Botë

Ushtarët ukrainas që nuk mund të largohen nga vija e frontit

Pas deklaratave të përbashkëta të ushtarëve, se do të jenë në luftë “për aq kohë sa duhet”, janë qindra mijëra familje ukrainase që luftojnë së bashku, duke menaxhuar shpresat dhe frikën e tyre në kohën kur lufta ka kaluar 18 muaj, pa asnjë fund të qartë të saj

Shërbim i hapur, pa ndonjë datë përcaktuese përfundimi, me vetëm 10 ditë pushim në vit - për ushtarët ukrainas, jeta në vijën e parë të frontit nuk është aspak e lehtë, siç e dëshmoi nga afër BBC Newsnight.

Duke qëndruar mes disa ndërtesave të rrënuara nga lufta, Jimmy, një oficer ukrainas i cili ka qenë në shërbim aktiv prej vitesh, reflektoi mbi mbijetesën e tij: “Unë jam një njeri me fat…siç e shoh, lufta ose i do njerëzit, ose jo”.

Njësia e tij, Brigada 24 e mekanizuar, ka histori të gjatë dhe është pjesë e ushtrisë së vjetër të rregullt ukrainase, që ka luftuar kundër rusëve që nga viti 2014. Por që nga pushtimi i shkurtit të 2022-tës, ushtria është trefishuar në numër, vendi është mobilizuar dhe njësia e Jimmyt ndryshoi krejtësisht.

Ne qëndruam dy javë me Brigadën 24, e cila tani shërben në Donbas, në atë qendër të vjetër industriale, duke zënë pjesë të frontit midis Bakhmutit dhe Horlivkas.

Jimmy - ushtria ukrainase na ka kërkuar që ne të përdorim pseudonimet e ushtarëve dhe jo emrat e vërtetë- komandon një njësi (zakonisht përbëhet nga rreth 120 trupa), post të cilin ai e mori vitin e kaluar. Një nga oficerët më tha se të gjithë 15 komandantët e njësive janë graduar ose janë kthyer në viktima.

Në prag të luftës, Brigada 24 kishte pak më shumë se 2 mijë trupa, duke shërbyer me rotacion në vijën e frontit në Ukrainën lindore, me turne të herëpashershme. Ndonëse ushtria ukrainase rrallë i diskuton numrat, burimet më thanë se kjo njësi tani është rritur në më shumë se 7 mijë, me gjithsej pesë batalione këmbësorie, katër të artilerisë, një batalion tankesh dhe shumë elemente të tjera mbështetëse.

Gjersa ai mobilizim ndodhi, ushtarëve të vjetër të rregullt iu bashkuan mijëra vullnetarë dhe rekrut. “Yurii”, kapitalist 20-vjeçar nga Kievi, është një nga të ardhurit e talentuar.

Gatishmëria e vullnetarëve

Fillimisht atij iu dha një pushkë dhe u dërgua në këmbësori, e disa muaj më vonë, Yurii u transferua në një “start-up” ushtarak, njësia e dronëve sulmues të Brigadës 24. I ulur në një tavolinë, afër një parku lojërash për fëmijë, ai na tregoi dronët e rinj dhe eksplozivin që ata mbajnë.

Yurii shpjegoi se si nëna e tij fillimisht ishte skeptike mbi bashkimin e tij me ushtrinë, por sapo ai filloi të drejtonte dronët drejt llogoreve ruse, “ajo ndryshoi mendje” dhe u ndie krenare për të.

Sipas kushteve të kontratave të tyre, vullnetarët - ashtu si rekrutët - nuk mund të largohen dhe janë të detyruar të shërbejnë deri në përfundimin e luftës. Ndërkohë, ata kanë të drejtë për vetëm 10 ditë pushim çdo vit.

Yurii është i pazakontë në mesin e pjesëtarëve të Brigadës 24, pasi 3.195 dollarët që ai fiton në muaj (80% e të cilave është paga luftarake) janë më pak se të ardhurat e tij në jetën e dikurshme civile.

Yurii më tha se si njësia duhet të jetë më e zgjuar se rusët, sepse armiku ka shumë më shumë dronë.

Një nga oficerët zbuloi po ashtu se megjithëse Yurii renditet si ushtar i thjeshtë privat, ai në thelb drejton këtë njësi. Ky rimendim i hierarkisë së zakonshme është një nga ndryshimet midis formimit të ushtrisë para vitit 2022 dhe forcës ushtarake që tani lufton rusët.

Një tjetër është gatishmëria e tyre për të anashkaluar moshën dhe faktorë të tjerë që mund të ishin llogaritur kundër vullnetarëve përpara vitit 2022. Ne takuam një rreshter me nofkën “Hryb” (që do të thotë kërpudhë), i cili drejtonte artilerinë vetëlëvizëse.

Ai është burrë i moshuar, saktësisht 52 vjeç, i cili e ka kryer shërbimin e tij ushtarak më shumë se 30 vjet më parë. Çfarë mund të dinte ai për luftën moderne?

Obusët 152 mm Akatsiya (ose Acacia) të Brigadës 24 janë aq të vjetër, sa janë të njëjtit lloj si ai që Hryb komandonte kur shërbente me Ushtrinë Sovjetike në Gjermaninë Lindore në fillim të viteve 1990.

Image
Obusët e Brigadës 24 janë të një lloji të përdorur nga Ushtria Sovjetike në vitet 1990

Armët e vjetruara

Predhat që ne i pamë duke i gjuajtur ishin prodhuar 40 vjet më parë, dhe pjesëtarët e njësisë ia kanë vënë nofkën obusit “Babushka” ose Gjyshja në shqip. E kush mund t’i dijë veçoritë e obusit të vjetër më mirë sesa gjyshi Hryb?

Vendimi i tij për të dalë vullnetar nuk ishte i lehtë për familjen e tij. “Ata qanë në heshtje”, shpjegoi Hryb. “Ata thanë se do të më prisnin, se më donin”.

Pas deklaratave të përbashkëta të ushtarëve, të “për aq kohë sa duhet”, janë qindra mijëra familje ukrainase që luftojnë së bashku, duke menaxhuar shpresat dhe frikën e tyre në kohën kur lufta ka kaluar 18 muaj, pa asnjë fund të qartë.

Në një qendër rehabilitimi në Lviv për ushtarët me lëndime me pasoja për jetë, diskutova shkëmbimet e vështira kur disa nga të plagosurit u thonë grave të tyre se duan të kthehen në front.

“Shumë djem, mirë ata që mbetën gjallë, por humbën një gjymtyrë, humbën edhe familjen”, më tha Pavlo, një nga pacientët.

Ajo bisedë është zhvilluar edhe me gruan e tij, e ai i hidhëruar thotë: “Ajo mendon se unë tashmë e kam kryer detyrën”. Një burrë tjetër, i plagosur në një fushë të minuar gjatë kundërsulmit të fundit, më thotë se shoqëria ukrainase nuk e di ende se sa njerëz janë dëmtuar.

Të dhënat mbi vdekjet, gjymtimin dhe robërinë mund të ndikojnë në gatishmërinë e njerëzve për të shërbyer. Rekrutimi është një tjetër temë për të cilën Ukraina nuk publikon shifra zyrtare.

Megjithatë, mes burrave që ne filmuam duke u stërvitur në Yavoriv dhe në një zonë tjetër më afër frontit, shumë ishin në të dyzetat dhe shumë të tjerë në të pesëdhjetat. Oficerët na treguan për konkurrencën intensive për rekrutët më të rinj në brigada të ndryshme.

Pas shkarkimit të oficerëve që mbikëqyrnin ftesat për pjesëmarrje në luftë, u kuptua gjithashtu se mijëra burra kishin ofruar ryshfet për të mos u bërë pjesë e luftës ose kishin dalë jashtë vendit për të shmangur shërbimin.

Midis atyre që dalin vullnetarë për të shkuar në front, ka shumë që kanë humbur punën e tyre dhe janë tërhequr drejt pagës së lartë që vjen me të qenit në vijën e parë të frontit.

Konflikti mund të zgjasë me vite

Sa u përket përpjekjeve për ta kthyer sulmin ndaj Rusisë këtë verë, për t’i çliruar tokat e pushtuara, pritshmëritë për atë që mund të arrinte ushtria ukrainase ishin ndoshta më të larta në Pentagon sesa midis veteranëve të Brigadës 24.

“Një përparim i lehtë është thjesht i pamundur”, na tha Jimmy. “Ne po përgatitemi për luftë afatgjatë”.

Një tjetër nga oficerët e brigadës, komandanti i një prej batalioneve të saj, e krahasoi konfliktin me Vietnamin, duke lënë të kuptohet se mund të zgjasë shumë vjet.

Dhe ndërsa lufta vazhdon, e tillë është edhe humbja. Viktimat janë çështje e ndjeshme në Ukrainë, pasi është kundër ligjit që të publikohen shifra. Por Pentagoni vlerësoi së fundmi se 70 mijë ukrainas janë vrarë në luftë, shumica e tyre në ushtri.

Sipas analizës tonë nga mediat sociale dhe raportet e lajmeve arkivore, vlerësimi ynë konservator do të ishte se Brigada 24 ka humbur rreth katër qind pjesëtarë në total. Rreth 120 prej tyre vdiqën gjatë luftimeve nga viti 2014 deri në fillim të vitit 2022, e pjesa e mbetur që nga pushtimi rus.

Ka pasur gjithashtu dhjetëra apo edhe qindra burra të kapur rob, një tjetër temë e vështirë për autoritetet, pasi shkëmbimet e të burgosurve kanë qenë shumë të kufizuara deri më tani.

Gruaja e një të burgosuri lufte na tha se vetëm 22 burra nga Brigada 24 janë kthyer deri më tani dhe se të gjitha departamentet qeveritare, me të cilat ajo ka shkruar i kishin kthyer të njëjtin mesazh: “Duhet të prisni”.

“Unë dua që të gjithë rusët të vdesin”

Riatdhesimi i robërve të luftës është vetëm një nga çështjet e shumta që do të duhet të negociohen sapo armët të heshtin. Por humbja dhe zemërimi publik ndaj veprimeve të Rusisë e kanë bërë shumë më të vështirë për politikanët ukrainas që të bien dakord për një armëpushim ose marrëveshje paqeje që duket si një kompromis i çrregullt.

Në një varrezë në periferi të Lvivit, ne përcollëm Natalia Nezhuran teksa vendosi lule të freskëta mbi varrin e vëllait të saj Andriit. “Unë u përpoqa me gjithçka që mundesha, që ta ndaloja atë të shkonte në vijën e parë të frontit”, shpjegoi ajo.

Ajo qan teksa më tregon se si dështoi që ta ndalonte vëllain e saj që të shkonte në luftë.

Ajo kishte fshehur letrat e ftesës së Andriit, e më pas, kur kjo nuk ishte e suksesshme më, ajo përdori një lidhje për t’i siguruar atij një punë si instruktor i armëve të zjarrit në terrenin e stërvitjes në Yavoriv, “por në fund shumica e djemve u dërguan në vijën e frontit”.

Andrii u vra në fillim të këtij viti, kur Brigada 24 kishte njësi të angazhuara në betejën për Bakhmutin. Biseda jonë u zhvillua mes flamujve valëvitës të shumë njësive që zbukurojnë parcelën ushtarake në Lviv, vend ku numëruam më shumë se 2 mijë varre.

Ata që e imagjinojnë se kjo humbje dhe dhimbje mund të shkaktojë dëshirën për paqe, do të përjetonin një tronditje të rëndë. Kur e pyeta se si duhet të përfundonte lufta, Natalia u përgjigj: “Unë thjesht dua që të gjithë rusët të vdesin, i urrej me gjithë zemër dhe shpirt”, duke shtuar, “si mund të flasësh për paqen kur kanë vrarë kaq shumë nga njerëzit tanë?”

Për vite me radhë, ushtria e vjetër profesionale menaxhonte një paqe jo të lehtë dhe konflikte të herëpashershme përgjatë vijës së kontaktit me rusët. Por tani të gjithë ndihen të rrezikuar në konflikt, dhe qëndrimet që hasëm midis ushtarëve dhe familjeve të Brigadës 24, nënvizuan shkallën në të cilën shoqëria në tërësi është mobilizuar dhe vetëm një fitore e qartë tani, është e pranueshme për ukrainasit.

Përktheu: Forca Jashari