Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se marrëdhënia e tij me ish-këshilltarin Elon Musk ka mbaruar, raporton "BBC".
“Do të supozoja se po”, tha Trump të shtunën për “NBC News”, kur është pyetur se nëse mendonte se marrëdhënia e tij e ngushtë me miliarderin Musk ka mbaruar.
Ai u përgjigj “jo” kur u pyet nëse dëshironte ta rregullonte marrëdhënien e dëmtuar.
Komentet e Trumpit janë të fundit që nga përplasja mes tij dhe Muskut që u zhvillua në rrjete sociale.
Kjo erdhi pasi Musk kritikoi publikisht projektligjin e presidentit amerikan për taksat dhe shpenzimet.
Trump të enjten tha se është i zhgënjyer me sjelljen e Muskut. Ndërsa më pas vazhdoi përballja mes tyre në rrjetet sociale.
Në intervistë për “NBC News” të shtunën, Trump tha se Musk ka qenë shumë “mosrespektues”.
“Mendoj se është gjë shumë e keqe, pasi ai ka qenë shumë mosrespektues. Nuk mund të tregosh mosrespekt ndaj zyrës së presidentit”, tha Trump.