut. Ai e ka cilësuar armëpushimin mundësi historike për arritjen e marrëveshjes për paqe.