Ushtria izraelite ka nisur të thërras dhjetëra e mijëra rezervistë “për të intensifikuar dhe zgjeruar” operacionin e saj në Rripin e Gazës.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se “po shton presionin” me qëllimin për të rikthyer pengjet që mban në Gazë dhe të mund militantët e Hamasit, raporton BBC.
Kritikët thonë se ofensiva e fundit ushtarake, pas prishjes së armëpushimit, ka dështuar të garantojë lirimin e pengjeve dhe ka vënë në pikëpyetje objektivat e kryeministrit, Benjamin Netanyahu në konflikt.
Sipas planit, ushtria ka thënë se do të operonte në zona të reja dhe do të "shkatërronte të gjithë infrastrukturën" mbi dhe nën tokë.
Mediat izraelite raportojnë se kabineti izraelit i sigurisë ka miratuar zgjerimin e rinovuar ushtarak në Gazë.
Por raportet sugjerojnë se kjo nuk do të ndodhë deri pas udhëtimit të presidentit amerikan, Donald Trump në rajon javën e ardhshme.
Negociatat ndërkombëtare nuk kanë pasur sukses që të arrihet një marrëveshje e re për një armëpushim dhe lirimin e 59 pengjeve të mbetura që mbahen nga Hamasi, 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
Asnjë peng izraelit nuk është liruar që kur Izraeli ka rifilluar ofensivën e tij më 18 mars, pas rënies së një armëpushimi dymujor me Hamasin.
Që atëherë, Izraeli ka pushtuar zona të mëdha të Gazës, duke zhvendosur përsëri qindra mijëra banorë të Gazës.
Izraeli ka thënë se qëllimi i tij është që të ushtrojë presion mbi Hamasin, një strategji që ka përfshirë një bllokadë ndaj ndihmave humanitare e cila është në fuqi për më shumë se dy muaj.