Botë

Ukraina i quan produktive bisedimet për paqe, Rusia kërkon plotësimin e kërkesave

ukraine

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje paqësore pas pothuajse katër vjetësh luftë, delegacionet ruse, ukrainase e amerikane u ulën në tryezë diskutimi në Abu Dhabi. Nisja e këtyre bisedimeve dyditore, u përcoll me intensifikim të sulmeve ruse në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Si pasojë e tyre pati edhe viktima

Takimi dyditor, i nisur të mërkurën në Abu Dhabi, mes delegacionit ukrainas dhe atij rus, i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në bisedimet për përfundimin e luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë, u cilësua si produktiv nga pala ukrainase. 

Pas përfundimit të ditës së parë të bisedimeve, kryenegociatori ukrainas, Rustem Umerov, i cilësoi ato si produktive.

“Pas takimit trepalësh në Abu Dhabi, procesi i negociatave vijoi sot në formatin e grupeve të punës. Puna ishte thelbësore dhe produktive, e fokusuar në hapa konkretë dhe zgjidhje praktike. Po përgatisim një raport për presidentin Volodymyr Zelensky”, ka shkruar Umerov në X.  

Nga Rusia nuk pati komente lidhur me takimin, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se dyert për një zgjidhje paqësore janë të hapura. Ai shtoi se Rusia do t’i vazhdojë veprimet ushtarake derisa Ukraina t’i pranojë kërkesat e saj.

“Derisa të merren vendimet përkatëse nga regjimi i Kievit, operacioni special ushtarak po vazhdon. Ushtria jonë po godet objektivat që ajo i konsideron të lidhura me kompleksin ushtarak të regjimit të Kievit. Operacioni po vazhdon”, ka theksuar Peskov. 

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se një përparim i madh në bisedime mund të mos duket menjëherë, porse administrata Trump ka shënuar progres të konsiderueshëm në negociata.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, delegacioni amerikan udhëhiqet nga emisari i posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushneri, që është dhëndër i presidentit Donald Trump.

Ndërkohë Rusia të mërkurën ndërmori sulm masiv me raketa e dronë në kryeqytetin Kiev, si dhe në rajone të tjera të Ukrainës. Sipas autoriteteve ukrainase, në Dnipropetrovsk u vranë dy dhe u plagosën edhe dy persona të tjerë nga sulmi me dronë. 

“Një grua 68-vjeçare dhe një burrë 38-vjeçar u vranë” në sulmin ndaj rajonit të Dnipropetrovskut, shkroi në Telegram Mykola Lukashuk, kreu i administratës rajonale.
Në Odesë, të paktën pesë persona u plagosën, ndërsa u dëmtuan edhe shtëpi, kopshte fëmijësh dhe një shkollë.
Zyrtarët ukrainas i quajtën sulmet taktika të njohura që Kremlini zyrtar i përdor për të blerë kohë në diplomaci.

E presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se më shumë se 200 ekipe riparimi po punojnë për të rikthyer energjinë elektrike në Kiev pas sulmeve të gjera ruse që synuan sektorin energjetik të vendit.

Ai shtoi se mbi 1.100 ndërtesa banimi në Kiev janë ende pa furnizim me rrymë.

Ndërkaq, Instituti për Studimin e Luftës, një institut kërkimor me seli në Washington, deklaroi se këto zhvillime janë pjesë e strategjisë negociuese të Moskës.