Ukraina ka pranuar të hënën edhe 1,245 trupa të ushtarëve të saj të vrarë në luftën me Rusinë, në fazën përfundimtare të riatdhesimit të mbetjeve, për të cilën është rënë dakord në bisedimet në Stamboll, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
"Sot shënohet faza përfundimtare e riatdhesimit të ushtarëve të rënë", ka thënë ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov.
"Që nga java e kaluar, kur filloi zbatimi i marrëveshjeve të Stambollit, kemi arritur të kthejmë mbi 6,000 trupa”, ka shtuar ai.
Kjo shënon një nga kthimet më të mëdha të të vdekurve të luftës që kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës më shumë se tre vjet më parë.
Dorëzimi i mbetjeve të ushtarëve është pjesë e marrëveshjeve të arritura midis Rusisë dhe Ukrainës gjatë rundit të dytë të bisedimeve në Stamboll në fillim të muajit.
Ndihmësi i Kremlinit, Vladimir Medinsky, i cili ishte kreu i delegacionit të Rusisë në bisedimet e paqes, ka thënë se Moska kishte kthyer trupat e 6,060 ushtarakëve ukrainas. Ai ka thënë se Rusia ka marrë mbetjet e 78 ushtarëve të saj në këmbim.
Ndërkaq zyrtarët ukrainas kanë thënë se kanë marrë 6,057 trupa.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se Moska është gati t'i dorëzonte Ukrainës edhe 2,239 trupa të tjerë.
Si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë thënë se procesi i shkëmbimit të të burgosurve të luftës vazhdon ende.
Marrëveshjet për shkëmbimin e të burgosurve të luftës ishin i vetmi rezultat konkret gjatë bisedimeve midis Kievit dhe Moskës në Stamboll.
Të dyja palët mbeten shumë larg në vizionin e tyre se si t'i japin fund luftës dhe gjithashtu nuk arritën të bien dakord për një armëpushim.