Ushtarët nepalezë po ruajnë rrugët e kryeqytetit të vendit të mërkurën dhe po udhëzojnë njerëzit të qëndronin në shtëpi, teksa po bëjnë përpjekje për të rikthyer rendin pasi protestuesit dëmtuan ndërtesa qeveritare dhe sulmuan politikanët.
Trupat e armatosura që ruanin zonat kryesore të Katmandusë jepnin shenjë të rikthimit të kontrollit në qytet, i cili ishte përfshirë nga dhuna dhe kaosi në dy ditët e mëparshme. Ushtarët i njoftonin banorët për shtetrrethimin në fuqi, ndërsa kontrollonin automjetet dhe njerëzit.
Ushtria paralajmëroi të martën vonë se forcat e sigurisë ishin të përkushtuara për të ruajtur ligjin dhe rendin. Ushtria rrallë mobilizohet në Nepal dhe fillimisht qëndroi në kazerma pasi policia dështoi të kontrollonte situatën. Një deklaratë e ushtrisë tha se 27 grabitës të dyshuar janë arrestuar.
Ushtarët qëlluan në ajër të mërkurën pasi të burgosurit mposhtën rojet e policisë dhe u përpoqën të arratiseshin nga burgu kryesor në zemër të Katmandusë.
Të burgosurit i vunë flakën ndërtesave me qeli dhe thyen hyrjen kryesore përpara se të dilnin në rrugë.
Mirëpo ushtarët arritën të bllokonin përpjekjen për arratisje dhe i transferuan të burgosurit në burgje të ndryshme. Nuk u raportua për të lënduar.
Të martën protestat ishin bërë gjithnjë e më të dhunshme, ndërsa demonstruesit i vunë flakën ndërtesave qeveritare dhe shtëpive të politikanëve dhe sulmuan disa udhëheqës.
Teksa kritikat ndaj elitës politike të vendit u zgjeruan, kryeministri dha dorëheqjen, megjithëse kjo dukej se pati pak efekt në trazira.
Dhjetëra mijëra protestues vazhduan të qëndronin në rrugë, duke bllokuar rrugët dhe duke sulmuar ndërtesat qeveritare.
Të hënën, demonstratat e udhëhequra nga të rinj të zemëruar për bllokimin e disa faqeve të mediave sociale përfshinë në Katmandu, bëri që policia të përdorte forcën mbi turmat, duke vrarë 19 persona.
Ndalimi i mediave sociale u hoq të martën, por protestat vazhduan, të nxitura nga zemërimi për vdekjet dhe akuzat për korrupsion politik.
Demonstratat, të quajtura protesta e Gjeneratës Z, filluan pasi qeveria bllokoi platformat e mediave sociale, duke përfshirë Facebook, X dhe YouTube, duke thënë se këto kompani nuk kishin arritur të regjistroheshin dhe t'i nënshtroheshin mbikëqyrjes qeveritare.
Protestat u përhapën për të reflektuar pakënaqësi më të gjerë.