Botë

Turqia bllokon një nga transmetuesit më të mëdhenj televizivë

Haberturk

Një nga transmetuesit më të mëdhenj televizivë të lajmeve në Turqi është bllokuar nga shteti si pjesë e një hetimi për mashtrim, evazion fiskal dhe pastrim parash, raportuan mediat të enjten.

Haberturk ishte një nga 121 kompanitë që i përkisnin Can Holding, pasuritë e të cilave u sekuestruan dhe u transferuan në Fondin Shtetëror të Sigurimit të Depozitave, kanë raportuar mediat.

Transmetuesi Show TV është marrë nën kontroll gjithashtu.

Janë lëshuar urdhërarreste për 10 persona, përfshirë drejtues të lartë të Can Holding.

Grupi përbëhet nga kompani në një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë median, arsimin, energjinë, hotelet, shëndetësinë, ndërtimin dhe logjistikën.

Hetuesit kishin zbuluar se "sasi të mëdha parash me origjinë të panjohur janë futur nëpërmjet kompanive që vepronin nën Can Holding", të cilat u transferuan midis kompanive për të fshehur origjinën, thuhet në një deklaratë të prokurorëve të rastit.

Dokumente të falsifikuara dyshohet se u përdorën gjithashtu për të ulur detyrimin tatimor.

Prokurorët kanë shtuar se disa nga aktivitetet e Can Holding ishin "financuar drejtpërdrejt me të ardhura kriminale".

Ashtu si shumica e mediave, Haberturk, mbështet kryesisht qeverinë e presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Indeksi i lirisë së shtypit për vitin 2024 i Reporterëve pa Kufij e renditi Turqinë në vendin e 158-të nga 180 vende. 

Grupi i lirisë së fjalës ka thënë se rreth 90% e medias ishte nën ndikimin e qeverisë.