Botë

SHBA-Ukrainë “bisedime produktive, por duhet më shumë punë”

Rubio

Foto: Associated Press

Artikull i përditësuar 23:11 - Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se bisedimet me Ukrainën për një marrëveshje për fundin e luftës me Rusinë ishin produktive, por sipas tij duhet bërë më shumë punë.

Bisedimet e mbajtura të dielën në Florida përfshinë delegacionin ukrainas të udhëhequr nga sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Rustem Umerov, si kryenegociator i ri i Ukrainës, dhe emisarin e Trumpit, Steve Witkoff e dhëndrin e presidentit, Jared Kushner.

Rubio i ka thënë delegacionit ukrainas se qëllimi i bisedimeve të paqes me Rusinë është për ta lënë Ukrainën “të pavarur, sovrane dhe prosperuese”.

Kur nisën diskutimet, Umerov u shpreh se “po diskutohet e ardhmja e shtetit, siguria dhe mospërsëritja e agresionit”.

“SHBA-ja po na dëgjon. SHBA-ja po na mbështet. SHBA-ja po punon krah nesh”, ka thënë ai.
E më pas i ka cilësuar bisedimet si “produktive e të suksesshme”, ndërsa Rubio ka thënë se ato ishin “shumë produktive dhe të dobishme”. 

Sipas raportimit të agjencisë së lajmeve AFP, bisedimet në Florida “nuk kanë qenë të lehta”, por se “të gjithë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje”.


Ukraina dhe SHBA-ja diskutojnë në Florida kornizën e re për t’i dhënë fund luftës

Negociatorët ukrainas janë takuar me zyrtarë amerikanë në Florida për të diskutuar detajet e kornizës së propozuar nga Uashingtoni për t'i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, ndërsa Kievi përballet me presion në frontet ushtarake dhe politike.

Sekretari i shtetit Marco Rubio, i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit  Donald Trump, janë takuar me një delegacion ukrainas të dielën përpara bisedimeve të planifikuara të SHBA-së këtë javë në Moskë me Vladimir Putinin, raportoi “The Guardian”.

Rustem Umerov, sekretari i këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në Ukrainë, ka postuar një fotografi të takimit në platformën X dhe e përshkroi takimin si të përqendruar në hapat drejt arritjes së paqes së drejtë.

Një burim nga delegacioni ukrainas ka thënë për AFP-në se bisedimet nuk ishin të lehta dhe “kërkimi për formulime dhe zgjidhje vazhdon”. 

“Të gjithë janë të interesuar për një rezultat praktik në mënyrë që të ketë një temë për negociata të mëtejshme midis SHBA-së dhe Rusisë”, ka shtuar ky burim. 

Diplomatët u përqendruan në rishikimet e plani të propozuar prej 28 pikash të zhvilluar në negociatat midis Uashingtonit dhe Moskës. Ky plan është kritikuar si shumë i orientuar drejt kërkesave ruse. 

Teksa takimi filloi të dielën, Rubio u përqendrua në sigurimin e Ukrainës.

“Qëllimi përfundimtar, padyshim, nuk është vetëm fundi i luftës. Por ka të bëjë edhe me sigurimin e një përfundimi të luftës që e lë Ukrainën sovrane dhe të pavarur dhe me një mundësi për prosperitet të vërtetë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me marrëveshje paqeje”, ka thënë Rubio.

Umerov iu përgjigj atij duke shprehur vlerësimin e vendit të tij për përpjekjet e SHBA-së, një mesazh i drejtuar Trumpit, i cili më parë pati pohuar se Ukraina nuk ka qenë mjaftueshëm mirënjohëse për ndihmën e SHBA-së gjatë luftës.

Plani origjinal prej 28 pikash SHBA-Rusi u hartua muajin e kaluar nga Kirill Dmitriev, i dërguari special i Putinit, dhe Witkoff. Ai i bëri thirrje Ukrainës të tërhiqej nga qytetet që kontrollon në rajonin lindor të Donbasit, të kufizonte madhësinë e ushtrisë së saj dhe të mos i bashkohej NATO-s. Propozimi fillestar i Uashingtonit - i hartuar pa kontributin e aleatëve evropianë të Ukrainës - do të kishte përfshirë tërheqjen e Kievit nga rajoni lindor i Donetskut dhe njohjen de facto të Donetskut, Krimesë dhe Luhanskut nga SHBA-ja si territore ruse.

Gjatë negociatave fundjavën e kaluar në Zvicër – të udhëhequra nga Rubio dhe negociatorët ukrainas – plani u rishikua në mënyrë thelbësore. Kievi dhe partnerët e tij evropianë thonë se vija ekzistuese e frontit duhet të jetë pika fillestare për diskutimet territoriale. Ata thonë se nuk mund të ketë njohje të tokës së sekuestruar nga Rusia ushtarakisht dhe se Kievi duhet të marrë vendimet e veta nëse do të bashkohet me BE-në dhe NATO-n – diçka për të cilën Kremlini dëshiron të vendosë kushte.